Varaku: Kësaj çmendurie i duhet dhënë fund

Read Time:2 Minute, 15 Second

Nga Red Varaku.

Sot është data 1 Prill. Me qindra dhe mijëra shqiptarë nuk do të marrin dot rrogën. Me qindra dhe mijëra qytetarë nuk do të paguajnë dot qeratë.

Me dhjetëra mijëra biznese të vogla do të mbyllen, ashtu siç me qindra biznese të mëdha nuk do të kenë mundësi të paguajnë rrogat.

Efekti do të zbresë në formë kaskade dhe do të përhapet si metastazë në çdo qelizë të shoqërisë tonë. Nëse vazhdon më gjatë, mund ta rrëzojë atë përtokë , për t’iu dashur më pas edhe 50 vjet të tjera për tu ringritur.

Kjo do të kishte një faturë shumë herë më të rëndë se Covid 19 mbi popullin tonë, sepse një Shqipëri më e varfër ekonomikisht do të thotë një Shqipëri më e pambrojtur dhe më e paaftë për të përballuar sëmundje të tjera.

Masat që janë marrë deri tani krahasuar me shifrat e publikuara, dëshmojnë se kanë qenë masa të ekzagjeruara dhe me dëme të rikuperueshme, por nëse këto masa vazhdojnë më tej, mund të sjellin një efekt fatal për ekonominë.

Gjithsesi, tani kemi një fotografi më të qartë të situatës, si dhe një njohje më të mirë të ecurisë së shpërndarjes së këtij virusi, edhe pse spekulimi me shifrat mbetet një problem më vete.

Arresti i shoqërisë ishte një masë radikale, por e mirëkuptueshme për shkak të ‘zhurmës’ mediatike që e bashkëshoqëronte këtë virus.

Tani duhet menjëherë një strategji tjetër, si për ta mbajtur nën kotroll covid 19, ashtu edhe për të rikthyer ekonominë në normalitet. Sepse, shëndeti dhe ekonomia janë dy anë të së njëjtës medalje.

Përpjekja e qeverisë për t’i dhënë zgjidhje halleve të qytetarëve duke shpërndarë qese me ushqime dhe me telefon, jo vetëm nuk ka asnjë efekt real, përveç atij propagandistik, por është komike dhe qesharake.

Është e patolerueshme, që të vazhdojmë t’ia lejojmë qeverisë të vendosë këtej e tutje, se cili aspekt i jetës sonë është më i rëndësishëm për ne dhe cili jo.

Kjo nuk mund të vazhdojë më.

Pas tre javëve kaos, duhet t’i jepet fund menjëherë bllokimit të ekonomisë dhe arrestit shoqëror.

Jo vetëm sepse ky është një akt poshtërues, i denjë vetëm për regjimet diktatoriale, por sepse pa liri, jeta e njeriut nuk ka asnjë vlerë dhe asnjë kuptim.

Nëse qeveria mendon se duhet të vazhdojë me këtë çmenduri, atëherë burrat dhe gratë e këtij populli, duhet ta marrin vetë në dorë fatin e tyre dhe të vendosin vetë se si dhe kur duhet të rikthehen në jetën e tyre të përditshme.

Sepse, më mirë të pranosh vdekjen e sigurtë se sa të rrish me veshët nga Surreli dhe me sytë nga dera për një pjatë supë nga organizata bazë e partisë.

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %
Previous post Lefter Maliqi: Pensionistët ëndrra e Ramës për mandat të 3-të
Next post Durrësi me 26 të prekur dhe dy viktima. Ja cila është ‘zona e kuqe’ e qytetit, 12 të infektuar nga i njëjti fis