Home Aktualitet Meta: Kam bërë testin e COVID 19 dhe doli NEGATIV. Mbështetje dhe solidaritet me të gjithë të prekurit

Meta: Kam bërë testin e COVID 19 dhe doli NEGATIV. Mbështetje dhe solidaritet me të gjithë të prekurit

nga Editor

Pyetje: Zoti Presidenti, mbase nuk është koha për një bilanc, sepse ju siç e thatë kjo do të jetë një situatë që do të vazhdojë në mënyrë të pacaktuar. Por unë doja të dija nga këndvështrimi juaj, a janë marr masat e duhura dhe a janë marrë në kohën e duhur ato? E treta dhe më e rëndësishmja, në informacioni tuaj a kemi ne, pra shërbimi ynë spitalor a ka mundësitë për ta përballuar këtë situatë dhe çfarë duhet të bëhet më tepër në këtë aspekt, qoftë siç kërkon Organizata Botërore e Shëndetësisë në rritjen e testeve? Sepse sot kishim një shifër se ka gjashtë mijë telefonata në Urgjencën Kombëtare, ndërkohë që bëhen rreth 40 teste. Pra, nga kjo pikëpamje a kemi mundësitë, kapacitetet për ta përballuar më mirë këtë situatë?


Presidenti Meta: Duhet të kemi parasysh se dhe vetë Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk është se ka patur një vizion të qartë që në fillim për përballimin e kësaj sfide, të cilën dhe ajo me pak vonesë e konsideroi si Pandemi.
Në mënyrë të vazhdueshme ka nxjerrë udhëzime të ndryshme apo të ndryshueshme në varësi edhe me eksperiencat e reja duke qenë se kemi të bëjmë me një virus të ri dhe të panjohur mirë shkencërisht.
Ajo që mund të them është se të gjithë duhet të jemi bashkëpunues, të gjithë duhet të jemi reflektues, sepse është një eksperiencë e re, që asnjëri prej nesh nuk e kishte menduar më parë dhe sigurisht që Shqipëria ka patur disa eksperienca të rëndësishme pozitive në të kaluarën në përballimin e SARS-it apo të gripit të derrit apo të disa fenomeneve relativisht të ngjashme.
Megithatë, ajo që dua të theksoj është, e para mbrojtja e personelit shëndetësor është prioritet mbi prioritetet, sepse jo vetëm ata janë të rrezikuar në çdo sekondë për shkak të profesionit dhe për shkak të kontaktit të parë dhe të vazhdueshëm që kanë me të gjithë personat e infektuar, apo potencialisht të infektuar, pra ende të pakonfirmuar apo të paverifikuar. Kjo e theksoj edhe një herë që është prioritet mbi çdo prioritet, se është një betejë që do vazhdojë gjatë dhe ata do të jenë gjithmonë në vijën e parë të kësaj beteje.
Së dyti, padyshim që testimi është mjaft i rëndësishëm dhe marrja e masave për të patur infrastrukturën e duhur është e domosdoshme për të gjithë ata të cilët kanë shqetësime.
Së treti, mbetet prioritet marrja e masave për terapinë intensive për të gjithë ata gjendja e të cilëve mund të rëndohet, sepse këtu bëhet fjalë, jo thjeshtë për t’i shëruar, po për t’i shpëtuar jetën e tyre, dhe në këtë drejtim unë kam marr garancitë edhe nga Ministria e Shëndetësisë dhe ekipi që po merret me këtë çështje që janë marr masat edhe për sa i takon respiratorëve shtesë edhe për sa i takon posteve shtesë për sa i takon reanimacionit, në mënyrë që në çdo rast të jepet ndihma dhe të shpëtohet çdo jetë e çdo qytetari në vendin tonë.
Ndërkohë, padyshim që jam takuar edhe me përfaqësues të opozitës të cilët kanë një qasje kritike, që edhe është normale për sa i takon këtij pozicioni opozitar, ashtu sikurse jam i sigurt që edhe vetë përfaqësuesit e qeverisë çdo ditë mendojnë se ka vend për përmirësime, sepse është një eksperiencë e re. Dhe disa nga shqetësimet e tyre ua kam transmetuar edhe përfaqësuesve të qeverisë, dhe është e rëndësishme thellimi i procesit të bashkëpunimit në përballimin e kësaj sfide në interes të përmirësimit të masave parandaluese dhe njëkohësisht të qetësimit, të ruajtjes së një atmosfere sa më pozitive të jetë e mundur në shoqëri në përgjithësi, në familjet tona kudo, sepse paniku në çdo rast nuk është një aleat i mirë, përkundrazi është një kundërshtar që mund të jetë dhe i pamëshirshëm në momente të caktuara. Të gjithë duhet të punojmë për të dhënë këto mesazhe përgjegjshmërie, bashkëpunimi, transparence.
Unë vetë kam bërë testin, për arsye se mora një informacion që kisha qenë në një palestër, ku kishte rezultuar dikush, një qytetar, që unë e njihja, por që nuk ia kisha dhënë dorën, kishte qëlluar rastësisht.
Unë u informova që kishte rezultuar me koronavirus dhe atëherë ishte detyra ime, jo thjeshtë për të mbrojtur veten time, por edhe bashkëpunëtorët apo për të verifikuar nëse unë kisha patur një virus të tillë.
Ndërkohë që unë i kisha dhënë dorën më parë dhe shumë të tjerëve, përfshi dhe drejtues të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët janë çdo ditë në vijën e parë të kësaj beteje.
Duhet të shprehim mirëkuptimin dhe solidaritetin tonë me të gjithë ata që janë të prekur. Askush nuk duhet të hezitojë, sepse ndoshta ndonjëherë dhe ndjesia jo e këndshme që mund të identifikohesh në publik si bartës i këtij virusi mund t’i çojë njerëzit te frenimi për të bërë testin, për ta pranuar këtë gjë dhe për ta kaluar atë, dhe kjo mund të çojë në pasoja të tjera. Që nga humbja e jetës apo përkeqësimi i shëndetit dhe komplikacionet e ndryshme, që mund ta shoqërojnë për shkak të problemeve të tjera shëndetësore që mund të ketë kushdo. Por, edhe deri te rrezikimi i jetës së familjarëve, të gjyshërve, të fëmijëve dhe njerëzve tanë më të dashur.


Pyetje: Sigurisht meqë dhatë shembullin personal dolët negativ apo jo?


Presidenti Meta: Po, ishte kontroll i dyfishtë sepse, theksoj edhe njëherë secili nga ne nuk duhet të mendojë vetëm për veten e tij, por duhet të mendojë dhe për të gjithë te tjerët duhet të jemi shumë të vëmendshëm në të gjithë këtë histori.
Padyshim për gjyshërit tanë, për prindërit tanë, që mund të jenë më të rrezikuar edhe për shkak të moshës dhe për shkak të komplikacioneve, sepse kjo është edhe stinë virozash në tërësi, por edhe për fëmijët dhe për të rinjtë se po dalin statistikat të reja që tregojnë se edhe ata janë të kërcënueshëm dhe të rrezikuar.

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!