Home Politike LAJME TË KËQIA NGA “KAZANI”

LAJME TË KËQIA NGA “KAZANI”

nga Albina Hoxhaj

Nga Gentian Çala

Në Shqipëri është bërë sport trajtimi i lajmeve nga mediat ndërkombëtare sipas shijeve. Nëse na pëlqen është media prestigjoze, por po nuk na pëlqeu, është kazan. Mjeshtri i këtij sporti quhet Edi Rama dhe duke qenë se ai mendon se “nga pas e ndjek historia”, për dallim nga ajo që bën me median vendase ku shkruan ligje për të mbyllur gojët kritike, me atë ndërkombëtare ka zgjedhur kadrizimin ose kazanizimin. Kaq seriozisht e ka marrë këtë punë sa që kur nuk ia del me propagandë, i vjen në mendje gjykata: akuza shpifje.

“Kazanët” e perëndimit po thonë të vërteta të hidhura, madje kjo e fundit ishte disa ditë pas vizitës së Kryeministrit në vendin fqinjë, në Itali, ku media publike RAI3 foli për kanabizimin e vendit. E hidhur kjo e vërtetë, jo vetëm për ne, por edhe për ata që e publikuan sepse e kanë problemin te pragu. Halli që nuk i pëlqen aspak KM-së dhe Ministrit Gaz-hedhës të tij, i cili u nxitua ta përgënjeshtronte. Mesa duket huqet nuk shkulen lehtë nga kjo mazhorancë, e cila po ndjen ardhjen e zgjedhjeve, e bashkë me to, nevojën për para. Mbjellja e kanabisit shkon paralelisht me fushatat elektorale…?!

Lajme të këqia nga kazani mediatik dhe duket se rrethi po ngushtohet, sepse e vërteta e hidhur nuk mbulohet më. Ajo që më brengos janë zgjedhjet e ardhshme dhe aspak mërzitja e dikujt nga e vërteta. Tashmë duhen marrë masa për ti mbrojtur zgjedhjet nga tjetërsimi i tyre, sepse sinjali i shtimit të kultivimit të kanabisit është i lidhur pikërisht me to. Kjo duhet lexuar mirë nga ndërkombëtarët dhe nga miqtë e këtij vendi, në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme të mos prodhojnë një pushtet të blerë. Ne jemi një hap larg narko-shtetit, ndaj nuk duhet lejuar që kjo të ndodhë me hir apo me pahir.

Kambana e alarmit e medias ndërkombëtare ra për ata që kanë veshë dhe ndërgjegje, ndaj duhet dëgjuar me kujdes dhe duhet vepruar në kohë. Mohimi qeveritar le vend për dyshime. Ndaj një fushatë për shkatërrimin e sipërfaqeve të mbjella mund të jetë sinjal se këtë betejë e kanë seriozisht të gjithë. Ndryshe, po mbyllen sytë dhe veshët ndaj krimit të ardhshëm elektoral.

Lajme te ngjashme