Home Aktualitet Shqipëria, trup i plakur dhe i sëmurë

Shqipëria, trup i plakur dhe i sëmurë

nga Albina Hoxhaj

Nga Gentian Çala

Ka disa vite që hemorragjia demografike e gërryen vendin, kryesisht ikin moshat e reja dhe ato të afta për punë, por tashmë kanë filluar të ikin shtresat e mesme dhe intelektualët. Vendi po plaket me ritme të frikshme nga ikjet dhe rënia e lindjeve. Shqipëria është e sëmurë, depresive, në shtrat dhe kjo është ndër situatat më të vështira që nga koha kur ekziston si shtet.

Vendin po e vret mungesa e shpresës, të gjithë e shohin ardhmërinë të zymtë në Shqipëri edhe tre dekada pas daljes prej errësirës së izolimit komunist. Vendi nuk po mundet të rigjejë ekulibrin, paqen sociale, prosperitetin. Vendi shkon nga kriza në krizë duke bërë shpesh në vendnumëro ose hapa pas. Kjo duket e lodhshme dhe natyrisht që i ka lodhur të gjithë.

Askush nuk do të pranonte të jetonte në një pallat të rrënuar, të gjithë do të mundoheshin na ndërtonin një strehë gjetkë. Kjo po i ndodh Shqipërisë, gjë të cilën disa e pranojnë, kurse disa e mohojnë. E mohojnë ata që qeverisin, sepse pushtetin po e përdorin për të plaçkitur dhe për tu pasuruar. Atyre nuk i intereson fati i vendit.

Sot është momenti të ndërgjegjësohemi, nesër mund të jetë vonë. Ky vend rrezikon shuajtjen, vdekjen e ngadaltë dhe zhbërjen. Dikush duhet ta shpëtojë. Ata që e duan, duhet të bëhen bashkë, të sjellin ndryshimin dhe të injektojnë optimizmin. Kurë tjetër nuk ka. Askush nuk mund të gënjehet më me lugën bosh të qeveritarëve pa skrupuj.

Më shumë se një shekull më parë ne ishim vendi i njerëzve që sakrifikonin gjithçka për të, kurse sot është kthyer në vendin e njerëzve që sakrifikojnë Shqipërinë për veten e tyre. Ky transformim duhet përmbysur. O sot, o kurrë!

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!