Home Politike Mos harro t’i dërgosh formularin anti-KÇK Linditës dhe Besës

Mos harro t’i dërgosh formularin anti-KÇK Linditës dhe Besës

nga Albina Hoxhaj

Nga Ndriçim Mehmeti 

Paketa anti-KÇK, ligji special, ‘mrekullia’ e luftës kundër korrupsionit, pasurive të paligjshme, krimit të rrugës i organizuar apo i grupuar, i vetmuar apo i paorganizuar, sapo ka nisur dhe me thënë të vërtetën i ka dhënë frytet e para, tepër të mëdha:

Një kompleks i sekuestruar njëherë, risekuestrohet, përpara kamerave të ERTV, të cilat ishin kujdesur të na jepnin pamje në versionin bust, të një oficere me syze të zeza, që recitonte tekstin e dhënë prej gjeneralit me porosi të Komandantit, ndërsa në orën 11 ditën e martë, në qendër të Tiranës, rrugës së Plaza Hotel, shfaqet vetë Gjushi me ministrin e Mjedisit e Turizmit njëkohësisht dhe deputet i Durrësit, duke ecur të qetë në diellin e ngrohtë të dimrit e nën ritmin e një bisede plot shend e verë.

Të gjitha këto kanë ndodhur brenda këtyre pak ditëve të fillimit të OFL dhe nuk janë shaka, janë tërësisht të vërteta.

Mirëpo përtej këtyre ‘sukseseve të pamohueshme’, unë pres më shumë, si kushdo tjetër.

E meqë kam qenë dhe mbetem i mendimit se shkatërrimi i vendit dhe shndërrimi i qeverisjes nga e ashtuquajtura Rilindje  e Vendit, në lëvizjen: Grabitje pa Hesap të Vatanit të kryesuar nga Komandanti, vetëm në pak muaj u bë i mundur falë shkatërrimit dhe vënies së kazmës prej themeleve të arsimit. Nuk duhet mohuar, përkundrazi duhet dhënë merita e plotë Komandantit që arriti të shndërroj të ashtuquajturat reforma në arsimin shqiptar në platformën e rrënimit të tij me rrënjë. Për këtë duheshin njerëzit e duhur dhe ai i gjeti. Po sikur ato/ata, që Komandanti i caktoi me këtë detyrë, t’i bindeshin verbërisht urdhrave të tij, pa ndonjë përfitim material, unë dhe gjithkush do të thoshte: ‘hallall e paçin se i qëndruan besnik postit me të cilën i shpërbleu sepse ishin mediokër e askush nuk i njihte’.

E keqja është se ata u joshën që në fillim prej pares, pushtetit, luksit të tepruar prej pamjes së jashtme e deri tek tualetet e zyrës së punës. Prandaj Komandant të kam rixha dërgoi një Formular me afat 48 orë, Linditës, Besës, ish-zëvendësministrit të arsimit të lartë sot nënkryetar i bashkisë Tiranë, ish-sekretarit të përgjithshëm, sot prapës sekretar i përgjithshëm, këshilltarit fuqiplotë të Linditës, shoqes së ngushtë të Linditës drejtoreshë, drejtorit juridik i ardhur nga jashtë vendit, drejtorit të përgjithshëm biond e trendy, ish-drejtorit të sportit, e shumë të tjerë, të cilët, që të gjithë e kanë adresën në një vend: Rruga e Durrësit, Vila Luksoze nr. 23.

Në Formular mund  ti drejtosh disa pyetje, të thjeshta, pa shumë kërkim dokumentacioni për disa ditë. Psh.: cilat zyra u rikonstruktuan prej shtatorit 2013 e deri në shkurt 2014? Si u paguan njerëzit që bënë rikonstruksion të plotë në tri zyra, të Ministres së Arsimit, të Zëvendësministrit për arsimin universitar dhe të sekretarit të përgjithshëm? A morën ndonjë tender shkolle, palestre, kopshti, çerdheje a konvikti në këmbim të këtij shërbimi?

Pse kushtoi rikonstruksioni i godinës së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit,1miliard e 100 milion lek dhe përsëri godina qelbet era sh… e m…, sa herë që bie shi a ka nxehtë? Kujt i vajti mendja për ndërtimin e një klubi luksoz brenda oborrit të MASR, që punonte 24 orë në ditë? Në cilin vend të botës u mor ky model, ku të gjithë punonjësit detyroheshin, të hanin e të pinin kafe vetëm aty prej orës 12.00-12.30?

Ndërkaq Linditën mund ta pyesësh specifikisht: A ka ndryshuar shtëpi dhe sa ka kushtuar shtëpia e re? A ka deklaruar shumën e vërtetë të blerjes së saj dhe a mund të justifikohet vetëm me paret e vëna nga puna e saj dhe familjes së saj? Si mund të justifikohet sot projekti qindra mijëra euro i mësimit digjital të nxënësve përmes tabletave, kur ai nuk funksionon në asnjë shkollë të vendit? Kush do ta paguaj dështimin e këtij projekti? Si u përzgjodhën tekstet dhe pse Lindita shkeli hapur ligjin 69/2012 dhe Kushtetutën në përzgjedhjen e tyre?

A ka pasur ndonjë përfitim ekonomik, ministrja në fjalë, prej përzgjedhjes selektive që ju bë teksteve shkollore, ndër shumë kompani në Britaninë e Madhe? Lindita premtoi se mësuesit nuk do të blinin më kredite, por me urdhër të saj në 2015 e deri në shkurt të 2017, mësuesit blenë jo 1 por tre kredite nga 20-35 mijë lek (të vjetra) dhe sigurisht në këtë rast të preferuarit e Linditës kanë ditur t’ia shpërblejnë këtë nder të madh financiar që ajo u bëri.

Përse që në kohën e Linditës, u hoq dorë nga konkurset që gjithsesi ishin farsë dhe u emëruan apo u komanduan shumica e drejtuesve të arsimit në rrethe. A ka pas këtyre emërimeve afera financiare dhe përfitime në para kesh? Si ka mundësi që brenda dy vjetëve drejtues të arsimit në rrethe, erdhën në kryeqytet, zunë poste të rëndësishme në MASR dhe kanë shtëpitë e tyre në kryeqytet? Ku është burimi i këtyre të ardhurave për përballimin me sukses të jetesës së shtrenjtë në kryeqytet? Pse Lindita i dha kuota pa hesap për çeljen e programit të ciklit të tretë (doktoraturë) një universiteti privat dhe i bllokoi në universitet shtetërore. Cili ka qenë edhe në këtë rast përfitimi ekonomik i të dy palëve?

Po ashtu mund të pyesësh fare mirë edhe ish-sekretarin e përgjithshëm. P.sh, ministria nxori 800 diploma nga Universiteti Privat K dhe i shiti në treg të lirë dhe askujt nuk i hyri gjemb në këmbë.  A ka ndonjë përgjegjësi ai vetë, pasi materialet e arkivuara, mund të tërhiqen vetëm me firmën e tij. A është mbyllur çështja e hapur nga Prokuroria e Krujës në lidhje me një sherr të personit në fjalë gjatë MSH 2017, në shkollën ‘Shote Galica’ në Fushë-Krujë? Kush e financoi rikonstruksionin e zyrës luksoze të ish-sekretarit të përgjithshëm në vitin 2013 dhe pse u prish një vit më vonë? Si u justifikua ky shpenzim kaq i madh?

A është shkelje e ligjit që dhe konflikt i pastër interesi, që një avokat në profesion të lirë si ish-sekretari i përgjithshëm të jetë anëtar i Bordit të Universitetit dhe konviktit? Për çfarë e akuzon KLSH, në raportet e saj, ish-kreun e lartë të administratës civile në ministrinë e arsimit? A ka sot personi në fjalë padi penale dhe çështje të pambyllura në Prokurori?Mund ta pyesni edhe për tenderin e uniformave së fundmi në Ministrinë e Brendshme. A është shkelje e ligjit që kreu i administratës civile të jetë njëkohësisht dhe përfaqësues i një subjekti politik, në këtë rast PS, në këshillin bashkiak të Tiranës dhe a duhet të kthej në këtë rast të gjitha përfitimet financiare të mara në mënyrë të padrejtë duke shkelur ligjin e mbajtur këto dy poste?

Ju mund të pyesni fare mirë këshilltarin fuqiplotë të MAS: Kush e hapi, financoi dhe ideoi shkollën e drejtorëve, që nuk u legalizua kurrë nga shteti? Sa ishte buxheti që ju akordua atij nga MAS dhe si u justifikua, një fond i tillë që nuk prodhoi asnjë produkt? Sa kopje të palo librave shiti, sa ishin fitimet dhe a janë deklaruar në zyrat përkatëse të tatim-taksave të shtetit, të ardhurat e përfituara? A ka përfituar fonde nga MASR për shoqatën e tij, kur punonte si këshilltar politik i Ministres së Arsimit?

Ndërsa Besa e cila vjen e fundit për nga radha por jo për nga rëndësia, ka pak pyetje që brenda tyre, ka shumë dilema për përfitim, korrupsion dhe krim ndaj arsimit dhe dijes. A ka dijeni Besa për bashkëfinancimin e ndërtimit të shkollës ‘Ramazan Jangozi’, me vlerë rreth 500 mijë euro, fonde të dala nga MASR? Kush e ka bërë tenderin MASR apo Bashkia Krujë? Kush e mban përgjegjësinë për rrënimin e shkollave dhe a ka një raport të dëmeve dhe shkaktarëve të këtyre dëmeve MASR? A ka monitoruar, kontrolluar, kolauduar dhe certifikuar këtë shkollë Besa?

Pas rrënimit të plotë të saj, a ka ngritur Besa një grup pune për të parë se përse u shkatërrua shkolla e ndërtuar, përpara  2 muajve dhe kush e mban përgjegjësinë? A ka dijeni Besa se godinat e qytetit Studenti janë rrënuar dhe a ka kërkuar ndonjë raport për dëmet e shkaktuara dhe përse ndodhën? A e ka rritur pasurinë Besa pas marrjes së posteve të rëndësishme në qeveri dhe a është e justifikuar në deklarimin e saj?

Kush do ta paguaj dëmin e shkaktuara nga paaftësia dhe siguria që na Besa pas tërmetit të 21 shtatorit, duke na siguruar se ndërtesat ishin top dhe se aty ku kishte dëme do të riparoheshin shpejt, do të punoj Besa pa rrogë edhe ca vite, apo do të na i hidhni në kurrizin tonë? Sa kushtoi soft-i i marrë nga Kosova për plagjiaturën dhe pse nuk u përdor asnjëherë deri më sot? Ku është biblioteka elektronike që do të blihej dhe ku shkuan lekët e destinuara për të ashtuquajturin ‘Pakti për Universitetin’.

Ka edhe më Komandant. Zgjidhi njëherë këto me njerëzit që i ke rreth oborrit tënd. Nuk të kushton shumë, as blinda, as pistoleta Beretë, as uniforma të sofistikuara, as tollovi me bllokim rrugësh. Thjesht përdor ca pranga, dërgo policin e lagjes dhe prej zyre e në këmbë dërgoji të gjithë këta të paprekshëm,  në Komisariatin më të afërt. Atje do të shikosh sesi do të cicërojnë. Po ti nuk e bën. E para se nuk je shtetar, se burrë shteti jo e jo dhe e dyta ti e di që ata të shesin dhe të bëjnë gropën që natën e parë, që do kalojnë në qeli.

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!