Home Aktualitet Tranzicioni i vështirë i Shqipërisë, nga ekonomia e centralizuar, drejt ekonomisë së tregut. Analiza e Prof. Adrian Civicit

Tranzicioni i vështirë i Shqipërisë, nga ekonomia e centralizuar, drejt ekonomisë së tregut. Analiza e Prof. Adrian Civicit

nga Arian

Prof.Dr.Adrian Civici*

Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë

Rënia e Murit të Berlinit e përballi Shqipërinë dhe vendet e tjera ish-socialiste lindore me një fenomen të ri historik: tranzicionin nga ekonomia e planifikuar dhe centralizuar, drejt ekonomisë së tregut. Disa tentativa të pjesshme drejt kësaj rruge kishin ndodhur edhe më parë – Jugosllavia në vitet 1960-80-të, RDGJ, Çekosllovakia, Hungaria e Polonia në vitet 1960-70-të – rruga e re e nisur dukej plot me të panjohura. Një shprehje e ekonomistit rus Zinoviev në vitin 1990 që përpiqej t’i jepte një sens tranzicionit, bëri xhiron e botës: “Ne po fillojmë një histori të re, por nuk po e fillojmë atë nga fillimi, por nga fundi. Ne do të jemi në fillim, vetëm në fundin e saj…”. Vështirësia më e madhe qëndronte në mungesën totale të një “teorie tranzicioni”, të studimeve e analizave për këtë fenomen të ri dhe krejtësisht të pastudiuar. Për të kuptuar ku ndodhej Shqipëria dhe vendet ish-komuniste në vitet ‘90-‘91, vlen një deklaratë e M.Candesy, shefi i FMN-së, i cili në një takim me kryeministrat e këtyre vendeve tha: “Është një gropë shumë e madhe që nuk kalohet dot me dy kërcime, sepse nuk ke ku e mbështet këmbën, pra duhet bërë një hop i madh. Nuk kemi asnjë teori tranzicioni dhe asnjë libër se çfarë duhet të bëjmë në këtë periudhë. Mendojeni veten si aktorë, autorë, regjizorë të një vepre që quhet tranzicion”.

Një shprehje e ekonomistit rus Zinoviev në vitin 1990 që përpiqej t’i jepte një sens tranzicionit, bëri xhiron e botës: “Ne po fillojmë një histori të re, por nuk po e fillojmë atë nga fillimi, por nga fundi. Ne do të jemi në fillim, vetëm në fundin e saj…”.

Asnjëherë në histori nuk ishin angazhuar në mënyrë paqësore dhe me vullnet të plotë politik e social kaq shumë institucione, programe reformash intensive e radikale, nuk ishin implikuar kaq shumë ndryshime në raportet sociale, në format e pronësisë, në marrëdhëniet e punës, pagës e fitimit, në rrishpërndarjen e pasurisë, etj. Tre dekada mbas fillimit të këtij procesi, pranohet se “tranzicioni drejt ekonomisë së tregut dhe demokracisë parlamentare është historia më e veçantë e ndryshimeve institucionale, ligjore e sociale në kuadrin e një operacioni radikal të inxhinerisë ekonomike e politike”. Mungesa e një teorie të përgjithshme tranzicioni, e një manuali udhërëfyes për rrugët dhe reformat kryesore ishte problemi më i madh për aktorët politikë e socialë të çdo vendi, aq më tepër në një vend totalisht të izoluar nga bota, siç ishte Shqipëria e fillimit të viteve 1990-të.

Në kontekstin e historisë moderne, “tranzicioni” apo “transformimi radikal i vendeve ish-socialiste”, dukej më i vështirë se 4 transformimet e mëdha që kishin ndodhur përpara tij: transformimi klasik, që nënkuptonte zgjerimin dhe konsolidimin e demokracisë dhe kapitalizmit në vitet 1860-1920; transformimi neoklasik që kishte të bënte me konsolidimin e kapitalizmit në vendet perëndimore në periudhën 1945-1990-të; reformat drejt tregut të aplikuara nga vendet jo socialiste apo komuniste në Afrikë, Amerikën latine e Azi në vitet 1960-1980-të. Tranzicioni post-komunist po paraqitej si etapa e pestë e transformimeve të mëdha që po ndodhnin në botën lindore sovjetike, por me një ndryshim të rëndësishëm ndaj tyre. Ndryshe nga katër transformimet e tjera, në të cilat reformat ekonomike nuk ishin shoqëruar me reforma politike po kaq radikale, politikat e tranzicionit në Europën qëndrore e lindore prekën njëkohësisht të dy sistemet, atë ekonomik dhe atë politik, fenomen që e bëri shumë të vështirë “tranzicionin”. Shpesh të krijohej përshtypja, se reformat politike dhe ato ekonomike, të simuluara dhe nga veçoritë specifike historike të vendeve të ndryshme, ishin në garë, në konkurencë të fortë dhe në mjaft raste në armiqësi me njëra-tjetrën.

Por, pavarësisht specifikave e kapaciteteve potenciale institucionale e humane të çdo vendi, fillimet e tranzicionit i përballën gjithë këto vende me një “platformë e teori dogmatike” të servirur nga disa prej institucioneve kryesore ndërkombëtare, veçanërisht FMN dhe Bankës Botërore, të cilat këmbëngulnin dhe bënin gjithë presionet e nevojshme politike e financiare në emër të një rruge të vetme tranzicioni: reforma në kuadër të “Konsensusit të Washingtonit”.  

Në Shqipëri, identifikimi i reformave të tranzicionit u bë e qartë vetëm mbas “Marrëveshjes me FMN” në vitin 1992, dhe pothujase pa ndërprerje deri në vitin 2017, “udhërrëfyesi i FMN” ishte baza e politikave tona të tranzicionit: stabilizimi, liberalizimi dhe privatizimi, si kushte të domosdoshme dhe të mjaftueshme për një tranzicion të suksesshëm.

Debati më i madh që përfshiu Shqipërinë dhe vendet e tjera lindore në fillim të viteve 1990-të, kishte të bënte shpejtësinë dhe gjerësinë e reformave. Në vitet 1992-95, pyetja më frekuente që bënte politika, media, shoqëria civile, akademikët e intelektualët në përgjithësi ishte “cila është zgjidhja më e mirë ekonomike, politike e sociale: ndërmarrja e gjithë reformave me shpejtësi maksimale, për t’i përfunduar ato sa më shpejt … apo realizimi gradual afat-gjatë i tyre? Grupimet politike u ndanë në dy pole: përkrahësit e “terapisë së choc-ut” dhe “gradualistët”. Por, realiteti shqiptar nuk ishte dhe nuk u zhvillua kaq bardhë e zi.

“Është një gropë shumë e madhe që nuk kalohet dot me dy kërcime, sepse nuk ke ku e mbështet këmbën, pra duhet bërë një hop i madh. Nuk kemi asnjë teori tranzicioni dhe asnjë libër se çfarë duhet të bëjmë në këtë periudhë. Mendojeni veten si aktorë, autorë, regjizorë të një vepre që quhet tranzicion”

Lajme te ngjashme