Home Politike “Jo betejë politike”, Kryemadhi: Hapja e negociatave, sfidë për popullin dhe politikën

“Jo betejë politike”, Kryemadhi: Hapja e negociatave, sfidë për popullin dhe politikën

nga Albina Hoxhaj

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi gjatë një interviste për A2 CNN foli për procesin e integrimit të Shqipërisë dhe përgjigjen që pritet të jepet në 18 tetor. Ajo theksoi se integrimi në BE nuk është betejë politike por është një sfidë për popullin dhe politikën.

Cili është perceptimi që keni arritur të krijoni javët e fundit për hapjen e negociatave? Pritet një refuzim, një po me kushte, apo të paktën do të kemi një hapje për dy kapitujt kryesor që lidhen me sundimin e ligjit në vend dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit?

Sapo dëgjova mbledhjen e të ashtuquajturit Komisioni i Integrimit Kombëtar, ku për hir të së vërtetës vazhdojnë me teatrot e radhës për të kuptuar se çfarë ndodh në të vërtetë me Shqipërinë. Dua t’ju theksoj që çelja e negociatave nuk është më një betejë politike, por është një sfidë për popullin shqiptar dhe për klasën politike shqiptare. Nëse ne do të vazhdojmë dhe do ta kthejmë në Kalin e Trojës betejën e negociatave, mos të harrojmë që kjo gjë jo vetëm që nuk do t”i ndihmojë shqiptarët, por përkundrazi do t”i kthejë në një rrugë pa krye, e cila do të fillojë dhe do ta tkurri, duke filluar të mos gjetur problemin kryesor që ka sot Shqipëria.

BE është shumë i qartë në procesin e hapjes së negociatave. Ka një datë, një afat të caktuar dhe ka një “po” ose “jo”. Ajo ç’ka dua të them është se po të hyjmë në histori dhe argumentime politike, mos të harrojmë që para një viti kemi shqyer shishet e shampanjës duke i thënë urime Shqipërisë për hapjen e negociatave. Ndërkohë sot vazhdojmë dhe presim se çfarë do të ndodhë më 18 nëntor. Mos të harrojmë që liberalizimin e vizave, Shqipëria e ka marrë me 8 nëntor të 2010 dhe më 15 dhjetor shqiptarët filluan të lëvizin të lirë në BE, sepse u mor ky vendim dhe ishin të qartë në këtë gjë. BE nuk bën politika dhe nuk bën shoë mediatik apo politik, apo mashtrim po themi elektoral apo propagandë, BE thotë, po ose jo. Mos të harrojmë që kur morëm për herë të parë po themi propozimin nga komisioni I BE për hapjen e negociatave kishim 5 kushte që ishin të lidhura me Reformën në Drejtësi. Pastaj vitin tjetër morëm edhe 8 kushte të tjera, nga 5 u bënë 13, pastaj morëm edhe disa kushte të tjera dhe tani po presim kushte të tjera. Nëse do të realizojmë këto kushte do të hapen negociatat. Ajo që mendoj unë sot dhe që kanë një problem shumë të madh shqiptarët është që ne po vazhdojmë t’i ushqejmë me lugën bosh me idenë e hapjes së negociatave. Negociatat janë proces politik politik dhe administrative i drejtpërdrejtë ku, çfarë do të thotë luftë kundër korrupsionit? Luftë kundër korrupsionit nuk do të thotë të luftosh korrupsionin duke sharë edhe duke përbaltosur njerëz të tjerë apo duke bërë sikur arreston 54 biznesmenë që falsifikojnë me TVSH-në të cilët falsifikimet e këtyre dokumenteve vijnë si rezultat I kompanive të mëdha dhe të lidhura drejtpërsëdrejti me oligarkët. Luftë kundër korrupsionit do të thotë që të fusësh brenda të gjithë ata të cilët kanë hedhur firmën të zezë mbi të bardhë për koncesionet, për vjedhjet, për grabitjet, për uzurpimin e pronave të qytetarëve, për mashtrimet që u kanë bërë qytetarëve, për vjedhjet e parave të buxhetit të shtetit, për shkeljen e Kushtetutës, për shkeljen e ligjit e të gjitha kështu me radhë. Pra nuk do të thotë luftë kundër korrupsionit thjeshtë një përrallë apo një bojatisje fasadash.

Lajme te ngjashme