Home Shendet SHËNDETËSIA DHE CA HESAPE QEVERIE

SHËNDETËSIA DHE CA HESAPE QEVERIE

nga Albina Hoxhaj

Nga Gentian Çala

Tashmë shëndetësia ka vetëm rekorde të këqia, këtu e kam fjalën jo vetëm: për mbulimin me personel mjekësor (mjekë të familjes, specialistë apo infermierë), as për sasinë e buxhetit që ndahet për shëndetësinë (e shprehur në % të PPB), as në numrin e shtretëve spitalorë, as për cilësinë e medikamanteve që vijnë ngado, as për sasinë e parave që përdorim nga xhepi si shërbime shëndetësore, pasi në këto elementë ne jemi të fundit në Europë. Por unë e kam fjalën edhe për keqpërdorimin e sektorit shëndetësor për përfitime të qeveritarëve dhe të klientëve të tyre.

Le të marrim Mjekët e Familjes, një sektor i pamenaxhuar si duhet, të cilin shumë vende e kanë privatizuar apo e kanë shërbim që mbijeton nga skema e sigurimeve shëndetësore. Të kthyer në burokratë, që më shumë u duhet të merren me shkresurina sesa me pacientë, ata janë edhe mjaft të intimiduar në punën e tyre.

Nga njëra anë u vihen kushte që të mos e kalojnë kuotën e ribursimit, duke i detyruar që shpesh të mos përshkruajnë barin e duhur ose alternativën më të mirë. Ndryshe penalizohen nga kontrollet. Tani u duhet ti shërbejnë edhe “check up”-it, një koncensionari ekzaminimesh bazë sepse ndryshe penalizohen. E gjitha kjo në emër të cilësisë së shërbimit, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, por kjo ka edhe një anë tjetër: realizimin e fitimit të koncensionarit, i cili paguhet me numrin e ekzaminimeve të bëra.

Qeveria pasi vuri në dispozicion të koncensionarit infermierët e shërbimit parësor, tashmë i fut edhe Mjekët e Familjes në të njëjtin presion qeveritar duke e bërë pjesë të kontratës së tyre të punës bërjen e ekzaminimeve të check-up. Pra, ata duhet punojnë për të mbyllur disa hesape qeverie! Të vënë në punën e tyre në pozicionin e mbrojtjes së kostove, ata duhet të lenë shpesh pozicionin në mbrojtje të pacientëve, duke mos justifikuar as emrin si Mjek Familje. S’ka si të jetë ndryshe, politikat shëndetësore këtë diktojnë.

Mjekët e Familjes ka nevojë për më shumë hapësirë në vendimmarrjen për trajtimin e pacientëve, për më shumë edukim të vazhdueshëm profesional, për tu futur në pozita të konkurencës ku shpërblehen më shumë, më të mirët, për përmirësimin e kushteve të punës, për më pak presion nga ata që i kontrollojnë, për më tepër njohuri mbi protokollet e përditësuara të trajtimeve të sëmundjeve me përhapje të konsiderushme. Ata nuk janë aty për të mbyllur hesapet e atyre që përpiqen të fitojnë nga paratë publike të ndara për shëndetin!

Lajme te ngjashme

WhatsApp Na Shkruani!