Pemët e mëdha të gënjeshtrës nga fara e vogël e së vërtetës…

Read Time:17 Minute, 41 Second

Preç Zogaj

Kush flet për historinë gjithnjë është i sigurtë/

Të vdekurit s’do të ngrihen të dëshmojnë kundër tij

Çesllav Milosh

xxx

Nga “materiali”   i  Auron Tares me titullin “ Dritëhije në histori” dhe nëntitull “ Martin Camaj dhe Ernest Koliqi të pazbuluar”,  po veçoj dy episode në të cilët  është dendësuar  metodologjia e  pohimeve që ndjekin paragjykimin, e tendenciozitetit, e “pse”-ve të shumta  me destinacion fantazinë- sekush ta mendojë si ti vijë për mbarë- sikurse dhe qëllimi i autorit  për  përjashtimin  apo më saktë ripërjashtimin si të padenjë të  këtyre dy shkrimtarëve  dhe intelektualëve të shquar  të mërgatës antikomuniste  nga  sfera e nderimeve zyrtare  në  kohën  tonë.

Episodi i parë ka lidhje me Ernest Koliqin. Në vitin 1944,  i zhvendosur në Romë pas kapitullimit të Italisë fashiste, Koliqi  i shpëtoi  jetën  Petro Markos  që ishte arrestuar nga Gestapoja  gjermane dhe priste  në burgun e Regina Coelit  të pushkatohej bashkë me 355 civilë  italianë.

“Si mundi Ernest Koliqi të shpëtonte nxënësin e tij”? pyet Tare.  Dhe pastaj përgjigja, po me  pyetje dyshuese dhe në stilin  e lidhjeve të shkurtëra, që do ta bënin të rrotullohej në varr Petro Markon:  “ A mos ishte Koliqi  pjesë e rrjetit të ndërtuar nga oficeri nazist  Karl Hass  në Romë me urdhër të Gestapos”?

Asnjë  fjalë  për aktin frymëzues  të shpëtimin e jetës së tjetrit që  njerëzimi e  përfshin në rendin e sublimëve.  Përveçse një bashkatdhetari,  Koliqi i shpëton  jetën  një  poeti  të ri  që do të bëhet një prej shkrimtarëve më të mëdhenj të vendit. Asnjë  blatim  as për këtë.  Përkundrazi:  Tare  kërkon ta përdorë edhe këtë fakt për  të  treguar se Koliqi është  agjent i gjermanëve.

Në të  vërtetë,  akti i Koliqit që arriti ti  shpëtonte jetën Petro Markos mund të ishte një libër  i thellë  i  takimit të shpirtrave dhe mendjeve të kultivuara  përtej llogoreve, barrikadave dhe fateve personale.  Sikurse i  zotësisë  për t’ia dalë në një kontekst  lufte ku gjuetia e jetëve njerëzore është rutinë dhe statistikë. Vetë  jeta ka shkruar libra të mrekullueshëm për ketë temë. Ajo që mund të themi  me plot gojën për aktin e Koliqit është kjo: ai nuk ishte  fashist. Sikurse nuk  ishte nazist pater Anton Arapi, i cili  në cilësinë e anëtarit të  regjencës   shpëtoi  nga  ekzekutimi  një numër të konsiderueshëm    bashkatdhetarësh, listën e të cilëve avokati i tij  mbrojtës,  zoti Stringa,  e paraqiti  më kot para trupit gjykues.  Po të ishte  fashist Koliqi  e linte antifashistin Petro Marko të vritej. Po të ishte nazist  patër Anton Arapi i linte  në fatin e plumbave  dhe  prangave të shpëtuarit e tij. Mirë  para shtatëdhjetë vjetësh gjykata komuniste i hodhi  në kosh aktet humane të Shindlerit shqiptar, por as tani  kur ka rrjedhur kaq shumë ujë nën urën e kohës  nuk u njihen me ndjesë dhe zemër në dorë  këto akte?  Kam shkruar për poetin  Dritëro  Agolli,  që ndihmoi  të shkonin në shkollë të lartë  një numër jo të vogël letrarësh të rinj  që pengoheshin nga  kriteret biografike  të regjimit komunist . Esenca e njeriut në rrethanë të tilla del në pah përmes të mirave që ka bërë dhe nuk gjykohet dot për çfarë s’ka mundur të bëjë. Kjo vlen për “ fashistët”, “ nazistët”, komunistët” e me radhë. I vura  në thonjëza këto fjalë për arsye se etiketat ideologjike nuk kanë thënë dhe nuk  thonë diçka thelbësore  për natyrën  e mijëra shqiptarëve  të thjeshtë apo për figurën  e mjaft  intelektualëve të cilëve  u ra shorti  të jetonin  në regjime që nuk i zgjodhën vetë.  Nga kjo pikëpamje,  Ernest Koliqi  që shpëtoi Petro Markon  ishte një shqiptar solidar me sivëllanë e tij në rrezik, gjendur të dy  në një pështjellim  botëror  ku banorët e vendeve të vogla nuk kanë zë në kapitull dhe gjithë çfarë u mbetet në rrethanat ku i vendosin ngjarjet  është të ndjekin  lidhjet  e  racës  dhe atdheut  dhe të  ndihmojnë njëri tjetrin me sa kanë mundësi.  Kush nuk kupton  këtë s’ka për ta kuptuar kurrë  fatin dhe historinë e  intelektualëve shqiptarë nëpër kohë;  s’ka për ta kuptuar kurrë pse  në gjithë epistolarin e Fan Nolit, për shembull,  “buqet’  thirrja për ndihmë financiare,  dërguar miqve e të njohurve në të gjithë drejtimet.  Kush do t’i paguante kauzat e mëdha  kombëtare,  që nga ajo e pavarësisë, apo e alfabetit, apo e kishës autoqefale, apo e  antikomunizmit më vonë,   e me radhë  e me radhë?  Në vështrimin degresiv të ngjarjeve, që  të çon në  gabime të  tmerrshme, siç thotë   Rajmond Aron, del se kanë paguar edhe “armiqtë”,  statusi   i të cilëve ka  ndryshuar  në mënyrë   ciklike- sot armiq, nesër miq, pastaj prapë armiq, prapë miq-  nëpër  konjuktura të  caktuara  herë nga  elitat politike të  Shqipërisë  për interesat e tyre të pushtetit, herë  nga  zhvillimet botërore  ku dallgët  lëvizin njerëzit dhe jo njerëzit  dallgët. Sidomos  kur flitet për vende të vogla .  Si vend i vogël, Shqipëria  politike nuk prodhon  dot ideologji, modele dhe sisteme që ndiqen  nga të tjerët. Shqipëria   huazon dhe përshtat kurset e botës  dhe duhet thënë se për faj të elitave të saj politike në radhë të parë,  i përshtat  më keq se askush- e  kemi parë me komunizmin,  e shohim edhe sot me demokracinë.  Kjo specifikë duhet të vlejë   për të qenë më të hapur e më të gjerë tashmë  me  intelektualët që kanë bërë  zgjedhje që kanë  rezultuar të  gabuara  në raport me  drejtimin që kanë marrë dhe fundin që kanë patur  ideologjitë, regjimet,  zhvillimet  ndërkombëtare. Nuk duhet ngatërruar gabimi, iluzioni apo utopia  me tradhtinë. Mjaft intelektualë shqiptarë  brenda dhe jashtë vendit, sikurse vërsnikët e tyre  në vende të ndryshme të botës, kanë  zbatuar në jetën  e tyre një prej përgjigjeve  më të njohura  të listës së përgjigjeve  të pakta  që jepen për  pyetjen “ si të sillemi me tiraninë”. Kjo është  “forma  e pështatjes që nuk është kolaboracioni as tradhtia”, siç thotë  Adam Mihnik, “por një zgjedhje e qëndrueshme mbi bazën e asaj që është më e mundshmja për t’u realizuar  në rrethanat e robërisë”. Ky është ambiguiteti, heroik për disa syresh, që  i ka lejuar  të  shkruajnë veprat e tyre. Ernest Koliqi është para së gjithash vepra e tij cilësore, moderne;  shkrimtari është vepra e tij, aty është ai.  Shkrimtari nuk mund të jetë kurrë antipodi i veprës së tij. Ky pohim nuk  e merr aspak të mirëqenë  akuzën e Auron  Tares se  Ernest Koliqi ka qenë agjent i disa shërbimeve perëndimore. Përkundrazi, në materialin e  Tares  nuk i shoh askund  të provuara ato që ai pohon apo hamendëson  me  vargun e “pse”-ve. Dhe s’ka se si. Gjithë çfarë ka të bëjë me shërbimet  inteligjente  serioze mendoj se është  “ dënuar” të mbetet  opake, pra e  papërshtatshme për të ndërtuar narrativa sempliciste.  Një pyetje teorike: çfarë interesi do të kishte fjala vjen CIA,  shërbimi italian  apo  gjerman të dekonspirojë  për së vdekuri ish bashkëpunëtorë  të kualifikuar?  Shërbimet  inteligjente nga  natyra nuk janë transparente  me publikun. Me  përjashtim të rasteve shumë të përligjura,  ata nuk i dekonspirojnë individët dhe rrjetet që kanë ngritur vetë. Përndryshe do të  godisnin parimin  elementar mbi të cilin funksionojnë, që është sekreti, konfidenca,  pra do të shkatërroheshin.

xxx

Episodi i  dytë   lidhet me largimin e Martin  Camajt nga Beogradi në Romë   në vitin 1956. Autori  e konsideron  “mister” që biografët e Camajt nuk  kanë shkruar për motivet e këtij largimi. Këtë “mister” ai  mëton ta ndriçojë  me  pse-të dhe hipotezat e tij  që e  përudhin mendjen e lexuesit në  sferat e dyshimit  imagjinar, ku  dyshimi  konvertohet lehtësisht në bindje,  se Camaj po  shkon  në Romë  me mision nga UDB-ja Jugosllave, ose nga Sigurimi Shqiptar për t’u infiltruar  në radhët e  emigracionit shqiptar atje. “ A mos vallë Brezi i Kuq  dërgohej me mision të ri”?  verën në mënyrë retorike Tare. Ai nuk sjell asnjë fakt apo dokument  që të provojë qoftë edhe  tërthorazi këto hipoteza. Mirë nuk ka mundur t’i qëmtojë  në arkivat e  shërbimit jugosllav  duke qenë se nuk ka akses apo  nuk janë de klasifikuar, po këtë të Sigurimit  mund ta kishte ftilluar duke qenë se dosja e Camajt qenka de klasifikuar. Tare e di  se ndërsa  është arratisur në Jugosllavi,  Camaj i ka lënë  targën me kohë  Sigurimit dhe Rregjimit,  që ndërkohë e kanë  përfshirë në listën e armiqve  për të mos e hequr  deri në fund prej andej.   Por sepse i pëlqen  ta nisë, nga sot për atëherë,  në misione imagjinare  “Brezin e kuq”; sepse i pëlqen ta rëndojë Martin Camajn  e vdekur edhe  për një betejë që ai ka fituar, siç është ajo me Sigurimin!  A thua se ka një peng, a thua se një pseudonim i shënuar nga një operativ i harruar në provincat e Shqipërisë se dyzet e  pesës a  gjashtës  është një mikro çip që komandon  nga padukshmëria, sa të jetë gjallë,  veprimet e shkrimtarit!  Arsyetimi këtu na fut në sfera që nuk është vendi t’i trajtojmë. Por  ajo që  më çudit në këtë episod është  se vetë Tare, me ndershmëri  do të thosha,  në  vend të fakteve të munguara, sjell dy fakte konkrete që e sqarojnë   bindshëm  “ misterin” e  ikjes së Camajt nga Begradi në Romë. “Nëse japim kontekstin e  kohës” shkruan ai, “ mund të themi se koha e largimit të Camajt nga Beogradi përkon me momentin kur aktiviteti politik anti jugosllav pëson  ndryshim kursi. Është koha kur Nikita Hrushov kishte kërkuar që udhëheqja shqiptare të ndalonte propagandën  agresive  ndaj Jugosllavisë si pjesë e një pakti pajtues të ndërmarrë nga sovjetikët…Radio   Beogradi ul papritur  tonin  e propagandës  antishqiptare”. Camaj që ka punuar në këtë radio para “ normalizimit” ka dalë tepër si shumë  shqiptarë të tjerë antikomunistë në Jugosllavi. Tare publikon një letër të kësaj kohe  që Camaj ia dërgon një miku  në të cilën i shkruan:  “ Kam frikë se do më kthejnë në Shqipëri…prandaj nëse mendon  sado pak për mua, mundohu të më nxjerrësh prej  këtij vendi….Nëse nuk interesohesh për mua do të përfundoj keq”.

Frika e Camajt është reale. Viktimat e  “ normalizimeve” të  herëpashershme   të marrëdhënieve   mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë komuniste   kanë qenë rregullisht  të arratisurit nga Shqipëria në Jugosllavi  apo nga Jugosllavia në Shqipëri, shqiptarë të gjithë. Qeveritë respektive i kthenin si mish për top nga kishin ardhur duke ua çuar  dëm sakrificën me rrezik  vdekjeje  të arratisjes nga këndej- andej.  Ka  shqiptarë  që janë çmendur  nga këto pabesi mizore.

Nuk është nevoja të jesh dashamirës dhe i gjerë  me të vdekurit, që pasi ke lexuar letrën e lartpërmendur dhe të kesh njohuri  për viktimat e “normalizimeve “ Tiranë- Beograd, të përqafosh menjëherë  si arsye largimi  të Camajt nga Beogradi  atë  që përmend vetë ai.  Faktet qe vetë Tare e sjell e sqarojnë  “ misterin”. Megjithatë, ai nuk i merr parasysh. Kjo është çudia. Ai  ngulmon  se “arsyet e vërteta të mos jenë treguar në këtë letër”.  Arsyet e vërteta  janë në  pohimet  e tij retorike se është në mision si agjent i UDB-së. Dhe gjithçka vjen e bëhet  lëmsh  kur mësojnë   se letrën e cituar këtu e nxori nga Jugosllavia shërbimi sekret amerikan. Pra CIA u vu në shërbim të UDB-së!!!

xxx

Në materialin e tij Tare e  tregon që në krye motivimin që e frymëzoi  ti  hynte punës për të  lustruar figurat e Koliqit dhe Camajt.  Një  konferencë e   dy a tri viteve më parë  e ministrive të Kulturës së  Shqipërisë dhe Kosovës për veprën e  Koliqit dhe Camajt  i krijojnë  atij  përshtypjen se këta të dy  po promovohen   si “kalorës të munguar të letrave shqipe”. Ai provokohet nga kjo a thua se i dinte  më parë ato që ka hulumtuar përgjatë dy viteve për të kompiluar materialin kundër tyre.  Sido që të jetë, një gjë është e qartë. Qasja  e tij në tekstin “ Dritëhije në histori”  reflekton një botëkuptim lustratorësh, si ata për të cilët ka shkruar gjerë e gjatë  mendimtari dhe disidenti  i madh  polak, Adam Mihnik.  “Filozofia e lustratrorit është e thjeshtë”, shkruan Mihnik. “Më jepni njeriun pa di unë si gjej mënyrën për ta akuzuar. Lustratori e di se pothuajse askush, as ai vetë, nuk ka qenë i shenjtë në ato kohëra jo të shenjta”. “ Nga fara e vogël e së vërtetës ai  arrin të rrisë pemën e gënjeshtrës”.

Mihnik u ngrit si aksush tjetër  në mbrojtje të  themeluesve  të Solidarnosit dhe të ajkës  së inteligjencë polake  brenda  dhe jashtë  Polonisë,  përfshirë  poetin  nobelist Çesllav Milosh, i cili qe arratisur në Perëndim, në Francë  në fillim, pastaj në SHBA  dhe kur  erdhi demokracia  në Poloni   u sulmua nga lustratorët  e rinj që  e akuzuan si “tradhtar rrotullues”, “agjent ”,  e tjerë e tjerë,  dhe ai  duke folur për këto  akuzatorë me ballë  bakri  i shkroi njëherë një   të njohuri  fjalinë e famshme: “Në të vërtetë  është mjaft e ëmbël t’i takosh së shkuarës  nëqoftëse e tashmja është e shëmtuar si surrati i  tyre”. Kështu Miloshi, të cilin  e shkuara  në komunizëm e kishte lënë pa atdhe.

Përtej   gjithë çfarë mund të ketë  ndodhur me njërin e me tjetrin emigrant politik shqiptar në shtetet perëndimore gjatë luftës së ftohtë,  ajo që kërcet madje  të revolton  në  lustrimin e tyre,  sidomos  post mortum,   është injorimi   i verbër  apo harresa e qëllimtë e një  fakti, që duhej të ishte e të jetë kriter bazë i një qëndrimi  të drejtë, jo tendencioz:   regjimi komunist u mbylli dyert, u mohoi atdheun, shtëpitë dhe varret e të parëve dhe tani, pas shtatëdhjetë vjetësh u kërkojmë  llogari dhe  madje “u  çjerrim fytyrën”  përse nuk janë sjellë si engjëj në mërgimin e tyre. Nuk e mohoj: ka patur dhe ka tradhtarë . Tradhtia nënkupton të kesh qenë dhe të jesh i pranuar , i brendshëm.   Në parim nuk janë kurrë njëlloj ata që ranë në rrjetet e shërbimeve  të huaja  si të dëbuar  dhe si armiq të komunizmit me ata që  kanë përfunduar  në këto rrjeta si të  brendshëm apo si të privilegjuar  të regjimit.  Sidoqoftë  për askënd nuk mund të ketë gjykime në shenjën e grupit. Ajo çfarë e  ndan  shapin nga sheqeri në fund të fundit është  çfarë të këqijash  i kanë bërë këta njerëz Shqipërisë. Gjatë luftës së ftohtë dhe pas luftës së ftohtë deri në ditët tona. A kanë shërbyer në substancë lirinë, demokracinë, kohezionin dhe orietimin  perëndimor të vendit apo kanë  bërë të kundërtën.  Të tjerat janë muhabete kafenesh.

Kam një njohje me  Auron Taren, na ka qëlluar të diskutojmë në emisione dhe jashtë emisioneve për çështje të trashëgimisë  kulturore kryesisht.  Me sa e njoh, besoj se e ka patur  të mëvetësishëm motivimin  për të hulumtuar e shkruar materialin kundër Kolqit e Camajt.  Por ai duhet ta dijë se metodologjia që ka ndjekur,  qasja dhe qëllimi i tij “rimojnë” me një politikë  të ndjekur në  Shqipërinë postkomuniste që ka  synuar e synon  kalimin dora- dorës të barrës së përgjegjësisë së krimeve apo padrejtësive  të komunizmit  te shtresa që më së shumti i ka pësuar ato krime dhe  padrejtësi.  Siç kuptohet, fjala  është për  një përmbysje  monstruoze  të së vërtetës dhe historisë.  Në planin e jashtëm, pra  në atë që ka të bëjë  me emigrantët politikë, kjo politikë përudhet  të përputhë,  duke e lënë të nënkuptuar,  rezultatet  e lustracionit   “ demokratik” me  “tablotë sinoptike” të Enver Hoxhës që i shpallte armiq,  tradhtarë dhe të shitur të  borgjezia  të gjithë kundërshtarët   e tij dhe të komunizmit. Për rrjedhim t’i zbojë dhe t’i s’komunikojë sërish  nga jeta publike e vendit.

Në planin  e brendshëm, sado cinike të tingëllojë,  kjo politikë ka synuar dhe synon t’i japë avantazh  moral  të majtës ish komuniste. Këtë  mund ta shohim  në   formën e  modelimit të lozhës dhe arenës së re  si  dhe  vendosjes  së palëve në to.

Në lozhë, ata dhe dishendenca  biologjike dhe politike e atyre që kriminalizuan me ligj  fjalën e lirë, deri edhe  opinionin për cilësinë e bukës,  lëvizjen e lirë, librin, muzikën, pikturën e autorëve të ndaluar, liritë dhe të drejtat njerëzore   e tjerë  e tjerë  e tjerë- lista është shumë e gjatë.

Në lozhë për të  shijuar  grindjen  që kanë provokuar në arenë,  luftën brenda llojit të palës që i ka pësuar këto  krime, por që lozha  bën çmos t’u ndryshojë kahun sikur i kanë bërë vetë, pra ia kanë bërë njërit tjetrit.

Në përparimin hap pas hapi  përgjatë shumë viteve kjo politikë  me kosto elektorale për partinë demokratike ka prodhuar ngjarje që do t’i   linin pa mend mjeshtrit e humorit të zi. Po  mjaftohem të sjell  një episod që flet më shumë  se qindra fjalë.  Një deputet i  Rilindjes me prejardhje nga një familje e nomenklaturës së lartë komuniste i drejtohet  një kolegu me prejardhje nga një familje e persekutuar ku i thotë tekstualisht: Po ta fal kësaj radhe, por radhën tjetër nuk ta fal!

“Nganjëherë i falim viktimat tona” është kuptimi lugubër i  kësaj “ tolerance”.

Ngjashëm,  një përdhunues apo një grup përdhunuesish me uniformë të ish trupave të Milosheviçit mund tua thonë këto fjalë  vajzave shqiptare të përdhunuara  kur i kishin  robina të armëve, duke shkelur në ndjenjën e turpit të këtyre  vajzave  për të mos u marrë vesh ajo që u ka ndodhur.

Për tu kthyer te Koliqi dhe Camaj, do t’i rekomandoja Auron  Tares dhe çdo të interesuari të marrë e te lexoje me vëmendje artikullin e  mjeshtrit Adam Mihnik me titullin  “ Plaga në ballin e Adam Mickieviçit”,  botuar në librin e tij të përkthyer në shqip “ Në kërkim  të sensit të humbur”.   Aty do të gjejnë modelin e një deontologjie  të kuptimit  dhe  jotendeciozitet  në trajtimin e  një teme komplekse  siç është sjellja e shkrimtarit dhe   intelektualit  në përgjithësi  në raport me tiranin dhe tiraninë.  Do të mësojnë sërish se shkrimtarët  dhe artistët janë mbi të gjitha  vepra krijuese që kanë nxjerrë nga duart,  ndërsa  incidentet e fatit në jetën e tyre, të diktuara nga rrethanat,  janë “tamam sikur në një çast të vetëm bie në pellgaçe që me tej të vazhdosh të ecësh në të thatë”. Me ketë kuptim, Adam Mickieviçi, poeti kombëtar i Polonisë, i përshëndet  brezat nga lartësia qiellore ku shkëlqen fytyra  e tij në bronc. /Gazeta Liberale

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %
Previous post 2016 – PIKËRISHT KUR SHOQATAT E SOROS DREJTUAR NGA Z.LU DHE MBUSHUR ME “RILINDAS” PO “PROTESTONIN” SE I DIGJEJ BARKU PËR KËTË PALO REFORMËN NË DREJTËSI.
Next post Fotot/ Të paprekshmit e Edi Ramës mbjellin Shqipërinë me kanabis nga Veriu në jug. Asnjë bos droge i arrestuar.