Home Aktualitet DINJITETI I RIKTHYER

DINJITETI I RIKTHYER

nga Editor

Nga Gentian Çala

Këto ditë kam parë shumë mesazhe në mbështetje të mjekëve dhe të stafeve shëndetësore. Duket si një fushatë kërkim-falje dhe rikthimi të dinjitetit të nëpërkëmbur. Ata që deri dje konsideroheshin si “të pashpirt” dhe “lekistë”, duket se janë shpëtimi i vetëm dhe të vetësakrifikuarit për të na shpëtuar të gjithëve ne. Ndjesa pranohet!

Ky është moment reflektimi për ziliqarët, të dëshpëruarit, të pikëlluarit, të pashpresët, zemërngushtët, e këdo tjetër që i ka fajësuar ata për hallin e tyre, për fatin e tyre të keq, për situatën e pashpresë apo për humbjen e njeriut të dashur. Për hir të së vërtetës, dikush nga ne, mjekët apo profesionistët shëndetësorë edhe mund ta meritonte zemërimin tuaj, por ata janë vetëm disa, një pakicë. Pjesa më e madhe meriton të trajtohet me dinjitet.

Sot balta e djeshme duhet fshirë dhe dinjiteti duhet rikthyer. Jo vetëm nga populli, por edhe nga ata që qeverisin. Ata duhet mendojnë se “heronjtë bluzëbardhë” duhen trajtuar më me dinjitet, me paga më të larta dhe kushte më të mira pune. Ky është momenti që vendimmarrësit të reflektojnë për fondet e ndara për shëndetësinë, për mënyrën e menaxhimit dhe të shpërndarjes së tyre, për investimet dhe politikat shëndetësore. Në vend të lugës bosh dhe përdorimit të shëndetësisë, ky është momenti për të bërë “mea culpa”, sepse një pjesë e baltës e hedhur mbi ne është për fajin tuaj o njerëz që qeverisni.

Ne, nuk jemi as heronj dhe as lapangjozë, por njerëz që mundohemi të bëjmë punën tonë me dinjitet. Ndaj na trajtoni ashtu si jemi, mos na nëpërkëmbni dhe as mos na hyjnizoni. Sakrifica duhet çmuar, profesionalizmi duhet dëgjuar, puna duhet mbështetur.
Kaq kërkojmë!
Më vjen keq që u desh kjo pandemi, për ta kuptuar se ne kemi qenë aty gjithmonë, të njëjtët, por ju keni arritur vetëm të shihni anën që e kemi me pakicë. Ne nuk ju jemi mërzitur, përkundrazi ju falenderojmë për rikthimin e dinjitetit.

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!