Home Aktualitet Kryeministri e ka për detyrë të më dëgjojë mua…

Kryeministri e ka për detyrë të më dëgjojë mua…

nga Editor

“Më dëgjoni mua, mos dëgjoni të tjerët. Të tjerët mendojnë se u bë deti kos. Flenë e zgjohen me nga një teori të re. Unë e di mirë se çfarë është më mirë për ju. Jam njëri prej jush. Ju përgjërohem. Do të ulem në gjunjë. Bëni si unë joga”, e të tjera fjalë pa kuptim e pa ndonjë peshë në kohën më të vështirë që kalojmë.

Ja po të dëgjoj, madje me orë e pa orë, një dy, tri herë në ditë, del sa në një zyrë që nuk dihet se ku është aq edhe në një cep shtëpi me sfondin e praruar të përkrenares së Skënderbeut.

Çdo herë del me të njëjtën dëshirë që të flasësh sa më shumë e ne të të dëgjojmë. Por puna është se çfarë thua?

Dikur në 2013 të mbiu në gojë fjala burg, tani i ke zëvendësuar me fjalët lufto, luftë, luftë, ushtria, policia. Po këtë ne e dinë dhe nuk ka nevojë ta dëgjojmë prej teje. As nuk ka nevojë të na qahesh se të ka zënë halli i madh dhe e ke kusur ta heqësh.

Ti e ke për detyrë t’i dalësh në ballë situatës. Deri dje krekoseshe me arritjet e mëdha të vendit nën udhëheqjen tënde. Një udhëheqës i këtyre përmasave, sikundër ti mendon se je e që ke bërë çudira e shndërrime epokale të panjohura në 30 vjet, je i përgatitur besoj edhe për këto ditë të vështira, së paku psikologjikisht. Kështu që ka ardhur koha të flasësh sa më pak e të dëgjosh sa më shumë.

Unë nuk e kam për detyrim të jem dakord me ju z. Rama, por ju e keni për detyrë të më dëgjoni mua si dhe të gjithë ata njerëz, që nuk janë në një mendje me ju, politikanë, mjekë, njerëz publik deri tek ai, qytetari i vetmuar e i tmerruar, në cepin më të fundit të vendit.

Duhet të dëgjosh çfarë thonë ata që nuk janë në një mendje me ju, jo vetëm të qortosh e të kujtosh, fjalët: ndëshkim, gjobë, burg, luftë, vdekje, kufoma, të shtrirë, që ngjajnë më shumë si skenar i një filmi horror sesa si fjalë kundër ankthit dhe panikut që kalojnë nënshtetasit e tu. Thua se ke shtrirë dorën nëpër botë vetëm për ne.

Po shumë mirë bëre, se ne do ti paguajmë ato që more tekefundit dhe jo ti. Pastaj që të na mbushni mendjen sesa në gjendje të vështirë është vendi e në mënyrë të veçantë ju, dolët dhe na tregoni se çfarë tha Lindon Xhonsoni, kur ju drejtua amerikanëve pas vdekjes së Xh. Kenedi: “Çfarë nuk do të jepja, vetëm të mos isha këtu ku jam”.

Mirëpo harrove shprehjen e presidenti Frenklin Ruzvelt, kur ju drejtua amerikanëve në një fjalim historik, në kohën kur Depresioni i Madh, kishte kapluar tërë vendin dhe shpresa se mund të kishte dritë në fund të tunelit, thuajse ishte shuar. Ruzvelti e filloi fjalimin e tij me këtë fjali: “E vetmja frikë nga e cila duhet të kemi frikë është vetë frika”.

Edhe pse jemi në kohë të vështirë, ju z. Rama nuk do t’ju fajësoj njeri, nëse bëni zgjedhjen që nuk bëri Xhonsoni, por nga ana tjetër, nuk zgjodhët të bëni të paktën atë që bëri Ruzvelti, në krizën më të madhe dhe më të rëndë ekonomike që ka kaluar ShBA, në historinë e saj. Unë nuk jam i prirur të mendoj se do më të mirën për ne, pasi që nuk na i ke dashur prej kohës që ke marrë një karrige pushteti, ministër, kryetar bashkie e së fundi kryeministër.

Unë mendoj dhe besoj fort se veç mendjes tënde, e ke shumë të vështirë të dëgjosh të tjerë. Në vend që të thoshe se unë jam një prej jush, mund të thoje fare mirë që je kryeshërbëtori ynë, ashtu sikundër e konsiderojnë veten të gjithë ata që marrin përsipër të drejtojnë një vend për një periudhë kohë të caktuar.

Nuk besoj se na do të mirën, aq më shumë kur dëgjoj fjalë fyese në drejtim të kundërshtarit me të cilin identifikohen në ide e qëndrime disa qindra mijëra njerëz së paku, ironi pa fund e përditë, statuse të panumërta, sharje e mallkime.

E përse? Sepse prej kreut të opozitës z. Basha e deri tek njerëzit publik dhe ata të thjeshtë, që të gjithë e duan veten, ata që i rrethojnë, ndoshta më shumë se ty.

Nuk mendoj dhe besoj se edhe ju në reflektim të thellë e të përgjegjshëm, mendoni se jemi më i pagabueshmi, më mendjendrituri dhe me vizon që të tjetër nuk e kanë. Ashtu sikundër është e tepërt të dëgjojmë e pale më të bie dakord me ju, se “jeni me fat që më keni mua në krye të qeverisë”.

Unë nuk e di nëse i konsulton së paku me veten ata që thua e më pas të na i servirësh ne si xhevahire të padëgjuara ndonjëherë. Si të tha mendja, e të shkoj goja, që të na udhëzosh të bëjmë joga, kur më shumë se gjysma e popullsisë, as që e kanë dëgjuar këtë fjalë e një pjesë e mendojnë se mund të jetë markë kosi?

A ka ndonjë rëndësi të veçantë nëse ha njëherë, dy herë apo tri herë zotrote ushqim, kur të tjerët as që e dinë nëse do të mund të kenë një vakt të ngrohtë në ditë, në strehën e tyre të varfër? Nuk mendove njëherë të vetme, sesi këta të fundit do ta kalojnë këtë situatë? Po ata studentë e nxënës që rrinë të ngujuar fjetinave, pa para, pa mjete gatimi, me gjellëtoret e mbyllura ku shuanin sadopak urinë, kush mendon?

Dëgjona dhe kujdes madje. Lere mënjanë ironinë, shpotinë, mallkimet me shprehjet e plakave të bregut, qesëndinë, dëshirën e zjarrtë për të treguar aftësitë e tua në fushën e publicistikës.

Drejtimi i shteti, nuk është thjesht një timon në duar dhe të hipësh në kurriz të miletit e ta shtrydhësh ata dhe ekonominë e tyre, sa herë që të nevojitet për vetë dhe njerëzit e tu të afërm. Po nëse je njëri prej nesh, atëherë më dëgjo mua dhe të tjerë si unë, me plot përulësi, pa u thyer më dysh e u përgjëruar dhe bëj më të mirën për të gjithë ne.

Ti mund të hiqesh si një ndër ne, që për fatin të keq, të kemi lënë në dorë jetën tonë, me të cilën ti nuk mundet dhe nuk do ta përdorësh dot për tu përjetësuar si udhëheqës i madh i të gjithë kohërave. Ke mundësinë e artë që në ditët dhe muajt e fundit të pushtetit tënd, në një situatë shumë fatkeqe për vendin dhe jo vetëm, të tregosh pak aftësi nga ata që ke trumbetuar se i ke me shumicë, por që si kemi parë asnjëherë.

Ke shansin e madh të dëgjosh, të thuash: “po, faleminderit, ju jam mirënjohës, do ta zbatoj menjëherë, më dërgoni ekspert tuaj në takim, do ta kem në konsideratë këtë propozim por do të bisedoj njëherë me specialistët e fushës, edhe kjo mund të bëhet dhe do të bëhet, më ndihmuat shumë mua dhe vendin, ne do të bëjmë gjithçka që mendimi juaj të dëgjohet por edhe të shikohet sa i mundur është për tu zbatuar ideja jote”. Këto nuk janë fjalë magjike të shpikura sot, as janë nxjerrë nga thënie të famshme.

Janë thjesht disa shprehje që njerëzit që udhëheqin, i mbajtën shëmim dhe këto shënime i kanë gjithnjë me vete, jo vetëm për të treguar etikë të lartë dhe dashamirësi, por se vetë e mendojnë thellë në shpirt atë që thonë.

Kështu që edhe në këtë kohë të vështirë, pavarësisht se do të doja të isha dakord me të gjithë që thua e mendoni, për fatin tuaj të keq dhe tonin, besueshmëria që kam unë dhe shumë si unë tek ju z. Rama, është thuajse zero.

Nuk na keni dëgjuar në kohë të mirë, na dëgjoni tani ose të paktën mos dil orë e minutë në ekrane. Leri ata që dinë e kanë ekspertizën në këtë fushë të na flasin e ti dëgjojmë e të besojmë tek ata.

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!