Home Aktualitet Jetë nate? Brikeni ta kthejë mëngjezore, Redi të bëjë koktejl paçesh

Jetë nate? Brikeni ta kthejë mëngjezore, Redi të bëjë koktejl paçesh

nga Editor

Nga Enkel Demi

Ogerta ka të drejtë, sepse Brikeni e teproi aq shumë me jetën e natën tek “N’mes”, sepse sipas Komitetit të Ekspertëve është një përhapës i zellshëm i virusit në facebook.

Edhe Redi që bën video duke therrur selinonë me shpatë e bëri baltë, meqë përzien pijet. Shoku Gramoz e ka thënë qysh herët, që kur pi raki mos e ngatërro me çaj mali.

Ndaj jam i lumtur që Ogerta u tregoi vendin edhe këtyre këngëtarëve dhe instrumentistëve që jetojnë me koncerte. Ata të kalojnë në sektorë të tjerë jetikë të ekonomisë. Fjala vjen ça e gjen Ton Dedën të nisë punë gomist ose Redoni stampist?

Por, mund të ketë dhe zgjidhje të tjera më novatore. Jetën e natës ta Rilindim në mëngjes.

Fjala vjen “N’mes” të shërbejë me muzikën e duhur tasqebap, pilaf, groshë, por edhe ndonjë gotë verë për tretje.

“Radio”, meqë merret me përzierje pijesh të bëjë koktejl paçe koke, me atë të plëncit, ndërsa goditja magjike ka me qenë paçja e këmbëve. Pak muzikë jazz ose blues dhe ja ku u zgjidh.

Më tej, të bëhet plani i koncerteve mëngjezore me njoftime të mëdha.

Sot në orën 05.30 të mëngjesit te Pushimi i Shoferit ka koncert live rock.

Në orën 06.00 të mëngjesit në Kombinat muzikë tallava me më të mirët.

Madje, dhe gocat striptease ta nisin punën që pa gdhirë. Ku është e keqja këtu? Deri dje e mbyllnin pa gdhirë, tani e nisin.

Edhe në familjet shqiptare do kthehen fëmijët në vartat e ngrohta.

– Mami, më fal, por po fle herët sot, se do dalim nesër me shokët në 04.10?

– Do shkoni në zhami moj bijë?

– Jo, do shkojmë për jetë mëngjesi.

Lajme te ngjashme