Home Aktualitet Telefonatat e Edi Ramës me Lukashenkon

Telefonatat e Edi Ramës me Lukashenkon

nga Editor

Nga Ilir Levonja –
Në kohën që Edi Rama përpiqej të lidhej me Llukashenkon, me që Shqipëria ka kryesimin e radhës së OSBE, presidenti bjellorus po u shpërndante medalje nderi policëve besnikë. Burgjet ishin mbushur, të rrahur sa të duash, madje edhe dy a tre kishin ndërruar jetë.

Çfarë në fakt kërkon Edi Rama t’i ofroj Llukashenkos, përvojën shqiptare apo atë të OSBE-s? Kjo është një pyetje naive për faktin se OSBE, një grupim ndërqeveritar, ka për qëllim të gjendet në krizat brenda grupit, sidomos aty ku mungon dialogu, zgjedhjet e lira, liria e fjalës dhe të drejtat e njeriut. Pasi vet Shqipëria ka qenë një vend problematik për sa u përket këtyre kritereve, për më tepër kur parimi bazë i ekzistencës OSBE është vendim marrja me konsensus të gjerë. Jo më larg se disa javë, në 30 korrik 2020 Shqipëria ndryshoi Kushtetutën e vendit me veto dhe pa konsensus. Jo më larg se një vit mbajti zgjedhje moniste, pa faktorin alternativë a opozitën, duke shpallur një rezultat alla Llukashenko. Eshtë pyetje naive për çdo pikë të ekzistencës së OSBE-s në lidhje me demokracinë në vendin tonë, pasi shqiptarët kurrë nuk e pranuan dot vetë rolin e saj.

Jo vetëm të OSBE-s por edhe të plot institucioneve ndërkombëtare. Dhe ajo që është më thelbësorja, hapjen e krahut a rrotacionin politik. Ndofta mund të jetë rasti kur OSBE shikon me sytë e vetë firot e institucionit. Ose atë se si hajduti mund të ndihmoj hajdutin, se si one man show drejton, sundon, pret e vret në emër të demokracisë. Nëse sot do të ofrohej ndihma e OSBE-s bjellorusëve prej çdo vendi tjetër të rajonit tonë, Shqipëria nuk e meriton. Fare mirë mund të ishte edhe Maqedonia, madje me zgjedhjet e fundit dha një shembull të përkryer të pushtetit me qytetarin. Dhe mos të na vij hidhur fare, madje mund të jetë shumë herë përpara nesh brenda komunitetit europian. Mund të ishte edhe Kosova jonë, një model tjetër i përkryer i rotacionit dhe konsensusit, i pranimit dhe dialogut. Por asesi Shqipëria e Edi Ramës. Kjo edhe për një fakt të thjeshtë, Edi Rama ka 22 vjet në pushtet, Llukashenko 26. Edi Rama restauron shtëpinë me gjethe, kurse Llukashenko lyen me gëlqere pemët me brigada vullnetare. A ja hapi telefonin në fund Llukashenko Edi Ramës, sigurisht që po. I dha ftesën për ceremoninë e radhës, triumfin e diktatorit.

Lajme te ngjashme