Home Aktualitet JU PËRQAFON NGA LARG…

JU PËRQAFON NGA LARG…

nga Editor

Nga Gentian Çala

Nga larg, se nga afër na ka bërë ta urrejmë. Jo individin Rama, por Kryeministrin aktual të Shqipërisë. Për një arsye të thjeshtë, për shkak se në 7 vite të qeverisjes së tij veç u hoqëm zvarrë, as u përmirësuam në asnjë aspekt, bëmë hapa pas në shumë indikatorë. Kjo, jo vetëm që nuk e skuqi, nuk e bëri të reflektonte, por përkundrazi e bëri më të keq dhe më pak të pavarur. Nga çfarë është i varur do të hamendësonit ju?! Nga drogat? Nuk e di, nuk i kam mbajtur pishën! Nga pushteti, nga paratë dhe nga krimi po, ai është i varur. Ai është peng edhe i mendjes së tij, futur në një bunker irealizmi dhe rrethuar nga një aureolë të pavërtetash, ca të cilat i sajon vetë dhe shumë prej tyre ja gatisin ata që ka përreth.

Ka cinizëm dhe hipokrizi ky mesazh. Posaçërisht ndaj atyre që e thonë me zë apo që e mendojnë shpesh frazën “Rama ik”. Sa herë je në hall, je i dashur dhe i dhembshur, por krejtësisht ndryshe kur të kritikojnë. Po Kadrinjtë, rrumpallhanët, kazanët, “what the fuck”-istët, e plot të tjerë si këta, do ti pëqafosh nga larg?! Ti nuk mund të jesh dysh, sepse je vetëm një: Kryeministri më i paaftë dhe më megaloman që kemi pasur. Por ti mendon se fjala jote rrezaton shpresë, kur ajo i fik edhe ato pak drita shprese të ndezura. Sepse ti je një arsye më tepër që shqiptarët të mos besojnë te institucionet e tyre, te autoriteti i tyre i nëpërkëmbur.

Ndaj na kurse or ti. Së paku gjatë këtyre ditëve, na kurse me daljet e tua dhe me llomotitjet në televizion apo përmes mesazheve, sepse lodhesh kot. Ti prishe një kontratë me shqiptarët, plotësisht për fajin tënd dhe të shpurës tënde. Shqiptarët të kanë dëgjuar shumë dhe për fatin tënd të keq ja ke sjellë në majë të hundës. Ata nuk të durojnë më! Ndaj mos u mundo më kot, të bëhesh ai që nuk je. Nuk më vjen mirë që i them këto fjalë, as kënaqësi nuk më japin, por ta dish se “boll më me ty”, nuk e mendoj vetëm unë, por shumë prej tyre që ju erdhi një sms prej teje me frazën “ju përqafoj nga larg”.
Duke qenë se nuk kishim mundësi ta kthenim mesazhin, po e bëj tani përmes këtij shkrimi:
“Faleminderit për këshillat, kryeministri ynë, që nuk ishe as dje dhe as sot i tillë”!

Lajme te ngjashme