Home Aktualitet Bota dhe Europa me shumë se kurrë kanë nevojë për rikthimin e statistëve

Bota dhe Europa me shumë se kurrë kanë nevojë për rikthimin e statistëve

nga Sonila Osmanaj

Deri tani kemi bërë solidaritet për mjekët e dhe infermierët, të cilët në kushte të vështira po bëjnë detyrën e tyre me dinjitet.
Ata po bëjnë betejë për jetën jo për tu shërbyer sistemeve politike që ua kanë vështirësuar ushtrimin e profesionit për shkak të mungesës së investimeve të vazhdueshme dhe kushteve spitalore që në shumicën e rasteve lënë për të dëshiruar, por e bëjnë për humanizmin që i karakterizon profesioni.
Nuk kanë munguar rastet, kur mjekët edhe pse në linjë të parë me përballjen me virusin, kanë pasur mungesa të instrumenteve mbrojtëse e megjithatë politikanët majtas e djathtas nuk kanë pushuar gjithë kohës me deklarata e me reagime për të gjetur ashtu si mjekët, fajtorin e padukshëm. Në dallim me mjekët që virusi është realisht mjek i padukshëm, tek politikanët është e thjeshtë dhe shumë i dukshëm armiku, janë të gjithë ata që kanë abuzuar ose kanë gabuar në lidhje me reformimin e sistemit shëndetësor.
Politikanët shqiptarë e mes tyre edhe ish ministrat e shëndetësisë janë të vetmit në Europë që nuk besojnë në sistemin shëndetësor të ngritur e menaxhuar pikërisht prej tyre, sepse për probleme shëndetësore ju drejtohen spitaleve të vendeve të tjera të Botës. Me këtë sjellje ata na kanë treguar qartë se çfarë besimi duhet të kemi tek sistemi shëndetësor që na e kanë bërë pershqes në këto vite të pafundme tranzicioni. Për shkak të sjelljes korruptive e keq menaxhimit të sistemit shëndetësor nga politikanët, padrejtësisht kemi urryer e sulmuar edhe bluzat e bardha. Në fakt ata edhe pse në kushte të vështira e me rroga qesharake kanë dhënë më shumë se maksimimun e tyre profesional në shërbim të jetës.
Mjekët shqiptarë nuk janë vetëm sot heronj, por kanë 30 vjet që janë heronj. Ata kanë përjetuar trazirat e 90, luftën e 97, 98, korrupsionet e vazhdueshme dhe mungesën e investimeve në instrumente, struktura deri në ditët e sotme. Ambulancat e Shqipërisë ngjajnë me furgonat e Kamëz dikur, nuk kanë asgjë brenda, janë vetëm mjete transporti. Mirë që na fali në kohë emergjencë Erdogan disa ambulanca me standardet e kërkuara.
Mjekët si heronj të jetës po bëjnë maksimumin e me siguri do e kalojmë edhe këtë provë të madhe të njerëzimit. Megjithatë, po afrojmë në fazën tjetër shumë të rëndësishme, atë të krizës ekonomike.
Atëherë këtë krizë ekonomike do e përballojmë përsëri me këto politikanë që kanë gjunjëzuar sistemin e shëndetësisë apo duhen lider të rinj! Ka shumë gjasa që kushdo që do të drejtoj pas kësaj ngjarje ekonomike, do të jetë drejtues i një stomaku bosh!
Nuk kemi nevojë për lider mediokër qe janë pjese e një sistemi të dështuar. Sot, kemi nevojë për lider të guximshëm që mendojnë për të ardhmen e vetë sakrifikohen për të tashmen. Në kemi nevojë për statistë që janë vizionarë dhe jo thjeshtë administratorë mediokër të gjësë publike.
Në planin ekonomik ka shumë gjasa të përballemi me të njëjtën situatë ekonomike që Europa u përballë pas Luftës II, por në atë kohë pati burrë-shtetas me përmasa botërore si Shuman, De Gasper, Churchill, Adenauer, Marshall. Njerëz që menduan për një të ardhme të përbashkët dhe sakrifikuan egot e tyre personale për realizimin e tyre. Ne, kemi përsëri nevojë për statistë edhe pse kjo lloj “rrace” politikanësh duket sikur janë zhdukur.
Shpresoj që vetë kriza të nxjerrë apo të lind statistë të këtyre dimensioneve që do vendosnin veten e tyre në shërbim të tjerëve duke i qeverisur ato me dashuri, pasion e me vendosmëri.
Në kemi nevojë për politikanë që na thonë të vërtetën e luftojmë se bashku me ne për një të ardhme më të mirë

Lajme te ngjashme

WhatsApp Na Shkruani!