Home Aktualitet Meta: Të përmirësojmë mekanizmin parandalues dhe mbrojtës, duke patur prioritet kryesor shëndetin dhe jetën e çdo qytetari

Meta: Të përmirësojmë mekanizmin parandalues dhe mbrojtës, duke patur prioritet kryesor shëndetin dhe jetën e çdo qytetari

nga Editor

Robert Rakipllari: Zoti President, Shqipëria ndodhet në një situatë shtetrrethimi për shkak të koronavirusit. Ju si President i Republikës, si i keni parë masat shtrënguese që ka marrë qeveria për situatën? Si e gjykoni reagimin në tërësi të popullatës ndaj këtyre masave shtrënguese?


Presidenti Meta: Është një situatë e jashtëzakonshme, jo vetëm për vendin tonë. Është një situatë e përgjithshme globale.
Është një situatë e re, me të cilën duhet të mësohemi çdo orë e më shumë, për të nxjerrë përvojat e reja për ta përballuar me kosto minimale, së pari në interes të mbrojtjes së jetës e të shëndetit të çdo qytetari të vendit tonë, që mund të rrezikohet nga pakujdesia e secilit prej nesh. Pra të çdo qytetari, të çdo familjari, e cilitdo që është në kontakte e në marrëdhënie të vazhdueshme në familje, në mjediset e punës apo kudo që jeton.
Është një situatë e detyrueshme me qëllim për të parandaluar rrezikun e përhapjes së këtij virusi ende të panjohur mirë në kuptimin e reagimit apo të vaksinimit për të qenë i mbrojtur prej tij.
Në radhë të parë më lejoni të shpreh një mirënjohje për të gjithë personelin mjekësor, për mjekët, për infermierët, sanitarët, por jo vetëm për ata. Për të gjithë që janë në mbështetje të tyre e që janë në kontakt të parë, duke përbërë murin mbrojtës për të gjithë shoqërinë tonë ndaj kësaj pandemie.
Ndaj dhe vëmendja e parë duhet të shkojë për ta, për mbrojtjen e tyre, sepse kjo kuptohet që do të jetë një betejë e gjatë, që do të zgjasë ende në një kohë të pacaktuar.
Dhe së dyti, kujdesi duhet të shkojë për të gjithë ata, të cilët aktualisht janë të identifikuar të prekur nga ky virus, për të bërë gjithçka që ata ta kalojnë këtë moment pa rrezikuar jetën e tyre, por edhe të familjarëve të personelit që është në shërbimin e tyre.
Padyshim që impakti do të jetë i përgjithshëm edhe në aspektin e ekonomisë, shoqëror, për sa i takon arsimit, sepse kuptohet që jemi në një moment vetëmbrojtjeje, ku kujdesi duhet të jetë maksimal.
Çdo minutë, çdo orë, çdo ditë, duhet të përmirësojmë mekanizmin reagues, parandalues, mbrojtës, në mënyrë që të bëjmë të mundur të funksionojmë edhe si shtet, edhe si shoqëri, edhe si familje, edhe si institucione, por edhe si biznese, sa më mirë që të jetë e mundur pa cenuar kurrë objektivin e parë: Të mbrojmë shëndetin dhe jetën e çdo qytetari shqiptar nga ky virus e nga ky rrezik.

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!