Home Aktualitet Mjeku im, heroi im

Mjeku im, heroi im

nga Editor

Nga Agim Xhafka – 

Doktor Blerimit para tre muajsh i trokiti te kabineti i tij përgjegjësi i qendrës shëndetësore.

-E mbushe moshën, duhet të dalësh në pension se nuk të paguaj dot nga sot e tutje. Ti e kupton, shteti kështu e ka rregullin.

-E di, e di. Po kam 40 vjet punë këtu e se si do më duket të mos vij më çdo mëngjes, – psherëtiu Blerimi.

-Ah, sa mirë të të kishim akoma nga që mjek veç ti dhe unë mbetëm. Të tjerët ikën në Tiranë ose në Gjermani.

Mblodhi veglat e ca blloqe recetash, palosi përparësen e bardhë e eci drejt shtëpisë. Rrugës e përshëndetnin të gjithë se qyteza aq banorë kish, por edhe që thuajse të gjithë i kishte vizituar. Ua dinte dhimbjet dhe historinë e sëmundjeve.

Gruaja e priste e gëzuar.

-Javën që vjen ikim te Sokoli në Amerikë. E kemi nxjerrë vizën qysh vjet dhe mbetëm këtu. Na ka marrë malli për djalin.

Besimi tundi kokën dhe po shihte kot nga televizori. Sa mbaruan drekën i ra celulari.

-Po nuk punoj më, dola në pension, -i fliste dikujt.- Po mirë sille te ambulanca e po shoh.

-Ishte Gaqo, ka nipin me temperaturë të lartë. Po iki ta vizitoj, – i foli gruas.

Dhe kështu si padashur thuajse çdo ditë shkonte te puna e vet. Te ajo dhomë, me atë rutinë, me ato halle të njerëzve. Veç tani nuk paguhej, kjo ishte e veçanta. Po nuk mërzitej. Mjafton që u zgjidh halle njerëzve, mendonte.

Vajtjen në Amerikë e shtyu pa datë. Javët po ecnin shpejt, nuk kuptonte se kishte dalë në pension. E ndjente kur shkonte te barakja e postës të tërhiqte pagën. Ishte pak, shumë pak, po djali niste ca dollarë me wester union. Dhe jetonin normal. Të qetë e te dobishëm për njerëzit. Deri sa një ditë shefi hyri si vjedhurazi te dhoma e vizitave dhe i foli me sytë përdhe:

-Duhet mos e ndezësh këtë furnelën elektrike. Nuk kemi buxhet për të.

-Po fëmijët mbërdhijnë se zhvishen kur i vizitoj.

-E di, e di, por…-dhe doli.

U nxeh e vendosi të nesërmen mos të vinte fare, të rrinte në shtëpi. Ashtu bëri deri nga ora dhjetë. Pastaj luajti vendit e doli të ç’pinte këmbët. Ato e çuan nga ambulanca. Te dera po e prisnin në radhë mbi tetë veta. Burra, gra, më shumë fëmijë. Shkoi me vrap dhe nisi punën. Po furnelën e ndezi.

E ngrohu dhomën.

Të nesërmen ishte dita e marrjes së pensionit. Sa futi në kuletë ato pak lekë shkoi te dyqani i Mitit. Bleu një sobë me gaz, një bombol dhe e çoi te klinika. Bëri provë, u gëzua si atëherë kur blenë televizorin, që shtruan darkë me shoqërinë se ishte ngjarje e madhe.

Në shtëpi e shoqja po e shihte nga duart. Priste pensionin se e dinte ditën. Po Blerimi ia priti:

-Do na i vonojnë ca ditë. Ka pasur corona virusi e qarkullimi, e di vetë ti se e ke parë te lajmet.

Ndjente kaq lumturi sa soba i dukej më e rëndësishme se televizori. U shtri sa të dremiste pak, pasdite do bënte vizita, por dhe do i shkruante sms të birit.

Na i dërgo një javë më parë paratë e muajit se bleva një sobë për ambulancën.

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!