Home Aktualitet Heziton deputeti Fino, por në fund voton si kolegët

Heziton deputeti Fino, por në fund voton si kolegët

nga Editor

Bashkim Fino është socialisti i vetëm që ka artikuluar kërkesën për shkarkim të Presidentit Meta në raportin përfundimtar të Komisionit Hetimor të ngritur për këtë çështje.

“Presidenti ka shkelur me të dyja këmbët Kushtetutën, ndaj duhet të shkarkohet. Nuk e ngritëm komisionin për të analizuar sjelljen e Metës. Na ka quajtur grup kriminal, ndaj le të reflektojmë para se ta çojmë raportin përfundimtar në Parlament’, u shpreh Fino në mbledhjen online të Komisionit të Ligjeve ku po diskutohet raporti final i hartuar pas përfundimit të punimeve të Komisionit Hetimor.

Madje Fino nuk ka kursyer as ironitë ndaj grupit të tij parlamentar duke u shprehur: “Ndoshta duhet ti kërkojmë falje presidentit se e kemi bezdisur”.

Në komision foli dhe deputeti i opozitës Halit Valteri i cili kërkoi shkarkimin e Ilir Metës nga detyra e Presidentit të Republikës.

Menjëherë mbajti fjalën dhe deputeti Alket Hyseni i cili u shpreh se Komisioni Hetimor nuk është gjykatë dhe nuk mund të pezullohen zyrtarët në të tilla mënyra, sidomos pasi kemi arritur një stad të zhvilluar të demokracisë.

“I jemi referuar opinionit të Komisionit të Venecias”, u shpreh deputeti Hyseni.

Gjithashtu dhe deputeti Adriatik Alimadhi u shpreh se do të votojë pro raportit për mos shkarkimin e Ilir Metës, ndërsa duhet theksuar se në raportin final të Komisionit Hetimor maxhoranca nuk do e kërkojë shkarkimin e Presidentit Meta për cdekretimin e zgjedhjeve të 30 qershorit si dhe përplasjen me Kuvendin për emërimet në Gjykatën Kushtetuese.

Sipas konkluzioneve në raport shkeljet nga ana e Presidentit nuk janë aq të rënda sa të justifikojnë shkarkimin.

Partia Socialiste kërkoi nisjen e hetimit të veprimeve të presidentit Ilir Meta si dhe shkarkimin e tij për shkelje të Kushtetutës rreth 1 vit më parë kur ky i fundit çdekretoi mbajtjen e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019, pasi opozita refuzoi të merrte pjesë dhe po protestonte në përplasje të dhunshme me qeverina Rama disa muaj rresht pas dorëheqjes nga mandatet parlamentare.

Gjithashtu këtij komisioni iu shtua si objekt hetimi dhe zgjedhja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga ana e Presidentit e cila pasoi me përplasje të forta Presidencë-KED- Kuvend. Për të dy çështjet iu kërkua opinion Komisionit të Venecias.

Lajme te ngjashme