Home Aktualitet Tenderi rrufe që nxjerr ”lakuriq” qeverinë shqiptare/ Kërkon blerjen e respiratorëve 10 ditë pas rasteve me COVID-19…

Tenderi rrufe që nxjerr ”lakuriq” qeverinë shqiptare/ Kërkon blerjen e respiratorëve 10 ditë pas rasteve me COVID-19…

nga Editor

Pavarësisht se koronavirusi është shfaqur që në fund të vitit të kaluar në Kinë, qeveria shqiptare dhe konkretisht Ministria e Shëndetësisë, vetëm tani e ka parë të nevojshme që të hapë një tender për blerjen e respiratorëve, pajisje që përdoren për pacientet që kanë probleme me frymëmarrjen dhe që kanë nevojë për ndihmën e aparaturave për të mbijetuar.

Pikërisht problemi me frymëmarrjen është një nga simtomat e të sëmurve me COVID 19, që derimë tani ka shkaktuar 2 viktima në vendin tonë dhe 58 persona të prekur.

Tenderi është publikuar ditën e djeshme (Datë 17 Mars) dhe në objektin e tij thuhet: “Furnizim, vendosje respiratorë me dy modalitete për adultë dhe moshë pediatrike për COVID-19”.

Në këtë dokument, theksohet po ashtu se afati kohor për dorëzimin e ofertave është: data 18.3.2020, pra pasditja e sotme, kur dhe janë mbyllur dhe të gjitha dokumentacionet.

Fondi limit për blerjen e respiratorëve është 129, 727.371 lekë, (njëqind e njëzet e nëntë milion e shtatëqind e njëzet e shtatë mijë e treqind e shtatëdhjetë e një) lekë pa TVSH.

Ndërkohë që ajo që bie në sy janë termat e tenderit, ku me 60 pikë do të vlerësohet lëvrimi i shpejtë i respiratorëve, ndërsa çmimi pra oferta do të vlerësohet me 40 pikë.

Një burim i tha Faxweb.al se ky tender e shkatërron garën e drejtë, sa kohë që ka afate kaq të shkurta dhe kërkohet lëvrimi sa më i shpejtë i respiratorëve, në një kohë që tregtia dhe blerja e këtyre mallrave është një shqetësim i madh në të gjithë botën.

“Të marrësh pjesë në tender duhet një thes me dokumenta, s’ke ku i gjen kur janë mbyllur të gjitha institucionet, jo vetëm në Shqipëri”, thotë burimi.

Me një kërkim të thjeshtë online, kostoja e një respiratori varion nga 25.000 në 50.000 dollarë, me një çmim mesatar prej 37.500 dollarësh.

Pra me fondin e vënë në dispozicion nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë, mund të blihen përafërsisht 30 respiratorë të rinj, ndërsa në vendin tonë së bashku me spitalet private janë në gjendje 140 të tillë.

Për të lexuar më saktë këto shifra, mjafton të përmendim se sistemi shëndetësor italian kishte në gjendje 3000 të tillë dhe hapi një tender për 5000 respiratorë të tjerë për të përballuar fluksin e pacientëve me probleme të theksuara të frymëmarrjes.

Vazhdimisht ka pasur pretendime nga specialistë të fushës lidhur me mungesën e këtyre pasijeve, por ministria jo vetëm që nuk ka reaguar, por bën tender më shumë se 10 ditë nga konfirmimi i rasteve të para me COVID në vend.

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!