Home Politike Berisha: Pagoi për t’u liruar! Gjykata ‘zbardh’ vendimin për biznesmenin: Jurgen Molla ka bërë kërkesë për liri me kusht…por ndodhet në burg

Berisha: Pagoi për t’u liruar! Gjykata ‘zbardh’ vendimin për biznesmenin: Jurgen Molla ka bërë kërkesë për liri me kusht…por ndodhet në burg

nga Albina Hoxhaj

Jurgen Molla, biznesmeni i kompleksit Molla në “Yzberisht” vijon të vuajë dënimin në burgun e “Shën-Kollit” në Lezhë dhe nuk është liruar siç deklaroi ish-kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha. Lajmi konfirmohet nga burime pranë gjykatës së Lezhës, aty ku Jurgen Molla, ka depozituar një kërkesë për lirim me kusht.

“Shqiptarja.com” mëson se Jurgen Molla, i dënuar për trafik droge nga Gjykata e Krimeve të Rënda, në datën 25 nëntor 2019 ka depozituar në gjykatën e Lezhës një kërkesë për lirim me kusht.

Molla pretendon se vuan nga sëmundje të zemrës, ndërkohë sjellja në burg e tij gjatë kësaj kohe të vuajtjes së dënimit sipas ai ”ka qenë e mirë”.

Mirëpo për shkak të tërmetit të 26 nëntorit 2019, kërkesa e Mollës nuk është shqyrtuar nga gjykata, pasi puna në gjykatën e Lezhës është pezulluar. Në 20 dhjetor 2020, gjyqtari i çështjes Artan Hajredinaj, ka zhvilluar seancën e parë gjyqësore, ndërsa në datën 3 shkurt 2020 është zhvilluar seanca e dytë gjyqësore. Seanca e radhës për shqyrtimin e kërkesës së Mollës, për lirimin e tij ose jo është planifikuar nga gjyqtari i çështjes në datën 10 shkurt 2020 në orën 11:15.

Ndërkohë një kërkesë të parë të depozituar në muajin shtator 2019, Molla e ka depozituar në gjykatën e Lezhës, për ulje dënimi me 90 ditë, e cila është rrëzuar në 4 nëntor 2019 nga gjyqtarja Elsa Ulliri.  

Jurgen Molla njihet si një nga ndërtuesit e shumtë në Tiranë, që ka ndërtuar në zonën e Yzberishtit. Molla ka qenë pjesë e një grupi kriminal që trafikonte heroinë dhe rezulton i dënuar me 8.8 vite burgim nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda. Molla është arrestuar në muajin Korrik 2016.

Ekzistenca e dy bisedave të përgjuara mes kreut të grupit kriminal Jurgen Molla dhe nënës së korrierit të tij, Arben Prendi,ku flasin për transferimin e prokurorit të dosjes, është pranuar nga prokuroria dhe policia. Burime nga të dyja institucionet shprehen se telefonatat janë përgjuar gjatë muajit dhjetor 2015, dy ditë para se presidenti të publikonte dekretin për transferimin e prokurorit të dosjes Anton Martini në Shkodër. Nga përgjimi ka dalë se Molla ka pasur informacion të saktë për transferimin e prokurorit ende pa u miratuar nga presidenti Bujar Nishani. Molla i thotë nënës së Prendit se kishte arritur ta transferonte prokurorin e dosjes në Shkodër, megjithëse sipas tij kjo lëvizje i kishte kushtuar pak shtrenjtë pasi kishte dhënë 150 mijë euro.

Por ky rast, është përmendur nga ish-kryeministri Sali Berisha i cili në një status në Facebook, thotë “U paguan 150 mijë euro për të transferuar prokurorin që vazhdonte hetimet”. Duke dashur të sulmojë mazhorancën, ose “narkoqeverinë” siç e ai e quan, pa kuptuar Berisha ka sulmuar presidentin në kohën e qeverisë së tij, Bujar Nishanin, i cili aktualisht është kryetar i Këshillit Kombëtar të PD-së.

Statusi i Sali Berishes

Marrë nga Shqiptarja.com

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!