Aristoteles Romero mund ta paguajë shtrenjtë shpërthimin që bëri në “Instagram” pas humbjes 5-1 në derbi. Venezueliani, i pezulluar nga trajneri Adolfo Sormani dhe i degdisur te Partizani B, u ndje i braktisur në derbi, pasi e lanë që ta shikonte ndeshjen në lokal, duke mos e marrë as në stadium.

Ky shpërthim i mesfushorit, që për të gjithë ka lënë të kuptohet se ka lidhje me trajnerin Sormani, ka sjellë pakënaqësi të mëdha në kampin e kuq, kryesisht te drejtuesit e klubit. “Panorama Sport” ka mësuar se burime pranë të kuqve se po shqyrtohet mundësia e ndërprerjes para kohe e bashkëpunimit me venezuelinain, pasi situata është e patolerueshme. Romero jo vetëm që nuk po kontribuon në fushë, por për të kuqtë me sjelljen e tij vetëm po shkakton pështjellime në klub.
Edhe te Partizani B nuk ka pasur fat, pasi në derbin e ekipeve B u dëmtua dhe po vijon një fazë rikuperimi. Duke parë që nuk është në planet e trajnerit dhe problemet që krijon, me shumë mundësi aventura e Arsitoteles Romero te Partizani do të marrë fund pa u mbyllur periudha e huazimit. Mbetet për të parë se cila do të jetë rruga që do të ndjekin palët, pasi me ofendimin e bërë pas derbit, Romero i ka mbyllur të gjitha hapësirat te “demat”.