Lojrat me kod apo kodi kundër të keqes

Read Time:1 Minute, 57 Second

Nga Gentian Çala

Zgjidhjet e momentit të fundit, shpesh si pazar liderësh dhe jo si konsensus i gjithëpranuar, kanë karakterizuar politikën tonë në trajektoren e saj të dekadave të fundit. Shpesh në tavolinë ka qenë Kodi Zgjedhor, në përpjekje për ta përmirësuar, pas një palë zgjedhjesh që nuk arrinin standartet.

A është Kodi Zgjedhor problemi ynë? a mund të bëhen zgjedhje brenda standarteve edhe me këtë Kod? A janë ndryshimet garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme? A i është dhënë zgjidhje krimit elektoral? Këto janë pyetjet që duan përgjigje. Unë dyshoj se përgjigjet do të jepen nga Kodi, e aq më pak nga ata që qeverisin sot.

Kurse mua më duken si Lojra me Kod, të cilat fshehin problemin e vërtetë, paaftësinë e klasës politike dhe posaçërisht gatishmërinë e qeverive për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kjo e fundit, e Rilindjes duket më e keqja, jo se të tjerat kanë qenë më të mira, por se kjo e çoi krimin elektoral në një stad tjetër.

Opozita është duke tentuar koordinimin për çështjen e Kodit Zgjedhor, ku secili aktor mundohet të mbrojë interesat e forcës së tij politike dhe po tentohet në një vektor opozitar. I arritshëm, por unë nuk mendoj se është kjo beteja opozitare, kjo është vetëm provë sinqeriteti dhe sinergjie. Opozita duhet ti dëshmojë këto dy elementë dhe një çarje brenda saj i shërben vetëm regjimit aktual.

Kodi ka disa elementë që mund të përmirësohen dhe i tillë është:

  • sistemi (në të gjiitha variantet, ku do të preferohej ai që voton drejtpërdrejtë, pra me lista të hapura);
  • me formulën (ku duhet ajo që përkthen sa më shumë vota në mandate dhe jo marifete që përfitojnë të mëdhenjtë);
  • me shtrirjen (nëse votojnë vetëm rezidentët apo dhe emigrantët);
  • me shpërndarjen administrative (që ndërlidhet edhe me refirmën përkatëse);
  • si dhe me strukturën zgjedhore (modeli partiak vertikal, apo modelet më neutrale).

Lojrat me Kod vazhdojnë si pjesë e lojës politike, madje nuk do të jenë të fundit, por nuk duhet harruar se ne kemi një gjendje që nuk pyet për kod dhe ligje, pasi arbitrariteti dhe keqqeverisja ka arritur kulmin, aq sa shqiptarët po ikin përditë. Me kod a pa kod, duhet bërë gjithçka për të ndalur të keqen që na ka pllakosur. Ndaj bëjeni këtë detyrë, por mos harroni se e keqja nuk ka ikur ende!

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %
Previous post Vendimi i CDU/CSU: Pa plotësuar 9 kushtet nuk ka negociata
Next post Bundestagu shuan shpresat, reagon Rama: Lajm i mirë!