Home Aktualitet ‘Ej, shqiptar, mblidh mendjen! – Thirrja rrënqethëse e të ngujuarit nga Milano

‘Ej, shqiptar, mblidh mendjen! – Thirrja rrënqethëse e të ngujuarit nga Milano

nga Editor

Nga Elton Koritari

Ej, shqiptar, mblidh mendjen. Ka ndaluar Milano! A ke ndonjë ide sa vrapon Milano?! Ditët e para janë të skeptikëve, të teoristëve se “është një grip”, të patriotëve të rakisë dhe sidomos të cinikëve të Facebook-ut.

Pastaj vijnë vdekjet e para, por duken gjithsesi të largëta, sikur nuk janë tek Zogu i Zi apo në Allias por ne një botë tjetër.

Fillojnë të ulen ankesat por përsëri i dëgjon si oshëtimë thashethemesh.

Klubet sërish plot, por sikur i kanë mbaruar muhabetet. Vetëm ky grip dhe njerëzit me maska ua shpifën. Thashetheme. “Ja sa të mbarojë. Jeta vazhdon. Këtu do jemi, Shqipëria nuk është Kina…”

Pastaj fillojnë vdekjet masive, dy komshinj në reanimacion, tendat jashtë spitaleve, ushtria në rrugë. Fillon qetësia. Por është vonë…

Sot fillon java e tretë që në Milano jemi në izolim. Sot nuk mund as të largohemi për me shumë se 500 metra nga shtëpia, kemi harruar tashmë drekat, kafet, miqtë, familjarët, jetën siç e jetoni ju. Të duket çudi?!

Të ishte vetëm kaq!

Sot disa spitale duhet të zgjedhin kë të shpëtojnë!

Jo të gjithë fatmirësisht, por drejt asaj po shkojmë çdo orë e më shumë! Probabilisht kush ka sëmundje kronike, kush është në moshë të madhe dhe kush është i dobët, ka pak shanse t’ia dalë dhe ky nuk është me një skandal i cili mund të na revoltojë.

Sot ka mijëra biznese të falimentuar, miliona në prag falimentimi. Por sërish është diçka që na bën thjesht të heshtim. Ka prioritete të tjera.

Ti revoltohu po deshe. Nuk është e thëne që ky skenar të përsëritet në Shqipëri. Madje nuk duhet.

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!