Home Aktualitet Ne i lamë duart, po ti a e lave gojën?

Ne i lamë duart, po ti a e lave gojën?

nga Editor

Sms në telefonin e ngarkuar vetëm me lajme coronavirusi. Edi Rama jam…”lani duart”-shkruan ndër të tjera. Pa kaluar gjatë i bie telefonit të bashkëshortes, nënës, motrës, vëllait, kushëririt, shokut e mikut, por prap të del kryeministri Edi Rama në një mesazh zanor…po për spektaklin e tij “luftëtari i Surrelit përballë COVID-19”.

Dhe sot ai po kujtohet për mjekët dhe infermieret, po veç tij edhe shoqëria e mbyllur në shtëpi nga kjo “murtajë” e shekullit 21. Ne i kemi larë duart qoftë edhe me atë pikëz uji të ndotur që vjen nga Bashkia Tiranë. I kemi larë me detergjentin që e kemi blerë fort shtrenjt, nga abuzimi i atyre oligarkëve të produkteve ushqimore apo farmaceutike që venë dhjamë nën izmin e kryeministrit të spektaklit.

Ka kohë të meditojë nën muret e trasha të kalasë moderne nën një brinjë të vogël pranë Surrelit në Tiranë. Kryeministri Edi Rama u drejtua nga mjekët, ata që i paguan 70 mijë lekë në muaj, kthen sytë nga infermieret të cilave u ofron lëmoshën 40 mijë lekë në muaj, do edhe ndihmën e asaj sanitares që të fshin pisllëkun e dukshëm, por jo mikrobin e abuzimeve në administratën e spitaleve në Tiranë apo kudo tjetër.

Sot kërkon ndihmën e specialistit, mjekut apo infermieres së keqpaguar, anatemuar dhe mbajtur gjithnjë nën trysninë e nëpënësve të Rilindjes tënde që futi në “karantinë” 7-vjeçare një shoqëri të tërë. Rilindja ka vrarë konkurrencën dhe meritën.

Aktualisht në QSUT ka marrë disi vlerë bluza e bardhë e mjekut apo ajo e kaltër e infermieres, por deri dje, para se të shfaqeshin rastet me virusin”COVID”-19, që ka gjunjëzuar edhe botën e zhvilluar, “ngjyra” e vetme që bënte ligjin e pashkruar gjëkundi ishte harbutëria dhe abuzimi i nëpunësve të tu…

Tendera të pafundme ilaçesh, rikonstruksionesh, apo koncesione të rënda ishin “coronavirusi” që vrau shëndetësinë tonë. Po ikin profesionistët në shëndetësi drejt Gjermanisë jo vetëm për një pagë më të mirë, por edhe për dinjitetin që ua shkel çdo ditë një administrator, një drejtor, apo një kordinatornëpër spitale që se njeh fare shëndetësinë por vetëm partinë. Vjen si eksperiencë nga Garda, ekonomist, jurist që për diplomë ka teserën e partisë, ndërsa për korrikulum liket dhe sheret e shumta që shpërndan për anëtarët e qeverisë.

Pikërisht ky soj nëpunësi bën batërdinë psikologjike mbi mjekë e infermierë. Sepse ai është i partisë dhe i parisë…

Po sot ti u “përunjesh” për spektakël dhe propagandë mjekëve dhe infermierëve të cilët vërtetë janë më të rrezikuarit, që kanë lënë familjet e tyre, shpesh edhe fëmijë të vegjël dhe mbyllen në atë karantinë spital, duke mbajtur në hundë atë maskën e skaduar që qeveria ua shpërndau paturpësisht.

Po, ne qytetarët i lamë duart, madje me “ujin e mirë të Selitës”. Sepse “embargo” i keni vendosur lëvizjeve, por i keni lënë të livadhisin lagje më lagje autobotet që shesin ujë, pasi ai që vjen në çezma është i ndotur, e për më shumë ka thyer edhe “shkencën”, pasi në Tiranë uji ka erë (të keqe), madje edhe “ngjyrë” (ndryshk). Lali Eri i Bashkisë së Tiranës ka nxjerrë në qarkullim edhe një makinë që lutet që njerëzit të qëndrojnë në shtëpi, por janë edhe shumë autobote që të lajmërojnë: “erdhi uji, uji mirë i Selitës”.

Po, shumë qytetarë i kanë ndjekur rregullat, po ju a e latë gojën para se të flisni për mjekët dhe infermierët, për qytetarët e ngujuar në shtëpi që shohin thesin e miellit që po zbrazet dhe mbajnë sytë nga TV, ku shfaqeni ju që na sugjeroni të lajmë duart! Laje gojën qeveri, virusi më i keq se vetë coronavirusi është propaganda!

Nga Boldnews.al

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!