Home Aktualitet Sari Salltiku, faltorja e bekuar dhe e plotëfuqishëme e Kombit Shqiptar, si observator i Nasas që vëzhgon qiellin e galaktikat e pafundme të universit

Sari Salltiku, faltorja e bekuar dhe e plotëfuqishëme e Kombit Shqiptar, si observator i Nasas që vëzhgon qiellin e galaktikat e pafundme të universit

nga Editor

NGA AZGAN HAKLAJ

Nuk di të ketë Komb tjetër që të ketë fatin qiellorë për të patur në trojet e veta amtare tempuj me fuqi çudibërëse siç kanë shqiptarët.
Qysh në prehistori e në kohën pellazgjike, në agimin e qytetërimit e të lindjes së besimit Dodona Pellazgjike me orakullin e saj që fliste me gjuhën e Zotit ishte vendi më i adhuruar i botës së lashtë.
Janë të famshëm ndërkaq tempujt ku adhuroheshin perenditë ilire, gjurmët e të cilave kanë arritur deri në ditët tona.
Shqiptarët janë një nga tre kombet themelues të Krishtërimit dhe janë ungjillizuar nga vetë gjeniu i besimit të ri Shen Pali.
Apostuj të tillë ishin edhe misionarët bektashianë, dishepuj të Haxhi Bektash Veliut, të cilët zgjodhën tokën e bekuar arbërore për misionin e tyre mistik dhe hyjnorë.
Sari Salltiku është një deshmi e gjallë dhe autentike që na deshmon se Providenca Hyjnore ka dashur që pikërisht në trojet tona të shpalosë forcën e besimit dhe plotëfuqinë e krijuesit të gjithësisë.
Në rast se portugezët krenohen me Zonjën Fatime, Kishën Katolike më të madhe të botës e misteret e saj, francezët me Zojën Lurde, apo së fundmi boshnjakët me Zojën Mexhdugore shqiptarët kanë një duzinë tempujsh e vendesh të shenjta me fuqi çudibërëse, të cilat janë garancia e ekzistencës dhe e pavdekshmërisë së Kombit Shqiptar nëpër dallgët e historisë.
Sari Salltiku, ashtu si Zoja e Shkodrës, Kishat e Laçit dhe Deçanit, Baba Tomori, ka shekuj që adhurohet nga të parët tanë në Shkelzen, në Pashtrik dhe në Krujë.
Bektashizmi në trojet tona është promovuar si besim i paqes e dashurisë, sepse misionarët e tij të mëdhenj që u vendosën në viset tona i rrezatuan dhe i lartësuan me shembullin e jetës së tyre këto vlera hyjnore.
Beteja historike e Qerbelasë, e para dhe e fundit në historinë e njerëzimit për të mbrojtur parimet autentike të besimit dhe renia heroike e Imam Hasanit dhe Imam Hysenit, renia tragjike e Abaz Aliut u dhanë kurajo dhe shpresë miliona njerëzve, për të mos u nështruar përballë tiranisë së pushtetit dhe për të ruajtur të pastër e të padhunueshëm Librin e fundit Hyjnor Kuranin madhështor.
Duke folur për vitet e vështira të mesjetës e rolin madhor të shenjtorëve bektashinjë, të cilët u identifikuan me këtë tokë, me fatin e njerëzit e saj, Poeti i madh Naim Frashëri shkruante:
“Abaz Aliu zu Tomor
Erdhi pranë nesh
Shqipëria s’mbeti e gjorë
Se Zoti e desh”.
I vendosur në majë të Malit të Krujës, sipër Kalasë legjendare të Gjergj Kastriotit Sari Salltiku duket si një observator i Nasas që vëzhgon qiellin dhe galaktikat e pafundme të universit.
E ndërsa po të futesh në shpallën mistike të duket sikur nga shkallët e gurta do të udhëtosh drejt qendrës së tokës.
Dy mrekullitë e para që takon besimtari janë fenomene natyrore, të cilat logjika shkencore e ka të vështirë t’i spjegojë
E para është ndryshimi i jashtëzakonshëm i temperaturës.
Jashtë mund të jetë 40- 42 gradë, ndërkohë që në brendësi të shpellës ndihesh si në frigorifer, e po ta prekësh shkëmbin të duket se po prek një mur akulli.
Brenda shpellës është një burim i kristaltë e i ftohtë që buron nga shkëmbi e nuk shterron, as në vapën përvëluese të verës.
Si ka mundësi që uji të sfidojë ligjet e gravitetit, e të burojë në kotën më të lartë malit shkembor të Krujës.
Kjo është mrekullia e këtij vendi të shenjtë, fuqia kolosale e Krijuesit.
E në këtë çast të kujtohen fjalët e profetit Abraham:
Si mund të lind unë fëmijë i tha e shoqja Sara?!
Zoti mund të bëjë fëmijë edhe nga gurët ia ktheu Profeti i madh.
E në fakt ashtu ndodhi Sara në moshën 90-të vjeçare lindi Isakun që Abrahami deshi ta flijonte për Zotin por në vend të djalit ishte një dash që e bëri kurban.
Kjo është mrekullia e Zotit.
Bektashizmi ka qenë besimi të cilin e mori Heroi Ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti në kohën kur udhëhiqte fushatat ngadhënjimtare ushtarake të perandorisë turke në Europë, Azi dhe Afrikë.
Bektashizmi u përhap ndër jeniçerët, të cilët ishin korpusi ushtarak elitë i sulltanit, ashtu si Legjoni i Nderit i Napoleon Bonapartit.
Ishin pikërisht jeniçerët trima që i vunë emrin Iskander (Aleksandër) Gjergjit të madh, i cili në krye të tyre vërsulej si shqiponja mbi armiqtë.
Strategjisë së tij gjeniale për të sulmuar armikun me pak forca elitë, e për ta çarë ushtrinë armike në dy pjesë i bën jehonë Naimi Ynë kur shprehet me vargjet lapidare të mëposhtme:
“Dhe nuk merrte të t’jerë
Të shumtit në vend i linte
Vetëm 40- jeniçerë
Dhe si rrufeja binte”.
Sulltan Murati i dytë kur rrethoj Krujën nuk e mendonte se përveç Gjergj Kastriotit, Vrana Kontit e mbrojtësve heroikë të Krujës në majë të malit të saj kishte një kala, të cilën nuk mund ta pushtonte kurrë asnjë ushtri e botës e ky ishte Sari Salltiku.
Nuk është rastësi që Heroi Ynë Kombëtar betejën e fundit të jetës së tij e bëri për çlirimin e Malit të Krujës të pushtuar nga Ballabani.
Ai u ngjit si Ante në Malin e Shenjtë dhe e shfarosi ushtrinë turke.
Shqiponja e Arbërit u shlodh pak e vështroj panoramën mahnitëse që ju shfaq në horizont, pa e ditur se ky ishte fluturimi i tij i fundit drejt qiellit, të lavdisë së përjetëshme.
Sari Salltiku faltorja legjendare deshmon fuqinë e një besimi, i cili është identifikuar përjetësisht me tokën e shqiponjave e më Flamurin Kuqezi, atë flamur të bekuar nga dora e Gjergj Kastriotit, Naim Frashërit, Ismail Qemalit, Aqif Pashë Elbasanit, Sheh Karbunarës, Baba Faja Martaneshit, Dede Reshat Bardhit, Baba Selim Kaliçanit, Kryegjyshit Botërorë Baba Edmond Brahimajt, e personalitete të shquara që dolën brez pas brezi, nga gjiri i komunitetit bektashian, këtij komuniteti të lavdishëm, i cili i dha aq shumë Atdheut, lirisë së tij, kulturës e Gjuhës Amtare.
Çdo njeri që viziton Krujën e ndalon pak çaste në kreshtën e malit të saj në Shenjtoren Kombëtare të Sari Salltikut e kupton e bëhet i ndërgjegjshëm se shqiptarët e kanë bekim nga Zoti prezencën e komunitetit bektashian dhe misionarët e tij.

Lajme te ngjashme