Home Aktualitet Shqipëria, një shtet i ndërtuar keq, i çoroditur dhe pa struktura për përballimin e fatkeqësive natyrore

Shqipëria, një shtet i ndërtuar keq, i çoroditur dhe pa struktura për përballimin e fatkeqësive natyrore

nga Albina Hoxhaj

Nga Kastriot Dervishi

Nëse do të shikosh strukturat e sotme të shtetit shqiptar, në vlerësim tim 70% e tyre janë të panevojshme, pa detyra funksionale, në nivele parazitare, krejt të kota e që nuk shërbejnë për asgjë. Janë vatra injorantësh e dallkaukësh. Ngjajnë me OJQ. Ata që vegjetojnë këtu kapardisen e bëjnë vetëm propagandë sikur kushedi kush janë. Ajo që duhet të jetë pjesa natyrale e shtetit, ose mungon ose është në kapacitete të papërfillshme njerëzore dhe infrastrukturore. Vini re sa herë ndodh ndonjë fatkeqësi si përmbytje, tërmete, zjarre, etj. Shfaqet i njëjti film: prefekti i qarkut që mbledh shtabin dhe kryeministri bën një mbledhje qeverie. Të gjithë mbajnë fjalime dhe bëjnë propagandë.

Filmohen diku sikur po qajnë hallet gju më gju me popullin dhe kaq. Strukturat shtetërore kujtojnë se punë është të japësh shifrash sa këtu e sa atje. Këtë e bëjnë me shumë zell. Pjesa ekzekutive, ajo që prek gjërat me dorë, mungon. Nuk ka struktura. Dora e shtetit nuk ndjehet. Deri dje struktura e emergjencave civile ishte përqendruar në Ministrinë e Brendshme, por pa pasur ndonjë infrastrukturë. Ishin gjithsej 6 punonjës zyre.

Po ashtu edhe prefektët, përveç zjarrfikësve, nuk kanë asgjë në dorë. Nga viti 2015 zjarrfikëset i kanë kaluar bashkive, ndërsa prej vitit 2017 emergjencat civile në Ministrinë e Mbrojtjes, pavarësisht se mbrojtja as ka lidhje me konceptet e përballimit të situatave të tilla. Në të vërtetë struktura e emergjencave civile, bashkë me zjarrfikësit, duhet të ishin njësi e specializuar e Policisë. Po shihet përditë e më shumë se bashkitë nuk kanë fuqi të përballojnë zjarrfikësit, ndërsa Ministria e Mbrojtjes është akoma më kot për emergjencat civile. Për aq kohë sa strukturat mungojnë, do shohim vetëm shfaqje propagande me shtabe e ministra. Fatkeqësitë u shërbejnë këtyre për zhvillimin më tej të të vetmes gjë të dinë të bëjnë: agjitpropin.

Lajme te ngjashme