Gjykata e Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda duhej të shpallte vendimin për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri në orën 16:00, por ende nuk ka asnjë njoftim. Të gjithë presin vendimin me sytë nga Gjykata e Krimeve të Rënda, mesa duket verdikti me sa duket është i vështirë për gjykatësit.

Trupa gjykuese përbëhet nga gjyqtarët Ardit Mustafai, Flora Hajredinaj dhe Irena Gjoka. Tahiri akuzohet për “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes ‘Habilaj’.

Por sido që të jetë vendimi, ish-ministri nuk do të shkojë pas hekurave. Nëse Tahiri shpallet i pafajshëm, prokuroria pritet të dërgojë dosjen në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda, ku do të ketë dhe një vendim për ish-ministrin, por deri tek verdikti final ai do të jetë i lirë.

Por edhe nëse Shkalla e Parë vendos ta dënojë ish-ministrin Tahiri me 8 vite burg, ashtu siç edhe paralajmëroi avokati Saimir Vishaj, vendimi do të apelohet nga pala mbrojtëse dhe deri në një vendim të formës së prerë, ai do të gjykohet i lirë, pasi i tillë është gjykuar deri tani.