Home Aktualitet Samiti për “Lirinë e Iranit” – Mbahet konferenca më e madhe online në mbështetje të MEK

Samiti për “Lirinë e Iranit” – Mbahet konferenca më e madhe online në mbështetje të MEK

nga Editor

Iranianë dhe mbështetës të Rezistencës Iraniane, NCRI-së dhe MEK-ut kanë zhvilluar samitin më të madh online të organizuar ndonjëherë. Ky samit lidhi bashkë tubime të njëkohësishme në qytete madhore të Europës, në Shtetet e Bashkuara, Shqipëri, dhe Australi, me mbi 30,000 pika lidhjeje, dhe është grumbullimi më i madh i këtij lloji në mbështetje të një Irani të lirë.

Për shkak të pandemisë së COVID-19, “Samiti i përvitshëm për Lirinë e Iranit” i këtij viti u zhvillua në mënyrë virtuale. Por ai lidhi bashkë mbështetësit e një Irani të lirë nga mbi 100 shtete në 5 kontinente, duke përfshirë edhe Iranin dhe Ashraf 3 në Shqipëri, ku banojnë anëtarët e Organizatës Muxhahedine të Popullit të Iranit (PMOI/MEK).

Afërsisht 1,000 figura, politikanë, dhe parlamentarë të spikatur nga pesë kontinente morën pjesë në këtë tubim në solidaritet dhe mbështetje për përpjekjen e popullit iranian për liri. Mes folësve ishin Rudy Giuliani; Senatori Joe Lieberman; Michèle Alliot-Marie; Giulio Terzi; John Baird; Anna Fotyga; ish Ministra të Jashtëm të Francës, Italisë, Kanadasë, dhe Polonisë; ish Prokurori i Përgjithshëm i SHBA, Michael Mukasey; ish-ministrja franceze e të Drejtave Njerëzore, Rama Yade; Ambasadorët Robert Joseph, Lincoln Bloomfield, dhe Kenneth Blackwell; personalitete si Ingrid Betancourt, Linda Chavez, Pandeli Majko, Lulzim Basha, Sali Berisha dhe përfaqësues nga parlamentet europiane, gjermane, franceze dhe italiane.

Rreth 1,000 personalitete, duke përfshirë liderë politikë, parlamentarë, figura kulturore dhe fetare, morën pjesë në tubim, duke mbështetur thirrjen e popullit iranian për përmbysjen e diktaturës fetare dhe planin me 10 pika të Znj. Maryam Rajavi për Iranin e së ardhmes.

Folësja kryesore e eventit ishte Znj. Maryam Rajavi, Presidentja e zgjedhur e NCRI-së.

Duke iu referuar fillimit të gjykimit të diplomatit të regjimit klerikal dhe tre bashkëpunëtorëve të tij në Belgjikë për komplotin terrorist për të shpërthyer një bombë në tubimin iranian në Villepinte në qershor 2018, ajo tha: Për herë të parë, është zhvilluar një gjyq për një diplomat-terrorist në shërbim. Megjithatë, organizatorët e vërtetë, konkretisht Khamenei, Rouhani, Zarif, dhe Ministri i Inteligjencës Mahmoud Alavi, duhet gjithashtu të ndiqen penalisht. Kjo është e domosdoshme për të ndaluar terrorizmin e shfrenuar të mullahëve. Ajo u bëri thirrje të gjitha qeverive dhe komuniteteve ndërkombëtare që të mbajnë anën e popullit iranian në përballjen me rrezikun më të madh për paqen dhe sigurinë në botë.

Znj. Rajavi e nisi fjalimin e saj duke thënë: “Ky samit i jep jehonë zërit të Rezistencës 40-vjeçare të popullit iranian kundër diktaturës e fashizmit fetar dhe përpjekjes për liri e demokraci. Ky është zëri i rezistencës së organizuar më të madhe, më të gjatë, më të sofistikuar e më serioze në historinë e Iranit…Ky samit u jep jehonë thirrjeve për përmbysjen e regjimit klerikal në kryengritjet e njëpasnjëshme nga dhjetori 2017 dhe janari 2018 deri tek nëntori 2019 e janari 2020…Ky samit është zëri i Njësive të Rezistencës dhe qyteteve të rebeluara në mbarë Iranin, të cilat i kanë dhënë fund historisë së dëshpërimit, mosbesimit, dhe paaftësisë, dhe e kanë zëvendësuar atë me betimin që ‘ne mundemi dhe duhet’.”

Znj. Rajavi më pas theksoi tre betimet e mëdha të Rezistencës Iraniane duke thënë: “Jemi bërë bashkë për të nënvizuar tre angazhimet tona monumentale dhe historike të cilat betohemi se do t’i përmbushim.

Angazhimi ynë i parë është se ne, populli i Iranit dhe Rezistenca Iraniane, do ta përmbysim regjimin klerikal dhe do ta rifitojmë Iranin.

Angazhimi ynë i dytë është se ne, populli i Iranit dhe Rezistenca Iraniane, do të ndërtojmë një Iran të lirë e demokratik.

Dhe angazhimi ynë i tretë është të mbetemi besnikë ndaj sovranitetit dhe votës së popullit tonë; të mos kërkojmë pushtetin me çdo kusht, por të themelojmë lirinë dhe drejtësinë me çdo kusht; të mos kthehemi kurrë më tek diktaturat e Shahut e të mullahëve. Siç e kanë vënë në dukje shumica e ligjvënësve të zgjedhur në Europë e SHBA, ne duam të themelojmë një Iran demokratik, laik dhe jo-bërthamor.”

Znj. Rajavi shpjegoi se si kryengritjet e 2017-ës, 2018-ës dhe 2019-ës kanë vërtetuar se teokracia në pushtet është në një pozitë nga ku mund të përmbyset dhe rezistenca iraniane e njësitë e rezistencës të MEK kanë rolin kryesor. Ajo tha: “Këto kryengritje i kanë zënë mat apologjetët, mbrojtësit, grupet lobuese dhe operativët e paguar të regjimit iranian pasi i kanë diskredituar mashtrimet dhe gënjeshtrat e tyre.

Ata thoshin vazhdimisht se do të ishte e paimagjinueshme që populli i Iranit të ngrihej në revoltë për të përmbysur mullahët.

Ata thoshin vazhdimisht se nuk do të kishte asnjë ndryshim në Iran përveçse nga brenda vetë regjimit.

Dhe përsërisnin herë pas here pretendimet e rreme të mullahëve lidhur mungesën e mbështetjes popullore për MEK. Ata po kërkonin anëtarë të rinj e adoleshentë të MEK-ut dhe papritmas panë turma të rinjsh që përmbytnin rrugët e qyteteve iraniane. Ata e humbën durimin dhe arrestuan studentët elitarë e fitues të çmimeve [të cilët mbështesnin MEK-un].

Kjo shpjegon pse mullahët dhe turma e hetuesve e funksionarëve të tyre i kanë bombarduar me propagandë e represion Rezistencën dhe MEK-un. Ata e shohin veten në një gjendje ku mund të përmbysen dhe janë shumë të shqetësuar nga realiteti se këto kryengritje dhe këta të rinj rebelë kanë përqafuar programin dhe strategjinë e MEK.”

Ajo vazhdoi duke shtuar se mullahët nuk kanë asnjë zgjidhje, dhe tha: “Pas kryengritjeve në dhjetor 2017 dhe janar 2018, Massoud Rajavi tha: ‘Për ta frenuar këtë kryengritje, lideri suprem i mullahëve nuk ka mundësi tjetër përveçse të zgjidhë një numër problemesh ekonomike, shoqërore, politike dhe të sigurisë, rast në të cilin do të përgatiste terrenin për përmbysjen e vet.’

Kjo është pikërisht pika ku mullahët janë më të dobët. Nëse vazhdojnë të ndjekin rrugën dhe mënyrën e tyre aktuale të të vepruarit, konkretisht nëse vazhdojnë sjelljen luftarake, lëshimet e raketave, terrorizmin, frikësimin, dhe tkurrjen, është e pashmangshme që do të rrëzohen. Dhe nëse bëjnë hapa mbrapa, pra, nëse e ndryshojnë sjelljen dhe e braktisin shtypjen brutale, terrorizmin dhe sjelljen luftarake, atëherë do ta minojnë vetë ekzistencën e sundimit të velayat-e faqih (sundimit absolut klerikal)…Mullahët dhe Garda e tyre Revolucionare i kishin varur shpresat tek mbarimi i embargos së armëve më 18 tetor, siç parashikohej nga JCPOA. Për këtë arsye, vendimi i komunitetit ndërkombëtar për t’i rikthyer sanksionet ishte goditje dërrmuese për përfitimet që regjimi ka patur fatin të ketë nga JCPOA dhe politika e paqësimit. Para së gjithash, rikthimi i sanksioneve do ta shponte flluskën e jetëgjatësisë së regjimit dhe do të konfirmonte rrënimin e tij… Fjala e fundit është që mullahët nuk kanë zgjidhje dhe regjimi i tyre është i dënuar të rrëzohet në tërësinë e tij.”

Znj. Rajavi shtjelloi strategjinë e regjimit për shkaktimin e viktimave njerëzore në masë gjatë pandemisë së koronavirusit për të parandaluar kryengritjet popullore dhe rrezikun e përmbysjes, dhe e përmbylli fjalimin e saj duke thënë: “Jemi betuar ta përmbysim regjimin, ta rifitojmë Iranin dhe t’i rikthejmë të gjitha të drejtat e shkelura e të vjedhura të popullit të Iranit… Populli ynë duhet të gëzojë të drejtën për të patur shëndet, për të patur strehim, punë, organizim dhe sindikata, autonominë e minoriteteve etnike, të drejtën për pjesëmarrje të barabartë në menaxhimin e punëve të shoqërisë, barazinë gjinore, dhe sovranitetin popullor… I nxisim të gjitha qeveritë dhe organet ndërkombëtare që të mbajnë anën e popullit të Iranit në këtë përballje historike me rrezikun më të madh për paqen dhe sigurinë e botës… Rezoluta e miratuar kohët e fundit nga shumica në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA ofron një model të besueshëm që mund ta ndjekin të gjitha qeveritë dhe komuniteti ndërkombëtar për sa i përket Iranit dhe popullit iranian…”

Z. Berisha, një nga folësit e spikatur të këtij eventi, tha:

“Është një nder dhe privilegj i veçantë për mua të përshëndes Znj. Presidente Rajavi dhe të gjithë liderët e Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit, anëtarët dhe mbështetësit e lëvizjes suaj të fortë për një Iran të Lirë, të gjithë ata që marrin pjesë në këtë event nga dhjetëra vende të botës dhe i uroj Samitit Global për “Lirinë e Iranit” sukses të plotë në punën e tij….

Jam krenar që mbështes lëvizjen tuaj dhe që Shqipëria është sot shtëpia juaj e dytë, dhe e kam vlerësuar dëbimin e ambasadorit iranian nga Tirana, por këputja e plotë e lidhjeve diplomatike me regjimin e mullahëve mendoj se do të ishte përgjigjja më e duhur ndaj akteve të planifikuara terroriste kundër jush që jetoni këtu në besën e kombit shqiptar.”

Një tjetër folës i spikatur ishte Z. Pandeli Majko, ish-Kryeministër i Shqipërisë, i cili tha:

“Të dashur miq dhe Zonja Rajavi,

Sot qëndroj para jush jo vetëm si shqiptar, por ju flas edhe si mik.

Jam këtu për të folur në emër të gjithë atyre zërave që nuk mund të dëgjohen, nëna, bija, etër, bij dhe familje shqiptare. Dua t’i them Kampit Ashraf në Shqipëri; ju jeni pjesë e familjes sonë. Ju jeni në besën tonë. Muxhahedinët janë flamuri i së ardhmes së lirisë në vendin e tyre.”

Z. Basha, kryetar i Partisë Demokratike shqiptare, tha në fjalimin e tij:

“Është një nder të flas në këtë event në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Gjithmonë, qoftë në qeverisje apo në opozitë, ne kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi të përkushtuar ndaj solidaritetit me aspiratat e popullit iranian për liri, demokraci dhe respekt për të drejtat dhe liritë themelore…

Pozicioni ynë është i qartë, ne qëndrojmë fuqishëm kundër regjimit iranian nëse ai vazhdon t’i rikthehet praktikave të paligjshme e terroriste në tokën tonë dhe të vazhdojë me eksportimin e fondamentalizmit në Shqipëri e në rajonin tonë.

Ne e mbështesim objektivin e popullit iranian për një republikë demokratike, laike, dhe jo-bërthamore të Iranit. Ne mbështesim dëshirën e popullit iranian për ndryshim dhe përgëzojmë planin me dhjetë pika të zonjës Rajavi për të ardhmen e Iranit.”

Lajme te ngjashme