Home Aktualitet DITA NDËRKOMBËTARE E SHËNDETËSISË!

DITA NDËRKOMBËTARE E SHËNDETËSISË!

nga Editor

Nga Gentian Çala

Kjo ditë e gjen botën dhe sistemet shëndetësore në një sprovë të vështirë, në betejë me pandeminë Covid-19. Një ditë reflektimi për të gjithë, për atë që kemi investuar në shëndetin tonë. Shëndetësia do të thoshte një koleg i nderuar “është kthyer nga kishë në biznes”, pra nga misioni në një sistem klient-ofrues shërbimi. Pra, ajo për të cilën është krijuar shëndetësia është tjetërsuar me kohë.

Dita Ndërkombëtare e Shëndetësisë, e gjen komunitetin e bluzave të bardha nē qendër të vëmendjes të opinionit publik, sot po dëgjohen më shumë se kurrë. Me të drejtë! Deri më sot, për ata kanë vendosur të tjerët, kanë vendosur vendimmarrësit. Për fat të keq, deformimit të shëndetësisë i ka kontribuar edhe një pjesë e komunitetit shëndetësor, të etur për fitime dhe pasuri. Sistemet shëndetësore kanë arritur drejt diskriminimit të ofrimit të shërbimeve, për ata që kanë të ardhura gjithçka, për të varfërit diçka.

Një botë më e mirë, duhet të jetë një botë që shërbimet shëndetësore i ofron në mënyrë të barabartë për të gjithë, pa diskriminim. Dikush mund të thotë se nivelet ekonomike përcaktojnë mundësitë e shërbimeve shëndetësore dhe pabarazia është element që nuk mund të shmanget. Mjaftoi një pandemi për të kuptuar se ndaj rrezikut mund të jemi të gjithë njësoj. Ndaj duhen përpjekje që sistemet shëndetësore të kthehen në misionin e tyre dhe transformimi i tyre duhet të jetë nga “sisteme që kanë në qendër pacientin (klientin)”, në “sisteme që kanë në qendër komunitetet”.

Urime Dita Ndërkombëtare e Shëndetësisë, të gjithëve ju që punoni dhe i kontribuoni këtij sektori, në Shqipëri dhe jashtë saj!

Lajme te ngjashme