Home Aktualitet ANALIZA/ Pandemia e koronavirusit, si do i paguajnë qytetarët faturat, apo bizneset pagat? Qeveria të bëjë rimbursim, por ja çfarë janë urgjente tani. Shihni modelin e Taivanit

ANALIZA/ Pandemia e koronavirusit, si do i paguajnë qytetarët faturat, apo bizneset pagat? Qeveria të bëjë rimbursim, por ja çfarë janë urgjente tani. Shihni modelin e Taivanit

nga Editor

Nga Eduard HALIMI

Marash LOGU

Prej datës 09.03.2020, ora 00:30 kur Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale njoftoi zyrtarisht dy rastet e para me COVID-19, Shqipëria është duke kaluar një situatë të pazakontë.Ankthi se mos njerëzit e afërt janë prekur, apo si do të përballemi me “armikun e padukshëm” është i pranishëm. Lajmet që vijnë nga Italia, kronikat, tregimet, shifrat e rrisin ankthin. Refuzimi i autoriteteve për të kthyer testin në rutinë për arsye, të cilat nuk do t’i analizojmë në këtë shkrim e shtojnë ankthin.

Sytë e të gjithëve sot janë drejtuar tek mjekët. Ata janë heronjtë e ditëve tona, tek ata i kemi të gjithë sytë, vëmendjen, mirënjohjen, lutjet, falënderimet. Shumë prej nesh jemi në shtëpi të izoluar duke ndjekur këshillat e mjekëve dhe urdhërimet e Qeverisë. Jemi me fëmijët dhe të afërmit.Padyshim, që falënderimemeritojnë edhe ata të cilët ndryshe nga ne, nuk janë me të afërmit e tyre. Ashtu, si mjekët që kanë lënë fëmijët e tyre dhe shkojnë të luftojnë me “armikun”, edhe policët kanë lënë familjet për të siguruar mbrojtjen nga përhapja. Edhe ata duhet t’i falënderojmë, ashtu si edhe shërbimet e tjera, dhe këdo tjetër që po bën më shumë se ne.

Por, qëllimi im primar kur u ula të shkruaj nuk ishte falënderimi. Të gjithë ata e dinë sesi po luftojnë dhe mundt’ia dalin edhe pa falënderime. Sot padyshim, që fjalën e kanë mjekët dhe jam ibindur se secili prej tyre po bën maksimumin që të shërojë cdo të sëmurë. Por, qëllimi im është që të flas edhe për ata që nuk janë prekur nga COVID-19. Një ditë më parë, kolegu im Arlindi botoi një shkrim “Detyrimet po i zbatojmë! Po të drejtat?”, duke ngritur disa problemeshumë të rëndësishme.

Shumë njerëz sot pyesin nëse mund ta humbasin vendin e punës, nëse nuk shkojnë në punë, a do të paguhen më pak? A ka ndonjë ligj që i mbron? Përgjigjet e këtyre pyetjeve i përkasin institucioneve shtetërore, dhe jo sektorit privat në të cilin unë punoj prej 2 vitesh. Sot një numër i madh klientësh (ne punojmë vetëm me korporata të huaja dhe vendase) na kishin shkruar se cfarë do të bëhej në Shqipëri, cili ishte kuadri ligjor, si duhet të silleshin në raport me punonjësit e tyre, autoritetet etj.

Para se të ulesha të shkruaja, bashkë me Marashin, Presidentin e ELSA, biseduam (“online” sigurisht) me rrjetin e avokatëve që ne punojmë, për të hartuar një strategji për të “kuruar” kompanitë nga efektet e pandemisë. I kërkuam të gjithë kompanive që kemi klientë që të jenë fleksibël në këto momente të vështira. Morëm dhe studiuam modelet e një sërë vendesh në botë dhe mënyrën sesi po i përballojnë cështjet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Pra, qëllimi im është të flas për të drejtat e individëve duke shpresuar se ky shkrim do të jetë vetëm dobiprurës. Ky shkrim nuk ka për qëllim të kritikojë Qeverinë për atë që s’ka bërë mirë apo si duhej ta bënte më mirë. Qëllimi është të sjellim në vëmendje se të drejtat e njeriut nuk janë një cështje dytësore në rastin e fatkeqësive kombëtare apo ndërkombëtare. Ne synojmë të sjellim disa modele të BE-së apo më gjërë duke nxitur autoritetet që t’i ndjekin ato dhe të clirojnë nga ankthi qytetarët për të sotmen e të nesërmen.

Padyshim, shpallja e gjendjes së epidemisë na ka vendosur në një situatë, që ka sjellë ndërprerjen e cdo lloj shkalle të funksionimit të komunitetit, cka sjell humbje të mundshme njerëzore, materiale dhe ekonomike. Sidoqoftë, cdo person gëzon të drejtën e mbrojtjes nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësi të tjera masive, përfshirë epideminë. Mbrojtja dhe shpëtimi i jetës së njerëzve kanë prioritet mbi cdo aktivitet tjetër të mbrojtjes civile.

Mbyllja e shkollave rezultoi në detyrimin e prindërve për të qëndruar në shtëpi apo pamundësinë për të punuar. Vetëizolimi apo pamundësia për të punuar mund të rezultojë në humbje të punës dhe pagës. Kujdesi shëndetësor për njerëzit që vuajnë nga sëmundje kronike ose kushte të vështira mund të pengohen nga angazhimi në betejën kundër koronavirusit. Ndalimi për të udhëtuar ose bërë tregti mund të ketë impakt të madh, vecanërisht për bizneset e vogla dhe të mesme, punonjësit e tyre dhe të vetëpunësuarit. Shumë prej tyre mund të humbasin punën. Njerëzit, të cilët mezi sigurojnë mbijetesën, mund të shtyhen lehtësisht në buzë të greminës nga masat që mund të adoptohen për parandalimin e virusit.” – tha në datën 6 Mars 2020, Komisionerja e Lartë për të Drejtat e Njeriut Michelle Bachelet (Presidente e Kilit 2006 – 2010).

Kuadri ligjor shqiptar është i plotë dhe në përputhje me legjislacionin e BE-së. Ligji Nr. 15/2016 “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektiveështë një përafrim me legjislacionin e Bashkimit Evropian, Vendimit Nr. 1082/2013/BE të Parlamentit Evropian dhe Këshillit “Mbi kërcënimet serioze ndërkufitare për shëndetin”, dhe Vendimin e Komisionit (2000/96/KE), datë 22 Dhjetor 1999, “Mbi sëmundjet e transmetueshme që do të mbulohen në mënyrë progressive nga rrjeti i Komunitetit”, sipas vendimit Nr. 2119/98/KE të Parlamentit Evropian dhe Këshillit. Ligji Nr. 45/2019 “Për mbrojtjen civile” është po ashtu një përafrim me legjislacionin e BE-së. Unë e kam analizuar atë në një shkrim të mëparshëm lidhur me tërmetet e Nëntor 2019.

Ligji Nr. 15/2016 “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive” synon të përcaktojë masat e përgjithshme dhe të vecanta që duhet të vendosen me qëllim parandalimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive. Në këtë ligj janë përcaktuar se cfarë është epidemia, izolimi, karantina, pandemia etj., terma të cilët i dëgjojmë shpesh në media këto ditë. Po ashtu, ligji sanksionon strukturat dhe institucionet kompetente për marrjen dhe zbatimin e masave gjatë gjendjes së epidemisë, duke i dhënë një rol parësor Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Institutit të Shëndetit Publik. Ky ligj përmban në vetvete detyrime të shumta si për institucionet shtetërore, ashtu edhe për sipërmarrjet private dhe qytetarët. Megjithatë, si ligji ashtu edhe aktet normative të qeverisë përcaktojnë vetëm detyrime dhe nuk merren me të drejtat. Padyshim, se kjo që po ndodh nuk i kishte shkuar ndër mend askujt. As mua që duhet ta kem votuar këtë ligj, kur kam qenë ligjvënës.

Por, ajo që mund të them sot ështëse përpjekjet për të luftuar koronavirusin nuk do të funksionojnë nëse nuk tregohet kujdes i madh për të mbrojtur njerëzit më vulnerabël dhe të neglizhuar në shoqëri. Të tillë njerëz përfshijnë qytetatët me të ardhura të ulëta, popullsinë e izoluar në zonat rurale, njerëzit me kushte të dobëta shëndetësore, njerëzit me aftësi të kufizuara dhe tëvetmuarit, ashtu si me te drejtë analizoi një javë më parëKomisionerja e të Drejtave të Njeriut.

Komisionerja Bachelet u bëri thirrje Qeverive të jenë të gatshme për t’u përgjigjur në një sërë mënyrash ndaj pasojave të padëshiruara tëmasave kundër koronavirusit. Bizneset duhet gjithashtu të luajnë një rol, duke u përgjigjur me fleksibilitet ndaj impaktit që mund të kenë masat ndaj punonjësve të tyre. Burimet financiare duhen adresuar te mbrojtja shoqërore në mënyrë që njerëzit të mbijetojnë ekonomikisht përgjatë asaj që mund të jetë një krizë e gjatë. Për të luftuar në mënyrë efikase shpërndarjen duhet siguruar që cdokush do të ketë akses në trajtimin shëndetësor, dhe askujt nuk do t’i mohohet kjo e drejtë për shkak se nuk mund të paguajë ose për shkak paragjykimi. Qeveritë duhet të sigurohen që informacioni i nevojshëm do të arrijë tek cdokush pa përjashtim, në formate dhe gjuhë lehtësisht të kuptueshme, dhe të përshtatura për njerëzit me nevoja të vecanta, të tillë si fëmijët, njerëzit që nuk shohin apo dëgjojnë, njerëzit më aftësi të kufizuara apo ata që nuk lexojnë dot.

  • MODELET

Kjo thirrje e Komisioneres së Lartë për të Drejtat e Njeriut vjen edhe pas një sërë raportimesh nga mediat ndërkombëtare, se masat e ndërmarra nga Kina ishin drastike, por njëkohësisht në shkelje tëtë drejtave të njeriut, të tilla si e drejta e informimit, liria e shprehjes, e drejta për kujdes shëndetësor etj. Kjo mënyrë reagimi e Qeverisë kineze detyroi Komisioneren, por edhe organizata ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut të kërkonin që masat e marra kundër koronavirusit të respektonin të drejtat e njeriut.

Në fakt, një shembull pozitiv i marrjes së masave të shpejta, efikase duke respektuar gjithë aq të drejtat e njeriut që ne do të donim të evidentonim,është Taivani. Qeveria e Taivanit po u ofron njerëzve informacion të saktë dhe të përditësuar lidhur me gjendjen, dhe ka vënë në dispozicion linja telefonike për të adresuar problematikat e qytetarëve. Ministria përgjegjëse për dixhitalizimin krijoi një aplikacion për masat e fytyrës në mënyrë që qytetarët të kishin akses të barabartë te ky produkt. Po ashtu, Qeveria taivaneze dërgon “pako kujdesi” për njerëzit që janë në karantinë, të cilat përfshijnë ushqime, maska, broshura informuese me mbishkrimin “mos u frikëso, ne do të kujdesemi për ty”. Ky model i aplikuar nga Qeveria e Taivanit është një balancë demokratike ndërmjet masave kundër COVID-19 dhe respektit për të drejtat e njeriut.

Pas një përhapjeje me shpejtësi të COVID-19 në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, Komisioni po bën përpjekje për një përgjigje të unifikuar dhe koordinuar për përballimin e pasojave ekonomike që do të ketë kjo gjendje në ekonominë e BE-së. Në datën 13.03.2020, Komisioni Evropian shpalli masat që do të ndërmerren në mënyrë të koordinuar nga shtetet anëtare për të luftuar pasojat ekonomike të koronavirusit. Komisioni inkurajonte shtetet anëtare për të marra masa të shpejta dhe efektive për të mbështetur qytetarët dhe kompanitë, të cilat po hasnin vështirësi gjatë kohës së shpërthimit të virusit. Ndër masat e marra mund të ishin subvencionimi i pagave, pezullimi i pagesës së tatimit mbi fitimin, tatimit mbi vlerën e shtuar, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Po ashtu, shtetet anëtare mund të ofrojnë mbështetje financiare për shërbimet dhe biletat e anulluara për shkak të COVID-19. Shtetet mund të ofrojnë ndihmë dhe mbështetje për kompanitë që kanë probleme me likuiditetin apo të tjera që janë në prag falimentimi.

Bazuar në nenin 107(2)(b) të Traktatit Themelues të BE-së shtetet mund të kompensojnë kompanitë për dëmet e shkaktuara nga dukturi të jashtëzakonshme, përfshirë masat në sektorët e aviacionit apo turizmit. Duke pasur parasysh situatën e Italisë, Komisioni Evropian vendosi të aplikojë nenin 107(3)(b) që aplikohet vetëm në rastet kur një shtet po kalon probleme të rënda ekonomike. Komisioni Evropian shprehu gatishmërinë për të ndihmuar shtetet anëtare në rast të aplikimit të politikave fiskale që synojnë lehtësimin e kompanive dhe punonjësve. Për mbrojtjen e punonjësve nga humbja e punës dhe të ardhurave, Komisioni do të mbështesë Shtetet Anëtare me skema punësimi afatshkurta, programe trajnimi dhe riafrësimi që janë provuar efikase në të kaluarën.

Përvec përpjekjeve për marrjen e masave në mënyrë të unifikuar nga vendet anëtare të BE-së, kryesisht me karakter ekonomik, secili prej shteteve po bën përpjekjet e saj në nivel kombëtar për përballimin në mënyrën më të mirë të mundshme dhe me sa më pak pasoja të gjendjes. Duke filluar nga shteti më i prekur në Evropë. Italia ka aprovuar tashmë një fond prej 25 miliardë Euro që synon t’u vijë në ndihmë punonjësve që kanë ndërprerë përkohësisht punën, krijimin e një fondi garanci për dhënie huaje për kompanitë e vogla dhe të mesme, kompensim për firmat xhiroja e të cilave ka rënënën 25%, ndihma për qiramarrësit. Franca ka deklaruar një mobilizim total duke u ofruar rimbursim për sipërmarrjet shtetërore dhe private, rimbursimi i punonjësve dhe profesionistëve të lirë, ndihmë për të papunët dhe familjet në nevojë dhe pagesë për prindin që duhet të kujdeset për fëmijët që nuk janë në shkollë. Qeveria gjermane ka akorduar një fond prej 500 miliardë Euro ose 6 025 Euro/fyrmë dhe është ofruar e gatshme që të mbulojë cdo nevojë që mund të paraqitet për qytetarët dhe bizneset. Spanja ka akorduar 3.8 miliardë Euro ndihma në nivel qëndror dhe rajonal për përballimin e krizës, ndërkohë është premtuar mbështetje financiare për kompanitë që veprojnë në fushën e turizmit, të cilat kanë pësuar humbje. Austria ka akorduar 4 miliardë Euro për biznesin, tregun e punës, punonjësit, rendin publik, të ardhurat etj. Por, edhe më tej përtej Evropës, Kanadaja ka akorduar një fond prej 20 miliardë dollar, të cilat do të përdoren për të blerë ilace, ushqime, paguar qiranë, përkujdesje për fëmijët dhe të moshuarit.

  • REKOMANDIME

Organizata e Kombeve të Bashkuara, nëpërmjet Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut, Bashkimi Evropian, Italia, Franca, Gjermania, Spanja, Austria, Kanadaja, Taivani etj., janë shembuj kuptimplotë se masat në betejën kundër koronavirusit nuk mund të jenë vecse në sektorin shëndetësor apo rendit publik. Si të tilla, ato janë të pamjaftueshme, ngarkojnë qytetarët dhe bizneset me detyrime të shumta, pa mundur të adresojnë shqetësimet e tyre dhe për t’u dhënë zë të drejtave të tyre në këtë situatë krize. Në këtë kuptim, Qeveria duhet të fokusohet tek plani ekonomik për adresimin e shqetësimit tëqytetarëvedhe bizneseve sa më shpejtë të jetë e mundur.Dinjiteti njerëzor dhe të drejtat e njeriut duhet të jenë në qendër të masave kundër koronivirusit, dhe jo një mendim i mëvonshëm – thotë Komisionerja e Lartë për Drejtat e Njeriut Bachelet.

Mungesa e informacionit të saktë dhe të përditësuar shkakton ankth dhe shqetësim te qytetarët dhe bizneset. E drejta e informimit është një ndër të drejtat themelore në një shtet të së drejtës dhe shoqëri demokratike, e sanksionuar në nenin 23 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe nenit 10 të KEDNJ. Informimi i qytetarëve gjatë gjendjes së epidemisëështë një detyrim ligjor që buron nga neni 6 i ligjit Nr. 15/2016. Prandaj, Qeveria shqiptare duhet që nëpërmjet një strukture të ngritur posacërisht, të informojë në mënyrë të vazhdueshme dhe periodike qytetarët lidhur me të gjitha përditësimet mbi gjendjen e epidemisë. Italia, informon cdo ditë në orën 18.00 nëpërmjet Komitetit të Mbrojtjes Civile mbi gjithcka, në një mënyrë të kuptueshme edhe për njerëzit me aftësi të vecanta apo ata që nuk dëgjojnë. Informacioni duhet të jetë në formate dhe gjuhë të kuptueshme, e përshtatur për njerëzit me nevoja të vecanta, të tillë si fëmijët, njerëzit që nuk shohin apo dëgjojnë, njerëzit me aftësi të kufizuara apo ata që nuk lexojnë dot. Dalja në konferencë për shtyp e një përfaqësuesi të Ministrisë së Shëndetësisëvetëm njëherë në 24 orëduket e pamjaftueshme, qoftë në kuptim të përditësimit të informacionit, ashtu edhe tek aksesi i informacionit për njerëzit me nevoja të vecanta.

Shumë familje, qoftë për shkak të kushteve ekonomike apo pamundësive objektive për të vajtur në dyqane, mund të gjenden me mungesa të produkteve ushqimore. Ky është një problem urgjent, për të cilin Qeveria duhet të ofrojë zgjidhje të menjëhershme. Modeli i zbatuar nga Qeveria e Taivanit nëpërmjet dërgimit të “pakove të kujdesit”, që përfshijnë ushqime, maska dhe broshura informuese mund te ishte model i mire. Këto “pako kujdesi” duhen shpërndarë nga strukturat qëndrore në bashkëpunim me organet vendore tek familjet në nevojë, ata që përfitojnë përkrahje sociale, të sëmurët, pensionistët, të vetmuarit, të izoluarit në zona rurale, si dhe tek kushdo tjetër që për arsye objektive nuk mund të sigurojë vetë produktet ushqimore të nevojshme. Sigurimi i ushqimit për qytetarët është detyrë parësore e Qeverisë, dhe në këtë kuadër veprimet duhet të jenë të shpejta dhe efikase për të siguruar në kohë mbulimin e nevojave.

Një tjetër nevojë urgjente, të cilës Qeveria duhet t’i japë një përgjigje të shpejtëështë furnizimi i popullsisë me medikamente. Ashtu sic bëri Qeveria në Kanada, Qeveria shqiptare duhet të akordojë një fond të posacëm për blerjen e ilaceve, të cilat më pas do të duhet t’u shpërndahen qytetarëve në shtëpi. Kjo nënkupton qoftë medikamente apo produkte farmaceutike që mund t’i duhen cdo qytetari të zakonshëm, per te luftuar COVID-19 ashtu si edhe medikamentet e nevojshme për qytetarët që vuajnë nga sëmundje kronike. Medikamentet e përgjithshme të tilla si qetësues, maska, dizinfektues etj., mund të dërgohen nëpërmjet “pakove të kujdesit”, ndërsa medikamentet e posacme duhen dërguar në mënyrë të dedikuar sipas recetave të personave që vuajnë nga sëmundjet.

Përvec informimit, ushqimeve dhe ilaceve, shumë familje shqiptare janë të shqetësuara për pagesën e faturave të energjisë elektrike dhe ujit. Qeveria duhet të marrë masa që përsa kohë vazhdon gjendja e epidemisë, të pezullohen pagesat e faturave mujore, të cilat rëndojnë edhe më tej gjendjen/xhepat e qytetarëve gjatë këtyre ditëve. Kjo bëhet vecanërisht e rëndësishme po të merret në konsideratë fakti se për shkak të karantinës, shumë qytetarë kanë ndërprerë punën, cka nënkupton edhe humbjen e punës apo të ardhurave. Në këto kushte, ekziston pamundësia objektive për përballimin e kostove që vijnë nga faturat mujore. Kështu që, masat e Qeverisë duhet të shtrihen në dy drejtime, ashtu sic kanë bërë një pjesë e madhe e vendeve evropiane dhe ka rekomanduar Komisioni Evropian. Qeveria mund të pezullojë pagesën e faturave, duke parë mundësinë e rimbursimit të pjesësshëm apo të plotë të tyre nga njëra anë, ndërsa nga ana tjetër, Qeveria mund të marrë masa për të rimbursuar pagat apo të ardhurat që qytetarët nuk mund të sigurojnë nga puna.

Përvec individëve dhe familjeve, bizneset shqiptare po përballen dhe do të përballen me vështirësi të shumta nga gjendja e shkaktuar nga koronavirusi. Kështu, bizneset janë të shqetësuara si do të paguajnë pagat e punonjësve, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të tyre, faturat mujore dhe detyrimet fiskale. Në lidhje me pagat dhe detyrimet që rrjedhin nga to, sic shpjeguam edhe më lart, Qeveria duhet të marrë masa për rimbursimin e plotë të tyre. Lidhur me faturat mujore dhe detyrimet fiskale, ashtu sic ka vepruar Franca, Spanja, Austria etj., dhe sic rekomandon Komisioni Evropian, Qeveria shqiptare duhet të ofrojë lehtësira fiskale gjatë kësaj periudhe duke shkuar drejt pezullimit të pagesës së detyrimeve fiskale deri në përfundim të gjendjes. Por jo vetëm kaq, fondi qeveritar duhet të parashikojë mundësinë e dhënies së mbështetjes financiare dhe kredive të buta të biznesve, të cilat për shkak të situatës mund të ndodhen në vështirësi të mëdha likuiditeti apo prag falimenti, vecanërisht për bizneset që operojnë në fushën e transportit dhe turizmit, që i vuajnë më së shumti pasojat e gjendjes së epidemisë.

Të drejtat e propozuara më lart bazuar në modelet e zbatuara nga Komisioneri i Lartë për të Drejtat e Njeriut, Bashkimi Evropian, Gjermania, Franca, Italia, Spanja, Austria, Kanadaja, Taivani etj., duhen sanksionuar në një kohë sa më të shkurtër nga autoritetet shqiptare në akte ligjore dhe të fillojë zbatimi i menjëhershëm i tyre. Megjithëse, me rezultate pozitive në vendet ku janë aplikuar, ato janë gjithësesi të pamjaftueshme për të ofruar zgjidhje për cdo problem që mund të shfaqet gjatë ditëve në vijim. Prandaj krahas detyrimeve dhe masave shtrënguese për qytetarët dhe bizneset, autoritet duhet të garantojnë edhe të drejtat e tyre. Parimi që duhet të udhëheqë Qeverinë shqiptare, si në cdo vend demokratik, është thirrja e Komisioneres së Lartë për të Drejtat e Njeriut Michelle Bachelet “Dinjiteti njerëzor dhe të drejtat e njeriut duhet të jenë në qendër të masave kundër koronavirusit dhe jo një cështje dytësore”.

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!