Home Aktualitet Luan Rama replikon me Pirro Milkanin: Kjo puna e Ramës nuk është histori mamlukësh!

Luan Rama replikon me Pirro Milkanin: Kjo puna e Ramës nuk është histori mamlukësh!

nga Editor

Regjisori Pirro Milkani ka komentuar në faqen personale të zëvendeskryetarit të LSI-së një shkrim të Luan Ramës të publikuar sot me titullin “Shqipëria në gjendje të jashtëzakonshme, por,
pa një ligj për gjëndjen e jashtëzakonshme, koment në të cilin ai i thote zotit Rama shkruaj për gjëra të bukura e keto tema lerua të tjerëve!
E ne vijim të ketij dialogu komentesh, Luan Rama i eshte përgjigjur regjisorit të kohës së komunizmit më këtë shkrim:

I nderuar zoti Milkani!

Në respekt e me nderim për emrin tuaj si artist e intelektual i vendit tim, po e marr shumë miqësisht opinionin tuaj në faqen time, edhe pse po më thoni që të vazhdoj të shkruaj gjëra të bukura e “këto tema t’ua le të tjerëve!”, një porosi në fakt e denjë për ndonjë komisar partie e jo për një artist dhe intelektual të angazhuar si ju.

E pse ma shkruani ju e jo ndonjë tjetër, po denjoj me shumë respekt t’ju shpjegoj se edhe pse zgjodha mbase prej rrethanave e jo prej dëshirës time të merrem me politikë e ta bëj atë profesion, e çmoj fjalën tuaj edhe kur ju bëni politikë e nuk marr guximin t’ju them shkruani për gjëra të bukura si fjala vjen për kinemanë a gjëra të tjera të këtij lloji, e për politikën lër të tjerët të shkruajnë, sepse më së paku nuk do të ishte etike.

Unë di të shkruaj edhe gjëra të bukura, sado që jo mbase në cilësinë dhe nivelin e atyre që shkruani ju, por di të shkruaj vetëm gjëra të vërteta, ashtu si unë i shoh dhe vlerësoj, pa pretenduar t’ju imponohem të tjerëve.

Ju ndërkaq më thoni se pse nuk ia them Macronit ato për të cilat shkruaj në shkrimin tim?

Kam dëgjuar dhe lexuar një mesazh shumë prekës të një qytetareje italiane që i është drejtuar edhe zotit Macron, edhe Zonjës Merkel, e nëse nuk e keni lexuar apo dëgjuar, jua rekomandoj ta bëni e do të më jepni të drejtë, pasi unë nuk do të mund t’i thoja zotit Macron asgjë më shumë e më bukur se ajo zonjë italiane.

Unë i shkruaj në këtë rast edhe Edi Ramës, por jo vetëm atij, se është jashtë logjikës që një kryeministër të flasë si mjek e për më keq, të përdorë pamje të filmuara nëpër spitalet e Italisë e t’i shpërndajë ato publikisht nga adresa e tij në fb, pa respektuar as privatësinë e atyre qytetarëve që vuajnë dhe as të drejtën e autorit nëse doni ju.

Ju si artist, si kineast apo si qytetar çfarë ndjeni kur i shihni ato pamje njerëzish të intubuar e që vuajnë dhe a jeni dakord me këtë mënyrë përdorimi, në fakt shpërdorimi, pej ndjesish perverse e makabre të atyre pamjeve?!

Ndërkaq, me shumë luajalitet unë i kërkoj jo vetëm atij, por institucioneve të shtetit të kthejnë në ligjshmësi atë qe po e kryejnë në paligjshmëri, se shteti vepron me e mbi ligje i nderuar zoti Milkani e jo me improvizime a mbi bazë trillesh individuale!
Dhe kjo është një kërkesë legjitime e cilitdo qytetar te këtij vendi, e besoj edhe ju e dini që nuk është histori mamlukësh!
Por meqë ju më treguat se çfarë i shkroi Muhamet Aliu nga Egjipti Ali Pashës, unë shumë miqësisht po ju rekomandoj të lexoni “Familja që “u gllabërua” nga minjtë”, të Dino Buzzatit, pasi mendoj se ka shumë më tepër art nga letërkëmbi i një pashai me një tjetër.

E sa për atë që ju e cilësoni “pseudogazetari Y. Rakipi”, më lejoni t’ju them se pavarësisht faktit që me të ndaj shpeshherë opinione të kundërta, jemi kolegë dhe kolegët nuk i etiketoj në pseudo apo në gjoja gazetarë, por i respektoj për punën që bëjnë, e me siguri as ju nuk do të më lejonit mua që t’i etiketoja me një gjuhë të tillë kolegët tuaj kineaste duke thënë për ndonjërin prej tyre pseudoregjisor fjala vjen! Apo nuk kam të drejtë?
E meqë iu referuar kolegut Ylli Rakipi, ma do mendja se nuk e keni dëgjuar mirë se çfarë ka thënë, se nuk besoj të mos e keni kuptuar sarkazmën dhe ironinë e tij në rastin e “dakordësisë” me Edi Ramën. Por nëse e ridëgjoni, do të më jepni të drejtë!

Gjithësesi, unë nuk e di se si e perceptoni ju, po në vlerësimin tim retorika e luftës që përdor Edi Rama është është shprehje frike e paniku, e kjo nuk i falet një kryeministri!
Po jua përsëris qasjen time se lufta si koncept, por edhe si metaforë nëse do të përdorej, si realitet apo edhe si kërcënim eventual, si filozofi, si retorikë apo si mentalitet dhe psikologji qeverisëse, krijon panik, krijon konfuzion, mbjell frikë e disfatizëm, ndaj qasja edhe me diletantizmin grotesk të grimasava të kryeministrit aktor, jo vetëm nuk është e duhura, por është për fat të keq në të njejtën “frekuencë” me vetë mikrobin!

Ndërkaq, ju shumë më mirë se unë e dini se burrat e shtetit dhe udhëheqësit e përgjegjshëm nuk venë kujën e panikut dhe me popullin e tyre komunikojnë pikësëpari me gjuhë njerëzore e të thjeshtë, më vërtetësi e sinqeritet, me besim dhe urtësi siç bëri pak ditë më parë edhe kancelarja Merkel, e siç na ofron shembuj të tillë historia e afërt dhe e largët.

Gjithësesi i nderua zoti Milkani, unë ju falenderoj për vëmendjen që tregoni ndaj shkrimeve të mia e me shumë mirësi e çmoj faktin që më shkruani, edhe nëse unë ose ju mund të mos jemi dakord me gjithçka që i shkruajmë njëri-tjetrit!

Faleminderit dhe të keni shëndet të mirë e të gjithë sëbashku ti kalojmë sa më lehtë keto ditë të vështira, pasi unë ndryshe nga kryeministri, nuk mendoj se ne jemi vetëm!

Me shumë respekt për ju!

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!