Home Aktualitet Dëmet dhe humbjet nga tërmeti/ Zbardhet raporti i plotë i qeverisë për shifrën e 985 milionë eurove

Dëmet dhe humbjet nga tërmeti/ Zbardhet raporti i plotë i qeverisë për shifrën e 985 milionë eurove

nga Albina Hoxhaj

Report Tv ka siguruar raportin e plotë të dëmeve nga tërmeti i 26 nëntorit që la edhe 51 viktima

Raporti i plotë

Tiranë, 5 shkurt 2020 – Vlerësimi i Nevojave pas Katastrofës (VNPK) pas tërmetit që goditi Shqipërinë më 26 Nëntor 2019 u publikua sot për të shërbyer si bazë për mobilizimin e komunitetit të donatorëve për fazën e rimëkëmbjes. Vlerësimi, i përgatitur bashkërisht nga Qeveria e Shqipërisë, Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara dhe Banka Botërore, zbulon se efektet totale të katastrofës në njëmbëdhjetë bashkitë e prekura arrijnë në mbi 980 milionë Euro. Shumica e dëmeve janë regjistruar në sektorin e banesave, pasuar nga sektori prodhues (si biznesi dhe turizmi, bujqësia dhe trashëgimia kulturore) dhe sektori arsimor. Për të adresuar efektet e dëmit dhe të ardhurave të humbura si rezultat i tërmetit, vlerësimi arriti në përfundimin se do të duheshin gati 1.08 miliardë Euro në të gjithë sektorët për rimëkëmbje. Sektorët që reflektojnë nevojat më të mëdha janë strehimi, që përfaqëson pothuajse 76% të të gjitha nevojave, pasuar nga arsimi dhe infrastruktura.

Komisioni Evropian do të organizojë një konferencë të donatorëve më 17 shkurt, në Bruksel, për t’i ofruar komunitetit ndërkombëtar mundësinë për të shpallur mbështetjen e tij, për t’i ndihmuar institucionet shqiptare të menaxhojnë ndikimin e këtij tërmeti, si dhe për të krijuar rezistencë ndaj katastrofave të ardhshme natyrore. Përcaktimi i kontributeve mund të bëhet ose sipas sektorëve ose sipas mbulimit gjeografik. Kontributet mund të bëhen për secilin prej sektorëve të identifikuar në Vlerësim dhe mund të jenë në nivel kombëtar ose vendor. Më 6 dhjetor, Qeveria e Shqipërisë kërkoi mbështetje nga Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara dhe Banka Botërore për të ndërmarrë një vlerësim të plotë dhe gjithëpërfshirës për të identifikuar dëmet, humbjet dhe nevojat e rimëkëmbjes që vijnë nga tërmeti. Të tre partnerët mobilizuan me shpejtësi mbështetjen financiare dhe teknike për të rritur burimet e qeverisë për vlerësimin. Ai filloi më 16 dhjetor dhe u përfundua deri më 30 janar, me mbështetjen e mbi 60 ekspertëve ndërkombëtarë dhe vendorë.  

Qeveria e Shqipërisë ka shprehur angazhimin për të udhëhequr përpjekjet e rimëkëmbjes dhe rindërtimit. Ajo krijoi një “Akt mbi Lehtësimin e Dëmit nga Fatkeqësitë Natyrore”, si dhe një Fond Rindërtimi për të shpërndarë dhe paguar burime për aktivitetet pas katastrofës në mënyrë efikase dhe transparente në të gjitha nivelet e qeverisë. Një tërmet me madhësi 6.3 goditi Shqipërinë më 26 nëntor 2019, duke shkaktuar 51 viktima, duke lënë 17.000 njerëz të zhvendosur, si dhe duke prekur përfundimisht më shumë se 200.000 njerëz në 11 bashki. Qeveria e Shqipërisë mori masa të menjëhershme për një reagim gjithëpërfshirës të emergjencës ndaj tërmetit, përfshirë operacionet e kërkimit dhe shpëtimit, ndihmë humanitare, sigurimin e strehimit të përkohshëm dhe një vlerësim paraprak të dëmeve të ndërtesave në të gjitha zonat e prekura. Ajo aktivizoi Mekanizmin Evropian për Mbrojtjen Civile dhe mori mbështetje nga 21 vende, përfshirë Shtetet Anëtare të BE-së, Bankën Botërore, Kombet e Bashkuara dhe organizata joqeveritare. Ekipet e Mbrojtjes Civile të BE-së u dislokuan menjëherë në Shqipëri për të ndihmuar për koordinimin e ekipeve të kërkimit dhe shpëtimit, ekipet e vlerësimit të dëmeve dhe mbërritjen e ndihmës. /shqiptarja.com/

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!