Home Aktualitet Qeveria vendos ta kthejë Shtëpinë e Pushimit të Ushtrisë në karantinë. Çfarë përmban vendimi i marrë me urgjencë

Qeveria vendos ta kthejë Shtëpinë e Pushimit të Ushtrisë në karantinë. Çfarë përmban vendimi i marrë me urgjencë

nga Editor

Qeveria ka vendosur të caktojë Shtëpinë e Pushimit të Ushtarakëve në Plepa të Durrësit, si strukturë për shërbimin e karantinës, në funksion të marrjes së masave për parandalimin e përhapjes së infeksionit nga COVID-19.

Në mbledhjen jashtë radhe të Këshillit të Ministrave ngarkohet Ministria e Mbrojtjes për të rikonstruktuar ndërtesën.

Ministria gjithashtu duhet të blejë mallra dhe pajisje për përshtatjen e dhomave për nevoja të karantinës, ndërsa do të sigurohet edhe ushqimi dhe shërbimi i lavanderisë.

Ministrisë së Mbrojtjes, në buxhetin e miratuar për vitin 2020 shtohet, përkatësisht, fondi prej 13 824 000 (trembëdhjetë milionë e tetëqind e njëzet e katër mijë) lekësh dhe 11 000 000 (njëmbëdhjetë milionë) lekësh. Efektet financiare, sipas pikës 3, të këtij vendimi, të përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2020.

“Ministria e Mbrojtjes të koordinojë punën me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për përcaktimin e kushteve/kërkesave për funksionimin optimal të objektit të caktuar si infrastrukturë karantine.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të marrë të gjitha masat për të siguruar shërbimin shëndetësor dhe psikosocial për personat që vendosen në karantinë, sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në vendim, i cili hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

21

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!