Home Aktualitet Tërmeti, Kreu i Emergjencave Civile publikon shifrat: 50 shtëpi të pabanueshme, 1528 objekte të dëmtuara

Tërmeti, Kreu i Emergjencave Civile publikon shifrat: 50 shtëpi të pabanueshme, 1528 objekte të dëmtuara

nga Albina Hoxhaj

Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, ka publikuar shifrat e para të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i fuqishëm i pasdites së të shtunës me magnitudë 5.8. I ftuar në rubrikën “Opinion”, në News 24, Çako zbuloi të dhënat e raportit të fundit operativ, që ka mbërritur në institucionin e Emergjencave Civile, duke thënë se janë 1528 objekte të dëmtuara, nga të cilat 50 banesa janë shkatërruar plotësisht.

“Nga raporti i fundit operativ, rezulton që janë raportuar 1528 objekte të dëmtuara, nga të cilat janë shkatërruar plotësisht 50 banesa, kryesisht në zonat rurale, janë plasaritur rreth 160 pallate, një qendër shëndetësore, 34 shkolla, 13 universitete publike, 2 kabina elektrike, 1 magazinë, 2 ura, 4 automjete.

Të gjitha këto janë duke u monitoruar dhe vlerësuar situatën drejtpërdrejt. Mjetet u dëmtuan nga rënia e suvave dhe materialeve të ndryshme. Nuk duket të ketë dëme në strukturë të godinave në përgjithësi, por edhe të Gjeologji-Minierave, nga të dhënat e deri tanishme.

Janë një sërë fshatrash të Durrësit, por edhe të Tiranës, Ndroqit, Vorës, Maminasit, ku banesat janë shkatërruar. Banorët janë sistemuar, është çuar një numër i konsiderueshëm çadrash për ata që nuk kanë dashur të largohen nga banesat e tyre”, tha Çako.

Ku ishit kur ndodhi tërmeti i fuqishëm?

Isha me shërbim larg rrezes së tërmetit, nuk e kam ndjerë, por kontaktet që kam pasur me bashkëpunëtorët, ata kanë qenë shumë të shqetësuar. Sqaroj se Shqipëria prej disa kohësh është karakterizuar nga një sërë lëkundjes sizmike, sepse jemi një zonë e rriskuar, duke pasur parasysh edhe kufirin me Greqinë, Detin Jon dhe Adriatik, që janë në zonë të kuqe. Mund të përmendim tërmetin e Dibrës, tërmetet e Korçës, por edhe të tjerë. Më duhet të sqaroj se lëkundjet për post goditjes së parë janë normale, derisa shkon në një fazë qetësie sizmike.

Kur morët lajmin, cili ishte mobilizimi juaj?

Është bërë praktikë, funksionon një komunikim ndërinstitucional me të gjitha strukturat e tjera vendore. I gjithë sistemi i mbrojtjes civile ka funksionuar shumë shpejt, duke komunikuar e marrë kontakt me të gjitha strukturat në prefektura. Theksoj se për fat të mirë nuk pati asnjë qytetar të dëmtuar rëndë, me përjasthim të 160 qytetarëve, që janë paraqitur në qendra shëndetësore me dëmtime të lehta, shumica nga panika apo lëvizjet e shpejta. Kanë qenë dëmtime, që nuk mund të konsiderohen të rënda.

Faza e dytë, më e rëndësishmja dhe e vështira. Pse është kaq e vështirë kjo fazë, nuk mblidhni dot informacionin për dëmet që shkakton tërmeti?

Janë më të vështira fazat që pasojnë për strukturat tona. Fakti konsiston në detyrimin për të qenë më pranë qytetarëve. Ata kthejnë kokën nga ekonomia dhe këtu është momenti më kritik. Ne jemi të detyruar të jemi prezent, pasi do duhet t’iu vijmë në ndihmë qytetarëve për të evidentuar të gjitha dëmet që janë shkaktuar. Janë faqza që kërkojnë dhe investim financiar. Shteti ka qenë i gjithi në këmbë, dje janë marrë kontakte me familjarët. Janë kontaktuar nga 62 grupe, me ekspertë, me inxhinierë dhe personalitete të tjerë, që kanë ofruar ngrohtësinë e shtetit dhe gatishmërinë për t’i kompensuar. Pas saj, do fillojë faza e tretë, që është më e rëndësishmja, e që ka të bëjë me grupet e vlerësimit, që do bëjnë vlerësimin e përcaktimit ligjor të dëmit me ekspertë, ku më pas do vijë dhe shpërblimi. Tirana dhe Durrësi kanë qenë zonat më të prekura.

Pati njerëz që shkuan në qendrat pritëse mbrëmë?
Pati një numër të konsiderueshëm të qytetarëve që iu drejtuan këtyre qendrave në orët e para të darkës, por më pas ata u qetësuan dhe një pjesë e vogël qëndruan aty.

Lajme te ngjashme