Home Aktualitet “Opozita e re” padit Shtetin për pagat e tyre gjatë muajve të pandemisë

“Opozita e re” padit Shtetin për pagat e tyre gjatë muajve të pandemisë

nga Editor

Derisa edhe një punonjës i thjeshtë i administratës shtetrore, si dhe policët që rrijnë 24 orë në shërbim, kanë dhënë nga pagat e tyre modeste për pandeminë, është absurde që deputetët nuk pranojnë të japin një pjesë të pagës për njerëzit në nevojë.

-Deputetët e së ashtuquajturës “Opozita e re”, Artur Roshi, Myslim Murrizi dhe të tjerë kanë paditur në Gjykatën Administrative, Kryesinë e Parlamentit, për rrogat e muajve mars-prill-maj të këtij viti, paga të cilat u mbajtën me vendim Kuvendi si kontribut për familjet në nevojë që janë prekur nga pandemia.  Pra, përveç pagës së plotë keta deputetë kërkojnë dietat, shpërblimet dhe shpenzimet për karburant, telefon dhe çdo gjë tjetër që u takon si ligjvënës të shtetit shqiptar. Paditësit nuk harrojnë që të theksojnë se pagesat i duan të hedhura dhe në librezën e kontributeve shoqërore duke pasur që sot hallin e pensionit politik.

Më 4 prill Kuvendi vendosi që të përgjysmojë pagat e gjithë deputetëve për tu ardhur në ndihmë shtresave më në nevojë të shoqërisë që u prekën ekonomikisht nga pandemia e koronavirusit. Vendimi i Kuvendit u pasua nga një akt i ministrave të kabinetit “Rama”, Presidentit të Republikës dhe gjithë administratës, me qëllimin kalimin e parave që do mbaheshin nga pagat e tyre për qytetarët në nevojë. Në atë kohë shkurtimi i pagave nga zyrtarët e lartë të shtetit dhe parlamenti u vlerësua si një gjest fisnik. Por jo të gjithë deputetët e Parlamentit kanë qenë dakord me vendimin për të dhënë kontribut financiar. Reagimet kundër këtij vendimi që u mbajti pagën nuk i kanë shprehur vetëm në komisionet parlamentare, por kanë nisur dhe procese gjyqësore.

Në Gjykatën Administrative të Tiranës deputetët e së ashtuquajturës “Opozitës së re” me në krye Myslim Murrizin dhe Artur Roshin kanë paditur institucionin e Parlamentit. Në padinë e tyre të dorëzuar në muajin maj, deputetët kërkojnë anulimin e vendimit të 4 prillit nga Kuvendi dhe dhënien e parave për pagën e plotë. Gjithashtu, ata kërkojnë nga Gjykata Administrative që Parlamenti t’u japë për këto muaj gjithçka u takon nga statusi i deputetit. Pra, përveç pagës së plotë kërkojnë edhe dietat, shpërblimet dhe shpenzimet për karburant, telefon dhe çdo gjë tjetër që u takon si ligjvënës të shtetit shqiptar. Paditësit nuk harrojnë që të theksojnë se pagesat i duan të hedhura dhe në librezën e kontributeve shoqërore duke pasur që sot hallin e pensionit politik.

Normalisht, deputetët e së ashtuquajturës “opozitë e re” po kërkojnë lekët e tyre dhe kanë drejtë të ankohen në Gjykatën Administrative dhe nëse kjo e fundit nuk i bind me vendimin e saj, mund të shkojnë deri në Strazburg. Ligjërisht mund të kenë të drejtë, por në rastin e tyre ka një problem etik dhe moral jo të vogël. Vendimi për pagat nuk ishte vetëm për Kuvendin, por për gjithë administratën. Derisa edhe një punonjës i thjeshtë i administratës shtetrore, si dhe policët që rrijnë 24 orë në shërbim, kanë dhënë nga pagat e tyre modeste për pandeminë, është absurde që deputetët që e kanë në maj të gjuhës shprehjen “po punojmë për Shqipërinë”, nuk pranojnë të japin një pjesë të pagës për njerëzit në nevojë.

Në mars, prill dhe maj parlamenti ishte thuajse pushim. Vetëm pak komisione bënë mbledhje online dhe shumica e deputetëve flisnin nga lokali, makina, kuzhina apo dhoma e gjumit. Ndërkohë shumica e mbledhjeve nuk u zhvilluan ose u zhvilluan vetëm me deputetët e Partisë Socialiste. Praktikisht këto tre muaj nuk pati Parlament dhe deputetët paditës po kërkojë të paguhen për një punë që realisht nuk e kanë bërë.

Padia ndaj Kuvendit është një çështje serioze dhe më shumë se lekët e gjysmë pagës së deputellëkut tregon për klimën që ekziston sot në mazhorancë. Praktikisht Kuvendi është vetëm i PS dhe gjithë këta që quhen “opozitë” janë shtojcë e mazhorancës socialiste. Këtë e kanë treguar jo me fjalë, por me vepra duke votuar rregullisht ligjet që i duhen Edi Ramën. Sesioni i fundit parlamentar u mbyll me votimin e turpshëm të ndryshimeve në Kushtetutë. Këta deputetë që sot bërtasin për rrogën në gjykata, nuk kanë ngritur kurrë zërin në Kuvend kur votohen koncesione që u marrin lekët shqiptarëve. Nuk kanë folur as kur qeveria rrit borxhin publik dhe vjedh taksat e qytetarëve. Përkundrazi me votën e tyre e mbajtën në këmbë qeverinë më problematike që ka pasur Shqipëri në këto 30 vite.

Padia e tyre në gjykatë, ndonëse mbetet një e drejtë e tyre civile, por nga ana politike i bën ata pa pikë ndërgjegje dhe solidariteti me njerëzit në nevojë. Në fakt me këtë gjest kanë treguar se ata janë në të vertëtë e jo ata që shtiren në televizione!

Mili Xhani

Lajme te ngjashme