Home Aktualitet Teliti: Qeveria nuk “zhgënjen” asnjë ditë, jep 890 mijë euro për inceneratorin e Tiranës

Teliti: Qeveria nuk “zhgënjen” asnjë ditë, jep 890 mijë euro për inceneratorin e Tiranës

nga Editor

Eksperti i Ekonomisë pranë PD-së njëherësh dhe këshilltar për ekonominë i kryedemokratit Lulzim Basha, Dorian Teliti deklaron se Qeveria “Rama” nuk e “zhgënjen” atë asnjë ditë me veprimet e saj.

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Teliti thekson se me tërmet, apo pa tërmet, me Covid apo pa Covid, trajtimi preferencial i qeverisë ndaj miqve të saj nuk ndryshon asnjëherë, duke denoncuar se vetëm të enjten qeveria ka paguar 890 mijë euro për inceneratorin e Tiranës, një koncesion i dyshimtë ky i dhënë nga qeveria.

Teliti shprehet se gjatë 5 muajve të pandemisë (nga 10 marsi e deri më sot), ky koncesionar, mik i ngushtë i qeverisë, ka marrë nga taksat tona plot 3.9 milionë euro.

“Para ka, por keqpërdoren. Para ka, por ndahen me miqtë e me oligarkët. Para ka, por jemi të vjedhur. Qeveria nuk “zhgënjen” asnjë ditë. Me tërmet, apo pa tërmet, me Covid apo pa Covid, trajtimi preferencial ndaj miqve nuk ndryshon asnjëherë. Vetëm dje, inceneratori i Tiranës ka marrë pagesën e radhës nga Thesari i Shtetit. Vetëm dje janë paguar 890 mijë euro për këtë PPP. Gjatë 5 muajve të pandemisë (nga 10 marsi e deri më sot), ky koncesionar, mik i ngushtë i qeverisë, ka marrë nga taksat tona plot 3.9 milionë euro. E çfarë mund të bëhej me 3.9 milionë euro? Thjesht dy veprime, ose me këto para mund të paguheshin me pagën 40mijë lekëshe plot 12 mijë kryefamiljarë që kanë humbur vendin e punës, ose mund të bliheshin 260 respiratorë, aq të nevojshëm për t’i bërë ballë sfidës shëndetësore. Sjellje e turpshme e qeverisë. Morën 1 miliardë euro borxh gjatë pandemisë, ndërkohë që për ekonominë dhanë vetëm 100 milionë euro. Braktisën shëndetësinë, qytetarët në nevojë dhe bizneset për të financuar pa ndërprerje miqtë oligarkë. Boll më. Mjaft me grabitjen dhe varfërimin e shqiptarëve. Normaliteti, konkurrenca e lirë dhe e ndershme, vëmendja ndaj nevojtarëve dhe klimë pozitive për bizneset, mbështetje të ekonomisë dhe sektorëve të saj, janë sot kolonat kryesore të programit ekonomik të Partisë Demokratike dhe Opozitës së Bashkuar dhe në momentin që do të jemi në drejtim të punëve ato do të bëhen realitet”, deklaron eksperti i Ekonomisë pranë PD-së, Dorian Teliti.

Lajme te ngjashme