Home Aktualitet “Qindra qytetarë i kapi në befasi jashtë Shqipërisë’’, Bushati: Të mundësojmë kthimin e tyre në atdhe, mos penalizohen se tejkaluan periudhën 90 ditore në Schengen

“Qindra qytetarë i kapi në befasi jashtë Shqipërisë’’, Bushati: Të mundësojmë kthimin e tyre në atdhe, mos penalizohen se tejkaluan periudhën 90 ditore në Schengen

nga Editor

Ish- ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka ngritur shqetësimin lidhur me qytetarët shqiptarë që në befasi u kapën jashtë kufijve të Shqipërisë prej situatës me koronavirusin.

Në këtë situatë Bushati shprehet se duhet mundësuar kthimi i tyre në Shqipëri si dhe për ata që kanë tejkaluar afatin e periudhës 90 ditore në zonën Shengen nuk duhet të penalizohen pasi kjo është një situatë që nuk dihet se kur do mbarojë.

STATUSI I DITMIR BUSHATIT

Të dashur bashkëatdhetarë,

Jemi të gjithë sot në një situatë të paprecedentë sepse e tillë është vetë natyra e kësaj Pandemie që s’njeh kufij dhe që ka detyruar e po detyron një e nga një shtetet t’i mbyllin ato.

Masat e ndërmarra janë të domosdoshme megjithëse kanë shkaktuar vështirësi në funksionimin e rrjedhës normale të jetës. Jeta, shëndeti dhe siguria e çdo qytetari ka përparësi absolute.

Por besoj se krahas masave shtrënguese të pashmangshme, duhet të gjejmë edhe mjete e mënyra për të ndihmuar çdo bashkëatdhetar, aty ku janë mundësitë.

E kam fjalën pikërisht për ato qindra qytetarë shqiptarë që kjo situatë i gjeti në befasi jashtë vendit. Dikë në udhëtim në kufijtë kohor të qëndrimit të lejuar brenda zonës Schengen, dikë për trajtim mjekësor e dikë tjetër për qëllime studimi. Këta qytetarë me të drejtë kërkojnë të kthehen një orë e më parë në Shqipëri pranë familjeve të tyre.

Në kushtet kur kthimi në atdhe duket një mision i pamundur, është i nevojshëm informimi i tyre, qartësimi i procedurave dhe rrugëve që mundëson kthimin e tyre në atdhe në përputhje me praktikat ndërkombëtare për situata të tilla.

Po kështu, duhet kërkuar ndihma e Komisionit Europian dhe Vendeve Anëtare të BE-së që askush prej shetatasve shqiptar të mos penalizohet në rastet e tejkalimit të periudhës 90 ditore në zonën Schengen.

Ne nuk mund të parashikojmë se sa do të zgjas kjo situatë. Por, duhet të evidentojmë rastet e bashkëatdhetarëve të mbetur jashtë Shqipërisë për shkak të kësaj situate dhe përmes bashkëpunimit ndërshtetëror të sigurojmë një kalim të sigurtë që mundëson kthimin e qytetarëve në atdhe.

Me kurajë, ndërgjegjësim e solidaritet do ta kalojmë edhe këtë situatë!

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!