Home Aktualitet 50 shqiptarë janë më shumë se 1 milion sirianë!

50 shqiptarë janë më shumë se 1 milion sirianë!

nga Editor

Nga Alban Daci

Kam ndjekur rastin e shqiptarëve që ndodhen prej javësh në kufi me Greqinë që duan të riatdhesohen. Po ashtu kam marr edhe plotë sinjalizime të shqiptarëve të shpërndarë nëpër vende të ndryshme të Europës. Rast i ngjashëm me atë të kufirit me Greqinë janë të tjerët në Slloveni, Kroaci dhe Serbi. Po kush janë këta që duan të “pushtojnë” Shqipërinë? Këta janë qytetarë me shtetësi e kombësi shqiptare, që kanë familje në Shqipëri, që kanë fëmijë dhe janë Kryefamiljar. Nuk kemi të bëjmë me rastin e invazionit të Shqipërisë nga shqiptarët ashtu siç po duan ta trajtojnë politikisht apo edhe mediatikisht. Këto persona janë persona që kanë qenë në udhëtim e sipër duke u kthyer në Shqipëri në kohën kur Shqipëria mori në mënyrë të njëanshme mbylljen e kufijve dhe duke mos u dhënë kohën e mjaftueshme personave. Pra, këta persona që kanë ditë që flenë jashtë në pragun e shtëpisë tyre pa mundur që të kthehen në shpi, nuk janë persona të papërgjegjshëm që janë me krejt të mirat në Perëndim e duan të kthehen për pushime në Shqipëri, por janë rrugëtar të mbetur në mes katër rrugësh. Nuk desha ta trajtoja këtë çështje, sepse mjedisi shqiptar është shumë i sëmurë politikisht sa edhe kur kërkon të jesh me të vërtetë i panjëanshëm ta gjejnë me çdo kusht bishtin me të identifikuar me një palë. Megjithatë, përtej filozofëve, të diturve, juristëve part-time/ful-time dhe pushtetarëve të mbushur me paranojat e frikës për jetën, kjo çështje nuk është e nuk ishte fare çështje juridike, por ishte një paranojë e radhës dhe një mungesë totale e vullnetit politik për ta zgjidhur. Së pari, kushdo duhet ta heq nga mendja dëshirën apo mundësinë për të ndaluar shqiptarët të kthehen në Atdheun e tyre dhe po ashtu askush të mos e mendoj se Atdhe është i pushtetit e nuk ka pushtet më të madh e më të fortë se Kombi. Shqiptarët për fatin e keq janë shpërndarë në katër anën e Botës dhe duhet ta pranojmë pa frikë që klasa politike shqiptare pa përjashtime ka dashur t’i degdis tutje nëpër botë Shqiptarë për t’i hequr qafe. Politikanët e kanë dashur ekskluzivisht Shqipërinë për vete me pak shqiptarë të kthyer e të transformuar në skllevër të nënshtruar, heshtur dhe të pafuqishëm. Megjithatë, nëse politika shqiptare në planin afatshkurtër ja ka arritur qëllimit, në fakt ajo i ka bërë “gropën” vetës, se shqiptarët nga Perëndimi do të kthehen më të fuqishëm se kurrë, pa harruar se kush i degdisi/braktisi në mëshirën e fatit. Në Itali ka plotë shqiptarë që kishin ardhur për pak ditë e kanë mbetur tek të afërmit e tyre, të cilët kanë edhe ata që më shumë se një muaj nuk kanë mundësi të punojnë e të kenë të ardhura. Pra, përtej filozofive që mund të bëjnë nga kolltuku pushtetarët apo politikanët tanë, shumë shqiptarë të ardhur në Itali po rëndojnë mbi familjarët e tyre që I kishin ftuar për pak ditë e po ashtu nuk kanë as mundësi të përkujdesen e të jenë pranë familjarëve të tyre. Kjo nuk është e lehtë për tu komentuar e sigurisht nuk mjafton vetëm justifikimi se jemi në luftë. Edhe kur ka luftë, çdo Shtet kujdeset për qytetarët e vet e madje edhe ushtari për ushtarin e po ashtu edhe dezertimi i është i dënuar me vdekje në llogoren e luftës. Nëse ne jemi në luftë siç thuhet a duhet të dënohet ai që i braktis ushtarët e tij në mëshirën e fatit në luftë për mbijetesë? Pse rasti i këtyre pak shqiptarëve nuk është juridike por vullnet politik dhe shtetëror? Pse nuk kemi të bëjmë me një invasion? Atëherë në këto momente që ne flasim kemi të bëjmë me faktin se të gjitha vendet e Ballkanit dhe të Kontinentit i kanë mbyllur kufijtë në mënyrë të njëanshme. Pastaj edhe BE vendosi mbylljen e kufijve të saj. Gjithashtu, me ligjet e tyre ad hoc të gjitha vendet ndalojnë s’postimin e qytetarëve nga një qytet në një tjetër! Në Itali pa autorizim nuk mund të shkosh as në lagjen tjetër dhe jo më të udhëtosh për në Bari për tu kthyer në Shqipëri. Madje, kush e bën ndalohet, arrestohet e gjobitet. Pra, shqiptarët që ndodhen nëpër vende të Europës, si Italia apo vende të tjera edhe nëse do të donin të ktheheshin nuk kanë asnjë mundësi ligjore të arrijnë deri në pika kufitare. Avionët nuk grihen, rrugët kontrollohen e portet po ashtu. Pra, pradoksi se Shqipëria do të pushtohet nga shqiptarët nuk ekziston. Ne kemi të bëjmë me pak njerëz që kanë mbetur rrugëve në ditët që u mor vendimi për mbylljen e kufijve. Për të bërë të mundur hyrjes së tyre në territorin shqiptarë nuk kanë nevojë për asnjë lloj interpretimi juridik apo filozofik, Të ngrihet trau, tu bëhen kontrollet mjekësore e të vendosën në mjedise të posaçme. Mund të përdoren mjedise të bazave tona ushtarake nëse ka. Kështu ka vepruar Italia, ata që janë kthyer nga Kina i ka mbajtur të karantinë në baza ushtaraket italianë nën vëzhgim të vazhdueshëm. Italia pagoi për riatdhesimin e një të riu nga kina rreth 400 mijë euro shpenzim duke vendosur në dispozicion të udhëtimit të tij një avion të tërë ushtarak vetëm për një qytetarë. Ky është shteti që mbron qytetarët e tij.
Turqia ka më shumë se katër vjet që mban me shpenzime e ka ndërtuar kampe me të gjitha standardet për më shumë se 1 milion qytetarë sirian që kanë ikur nga lufta. Ne kemi problem e bëhemi gazi i botës për 50 shqiptarët të mbetur në kufi e që flenë e jetojnë në kushte skandaloze. Në luftën e dytë botërore kemi raste që persona me forcën e tyre e tyre kanë shpëtuar miliona hebrenj e ne nuk gjetëm një nga Opozita aktuale që të shkonte në kufij e të bënte të mundur riatdhesimin e atyre 50 shqiptarëve të lodhur nga jeta e të poshtëruar për më shumë se 20 vjet shteti i tyre, të cilin e duan pa rezerva. Nuk po flasim për hapje kufijsh e për ardhjen e mijëra “zombie” që po duan t’i konsiderojnë shqiptarët e bllokuar nëpër Botë, por po flasim për pak qytetarë të mbetur në mesin e rrugës. Shqiptarët janë mësuar për ditë të vështira dhe askush nga ata nuk dëshiron të kthehet dhe ta lëndoj më shumë Shqipërinë tonë të dashur, e cila është bërë copash nga politika. Shqiptarët që jetojnë nëpër Europë, edhe pse me plot probleme ekonomike do të vazhdojnë të rezistojnë, por askush të mos mendoj se mund t’i ndaloj për tu riatdhesuar. Historia e 50 shqiptarëve në luftë me 10 policë shqiptarë për të hyrë në Shqipëri është një turp që do të mbahet mend gjatë. Kokëfortësia e çdo pushtetari, qoftë edhe për arsye paranoje nuk është as zgjidhje as justifiko, por një arsye më shumë për të keqësuar situatën që tashmë është e rëndë psikologjikisht për shkak të kësaj pandemie.

Lajme te ngjashme