Home Aktualitet Urbanët rrezik për përhapjen e virusit/ Nga boshatisja e tyre te maskat dhe alkooli, si dukej Tirana

Urbanët rrezik për përhapjen e virusit/ Nga boshatisja e tyre te maskat dhe alkooli, si dukej Tirana

nga Editor
bus

BLEONA METUSHI/ Teshtima tri herë me radhë e shoferit të urbanit prishi qetësinë e udhëtarëve të Tiranës, që mëngjesin e djeshëm u zgjuan me lajmin se në Shqipëri janë identifikuar dy persona të infektuar me Covid-19.

Frika dhe tendenca e mbrojtjes së rrugëve të frymëmarrjes me shall dhe me dorë ishte lehtë e dallueshme te qytetarët, të cilët gjatë ditës së djeshme e braktisën deridiku transportin publik. Ndonëse prej javësh alarmi për virusin e ri, që ka vendosur të gjithë botën në gatishmëri, po ndihej edhe në vendin tonë, qytetarët vazhdonin të lëviznin të qetë me mjetet e transportit publik, megjithëse këto të fundit potencialisht janë një nga mënyrat me të lehta për përhapjen. Këshilla më e shpeshtë nga ekspertët për t’u mbrojtur nga koronavirusi i ri, është higjiena personale dhe distancimi nga persona që kanë kollë dhe teshtimë, në kushtet e urbanëve kjo duket e pamundur. 

DEZINFEKTIMI

autobuse dezinfektim

Pasditen e djeshme, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se ishte duke u bërë dezinfektimi i urbanëve, megjithëse në thelb problemi më shumë qëndron në numrin e pasagjerëve që ata mbajnë. “Nis dezinfektimi i autobusëve. Por kini parasysh, kalon nga njeriu te njeriu, jo aq shumë nga autobusi te njeriu! Ndaj, idealisht udhëtimi me biçikletë apo ecja në këmbë është akoma më e shëndetshme si në rast virozësh, ashtu dhe në ditët normale”, tha Veliaj.

Ndërkohë, trafiku dhe numri i pakët i urbanëve çon në vonesa, herë edhe artificiale, duke grumbulluar në stacione një numër të lartë të qytetarëve dhe prodhuar tejmbushjen e tyre. Kryeministri i vendit, Edi Rama, në daljen e mëngjesit në mbledhjen urgjente të qeverisë, përsëriti se strukturat janë të përgatitura dhe të gatshme për përballimin e situatës, një retorikë e ngjashme me atë të Kryeministrit italian, Xhuzepe Conte, në fillimet e shpërthimit të virusit në shtetin fqinj.

MASAT

Duke iu referuar eksperiencave të vendeve të tjera, duket se fitorja ndaj infeksionit është në masat për të bllokuar përhapjen e tij, masa që nga raportimet e fundit nga Kina kanë dhënë efekt. Larja e duarve, dezinfektimi dhe përdorimi i maskave është një proces që prej javësh ka filluar të kryhet nga qytetarët.

Shumë më të shpeshta janë rastet kur era e alkoolit ndihet në urbane, por edhe në rrugë teksa ecën, edhe përdorimi i maskave është bërë i dukshëm dhe sidomos gjatë ditës së djeshme. Por a do të jenë këto të mjaftueshme, që në vendin tonë të mos ketë një shpërthim komunitar të virusit?! Konfirmimi i infektimit të dy personave të parë në vendin tonë, bëri që dje qytetarët të furnizoheshin me ushqime për të shmangur lëvizjet gjatë këtyre ditëve, ndërsa qeveria vendosi të mbyllë shkollat dhe të ndalojë çdo grumbullim.

PUNA

Mirëpo, puna në institucione dhe kompani private do të vazhdojë. Gjatë ditës së djeshme, në ambientet e Gjykatës së Tiranës holli ishte i tejmbushur, ndërsa punonjësit e Policisë vazhdonin punën pa maska e doreza. Njëjtë vazhdoi puna edhe në institucione të tjera, ndoshta më pak të populluara. Edhe në banka, ku ndërveprimi me njerëz është i lartë, puna vazhdoi po njësoj. Një punonjëse arke në një bankë i tha “Panoramës” që prej disa ditësh përdorin masa personale mbrojtëse, por puna vazhdon si çdo ditë. “Megjithëse këto ditë ka pasur më pak klientë”, u shpreh ajo.

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!