KËTË, VËRTETË QË NUK E KUPTOJ?!
Nga Gentian Çala
Prej më shumë se tre ditësh disa shtetas shqiptarë kanë mbetur në zonën neutrale midis doganës greke dhe asaj shqiptare në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës, të penguar për të hyrë në vendin e tyre nga autoritetet tona. Këtë, vërtetë që nuk mund ta kuptoj?!
Pavarësisht nga masat e marra dhe mbyllja e kufijve, disa situata të jashtëzakonshme kanë nevojë për zgjidhje të veçanta. Kjo nuk do të thotë as hapje portash dhe as mesazh negativ për të tjerët që mund të duan të rikthehen. Thjesht duhet një zgjidhje për ata njerëz: të kthehen në shtëpi dhe të karantinohen për dy javë për sigurinë e të tjerëve.
Situata në Shqipëri nuk mund të ndryshojë nga një dyzinë qytetarësh që po rikthehen në vendin e tyre. Mund të bëhej një listim i tyre dhe informacioni mund tu jepej autoriteve lokale në zonat e tyre të banimit, për të mbikqyrur karantinimin e tyre. Zvarritja e situatës i shërben vetëm një aspekti në optikën e atyre që nuk po e zgjidhin: krijimi i një ngjarje që tërheq vëmendjen e publikut. Por, unë sërisht nuk mundem ta kuptoj se si munden?!
Edhe sikur të kenë probleme me shëndetin patjetër që i duhet dhënë zgjidhje duke i dërguar në institucionet përkatëse. Ata nuk mund të qëndrojnë aty, në shi dhe në të ftohtë, sepse kjo është thjesht çnjerëzore. Ndaj u bëj thirrje ti japin zgjidhje situatës dhe ti ndihmojnë qytetarët të kthehen në shtëpitë e tyre ose në një institucion përkatës karantinimi.
Nuk e kuptoj sesi mund të ndiheni rehat apo tu zerë gjumi ndërsa qytetarët qëndrojnë dhe kalojnë netët jashtë. Nuk e di sesi nuk ju bren ndërgjegjja?! Zoti ju marroftë ju dhe ndërgjegjen tuaj të pandjeshme!