Home Aktualitet Maqedonia i afrohet BE, kurse Edi Rama drejt Bjellorusisë

Maqedonia i afrohet BE, kurse Edi Rama drejt Bjellorusisë

nga Editor

Në Maqedoninë e Veriut fituesi i zgjedhjeve Zoran Zaev njoftoi dje krijimin e koalicionit qeverisës me partinë shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim të drejtuar nga Ali Ahmeti. Marrëveshja e re mes partisë kryesore maqedonase dhe asaj shqiptare përcakton për herë të parë vendosjen e një kryeministri shqiptar, 100 ditët e fundit të mandatit 4 vjeçar, si dhe poste të tjera duke lënë hapur mundësinë edhe për Ministrinë e Jashtme. Posti i kryeministrit shqiptar, realisht më shumë ngjan me atë të një “kryeministri honorifik” që do të drejtojë qeverinë kur vendi të jetë në fushatë dhe nuk merr dot asnjë vendim të rëndësishëm. Ali Ahmeti premtoi gjatë fushatës elektorale për një kryeministër shqiptar me mandat të plotë, megjithatë edhe një kryetar qeverie “teknik” me kombësi shqiptare është një hap jo vogël për Maqedoninë e Veriut. Më në fund u thye një tabu që i shihte shqiptarët vetëm si pjesë mbështetëse e qeverive maqedonase dhe asnjëherë si drejtues të pushtetit, në vendin ku ata shqiptarët nuk janë pakicë, por faktor shtetformues.

Vendimi për krijimin e qeverisë së re në Maqedoninë e Veriut nuk i zgjidhë problemet e shumta që kanë shqiptarët, por është një hap që i jep shtetit maqedonas kredenciale të forta për çeljen e negociatave dhe integrimin në BE. Maqedonia e Veriut bëri zgjedhje pa probleme, krijon koalicionin qeverisës dhe rikthen normalitetin politik duke u marrë me çështjet që lidhen pandeminë dhe ekonominë. Nga Tiranë të parët që e përgëzuan marrëveshjen ishin kryeministri Edi Rama dhe ministrat e kabinetit të tij, të cilët më të drejtë nuk i kursyen lëvdatat për arritjen e vendit fqinj. Shumë mirë që në Shqipëri i vlerësojnë arritjet e Maqedonisë së Veriut, por pse qeveria nuk bën as çerekun e asaj që ka bë bërë politika në Shkup gjatë këtyre viteve. Zgjedhjet e parakohshme në Maqedoni u kërkuan nga kryeministri Zoran Zaev pas refuzimit të BE për hapjen e negociatave. Në tetor të vitit 2019, BE vendosi që Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të mos hapeshin negociatat. Në qëndrimet e shumicës së diplomatëve të huaj, rezulton se Shkupi u penalizua për shkak të Tiranës. Ndaj qeverisë së Edi Ramës kishte rezerva Holanda, Franca, Danimarka dhe Gjermania, kurse për qeverinë e Zaev nuk kishte kritika nga askush. Në fund u vendos që procesi të shtyhej për të dyja, për të mos krijuar ndarje në procesin e zgjerimit në rajon. Pas këtij vendimi, Zaev mori përgjegjësi politike si kryeministër dhe kërkoi zgjedhjet e parakohshme. Ndërsa Edi Rama me qeverinë e tij edhe pse ishte përgjegjësi kryesor për dështimin e negociatave, fajësoi BE dhe vijoi i qetë të qeveriste pa pyetur për kushtet dhe integrimin.

Maqedonia brenda pak muajsh zgjidhi problemet që kanë të bëjnë me politikën e brendshme dhe kaloi testin e zgjedhjeve normale, që për vendet në proces integrimi mbetet një gjithmonë një kusht i Brukselit. Që nga muaji tetor, Edi Rama vetëm sa ka përkeqësuar krizën politike. Nëse BE kishte vetëm 3 kushtet ndaj Tiranës sot ka 15 të tilla të miratuara dhe nga Parlamenti Europian. Për standarde të zgjedhjeve as që bëhet fjalë. Maqedonia mbyll zgjedhjet për pak ditë dhe krijon qeverinë, ne ende nuk kemi zgjidhur çështjen e mandateve të vjedhura në vitin 2017. Dosjet nuk janë hetuar, përgjimet flenë në prokuroi dhe asnjë gjykatë nuk e prek me dorë çështjen e grabitjes së votave. Jo vetëm nuk flitet për zgjedhje të parakohshme, por me ndryshimet e njëanshme në Kushtetutë dhe arnimet në Kodin Zgjedhor, Rilindja ka gati skemën e vjedhjes së zgjedhjeve të radhës, më prill të vitit 2021.

Kupola e rilindjes dje përgëzoi Maqedoninë e Veriut. Shteti me histori më pak se 30 vjeçare me reformat, zhvillimin ekonomik dhe arritjen e konsensusit politik me meritë po i afrohet Bashkimit Europian. Ndërsa Shqipëria, me keqqeverisjen dhe kolapsin ekonomik vetëm po bën hapa pas. Modeli i shtetit shqiptar këto 8 vite, me zgjedhje të vjedhura dhe korrupsion galopant, po i ngjan gjithnjë e më shumë regjimeve si ai i Bjellorusisë. Miku i kryeministrit  Ramës, Zoran Zaev pas marrjes së qeverisë i ka rrugët të hapura në Bruksel. Edi Rama me qeverisjen që ndërtoi në Shqipëri të vetmen rrugë që i ka hapur vendit është ajo e modelit të Bjellorusisë. Ironikisht, si drejtues i OSBE kryeministri ynë ka marrë përsipër dhe zgjidhjen e krizës së rëndë në Bjellorusi mes qeverisë dhe opozitës për vjedhjen e votave. Duket se vetëm një kryeministër që është akuzuar për vjedhje votash dhe pushtet ilegjitim mund t’ja zgjidhë hallin presidentit bjellorus Aleksandër Llukashenko./M. Xhani/

Lajme te ngjashme