“Zëri Amerikës” shkruan për Hashim Thaçin

Read Time:4 Minute, 2 Second

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se procesi i përballjes me drejtësinë nuk duhet të pengojë punët e mëdha që ka Kosova përpara saj.

Ai i bëri këto komente në një fjalim drejtuar opinionit lidhur me intervistimin e tij në Prokurorinë e Posaçme për Kosovën në Hagë, që trajton pretendimet për krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.

Ai u kthye të premten mbrëma në Kosovë pas katër ditësh të qëndrimit në Hagë. Prokuroria e Posaçme më 24 qershor publikoi njoftimin për ngritjen e akuzave ende të pakonfirmuara ndaj tij dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Kadri Veseli, si të dyshuar për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Presidenti Thaçi i cili për katër ditë rresht është intervistuar në Hagë, tha se ka kryer detyrimin tim qytetar dhe institucional për t’u paraqitur para prokurorëve në Dhomat e Specializuara në Hagë. Ai tha se ka respekt të plotë për procesin e zbardhjes, deri në fund, të së vërtetës dhe të rolit të tij në luftën çlirimtare për liri dhe pavarësi.

Ai tha se shkaqe etike dhe të kufizimeve ligjore nuk mund të jap hollësi, por “e para: siç e kam thënë edhe para se ta kapërceja pragun e gjykatës, historia e lavdishme e luftës çlirimtare dhe e shtetformimit të Kosovës së pavarur, demokratike dhe evropiane nuk mund të rishkruhet nga askush! Sot ju them me bindje se ky proces jo vetëm që nuk do ta rishkruajë këtë histori të shkruar me gjakun dhe sakrificën e një populli të tërë në luftën për liri, por përkundrazi, nga ky proces, cilado qoftë rrjedha dhe kohëzgjatja e tij, historia e lavdishme e rezistencës, mbijetesës dhe triumfit mbi një pushtues, që kërkoi të shfaroste popullin shqiptar të Kosovës nga faqja e dheut me fshesën e fashizmit etnik, do të bëhet njëherë e përgjithmonë e paprekshme nga askush!”.

Ai tha se ky proces i radhës është në vazhdën e “21 vjetëve të akuzave, shpifjeve e fabrikimeve mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe përpjekjeve të popullit të Kosovës për liri dhe shtet”. Por, sipas tij, ky proces do të vulosë njëherë e përgjithmonë rolin historik të UÇK-së si një rol i pazëvendësueshëm dhe i patjetërsueshëm për lirinë e fituar për të gjitha gjeneratat që do ta gëzojnë Kosovën si shtet të pavarur dhe demokratik.

Dhe e treta: unë që pata fatin dhe nderin të kem rol në luftën dhe në rrugën e pavarësisë e të shtetformimit të Kosovës, ndjehem sot edhe më i bindur, edhe më i vendosur sesa përpara këtij ballafaqimi për vlerën e madhe që ka mundimi dhe sakrifica personale për ta çuar deri në fund zbardhjen e kësaj historie 22 vjeçare. Një histori e mbushur me lëndime të shkaktuara nga akuzat kundër meje dhe kundër luftës sonë të përbashkët me SHBA-në, me NATO-n, me shtetet e Bashkimit Evropian dhe shtetet mike të tjera, për çlirimin e popullit të Kosovës nga diktatura fashiste e SllobodanMillosheviqit dhe e shtetit të Serbisë.

Presidenti Thaçi, bëri thirrje që siç për dialog politik të qytetëruar mes forcave politike.

Kosova është edhe vizion. Është edhe borxhi që ua kemi fëmijëve tanë dhe fëmijëve të fëmijëve tanë. Atyre që po rriten në këtë vend dhe atyre që do të lindin dhe jetojnë në këtë tokë që deshën të na e mohojnë, tokë të djegur dhe të përgjakur, ku ne të gjithë së bashku kemi detyrimin të ndërtojmë rrugën e bashkëjetesës demokratike dhe multietnike. Kështu e forcojmë demokracinë, rrisim mirëqenien dhe ndërtojmë urat e paqes së qëndrueshme mes vete dhe fqinjëve tanë. Kosova sot ka nevojë më shumë se kurrë për dialog të civilizuar mes forcave politike, për stabilitet institucional, për qeverisje të mirë dhe unitet qytetar e politik, veçanërisht në dialogun për njohjen e saj përfundimtare nga Serbia dhe nga krejt bota. Kosova sot duhet ta kultivojë shumëllojshmërinë e mendimit dhe të jetojë me debatin e shëndetshëm mes Qeverisë dhe opozitës. Por, njëkohësisht duhet t’i flasim botës me një zë dhe të zhvillojmë dialogun me Serbinë me një unitet shembullor çfarë e kishim në Rambuje, në Vjenë dhe në Bruksel”, tha presidenti Thaçi duke shprehur bindjen se “do të dal me çdo qelizë time të pastër si loti në fund të këtij rrugëtimi që vazhdon me ju dhe për ju”.

Akuzat e Prokurorisë së Posaçme i janë dorëzuar një gjykatësi të procedurës paraprake i cili duhet të vendosë për konfirmimin apo hedhjen poshtë të tyre.

Gjykata e Posaçme për Kosovën e njohur me emrin Dhomat e Specializuara u themelua më 2015 dhe vepron në bazë të ligjeve të Kosovës por me personel ndërkombëtar.

Pretendimet për krime lufte kundër pjesëtarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dolën në raportin e vitit 2011 të hartuar nga i dërguari i Këshillit të Evropës, Dick Martty, i cili ngriti dyshimet për përfshirjen e ish kryengritësve në vrasjen e civilëve serbë dhe kundërshtarëve politik shqiptarë.

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %
Previous post Krahasimi me vendet e rajonit, Shqipëria me paga më të vogla në çdo sektor
Next post Vendimi i Strasburgut, Ledio Bianku: Nuk mund të ndryshohet pragu elektoral pa lejuar koalicionet dhe pa gjykatë kushtetuese