Home Politike TË PËRDORËSH SUBSTANCA PSIKOAKTIVE TË PALIGJSHME…E DREJTË THEMELORE?!

TË PËRDORËSH SUBSTANCA PSIKOAKTIVE TË PALIGJSHME…E DREJTË THEMELORE?!

nga Albina Hoxhaj

Nga Gentian Çala

Që në zanafillën e njerëzimit janë përdorur barishte, gjethe, rrënjë apo produkte të tokës që ndikonin mendjen njerëzore ose që njerëzit besonin se i shëronin. Në historinë tonë moderne ato janë përdorur kryesisht për qëllime atraktive ose “vetëmjekuese”. Ndaj doli abuzimi dhe varësia, të cilat përbëjnë një plagë shoqërore, shëndetsore dhe të sigurisë. E drejta themelore në raport me përdorimin e substancave është të mos i përdorësh ato, por mund edhe ti konsumosh, pa shkuar te abuzimi dhe varësia e cila është sëmundje.

Po këtu e kemi fjalën për të zgjedhurit, për ata që kanë marrë përsipër të na përfaqësojnë dhe drejtojnë, të cilët kanë një kod etik sjellje dhe komunikimi. Ata të cilët duhet të heqin dorë nga disa të “drejta themelore” në emër të asaj që përfaqësojnë. E nëse kanë shkelur diçka, ai është në radhë të parë besimi i atyre që i kanë votuar. Ju nuk do ta dërgonit fëmijën në një shkollë ku mësuesit kanë vese; as te një mjek që ju duket i çuditshëm; ju nuk do ti besonit një polici të pirë dhe as një gjykatësi të padrejtë. Po një politikani që konsumon drogë, a do ti besonit postin drejtues?!

E drejtë themelore është e drejta për të zgjedhur dhe për tu zgjedhur. Ne kemi të drejtë edhe të mos jemi perfekt, të kemi dhe vese, por një politikan nuk mund të zgjidhet për ato që nuk i bën si duhet, por për ato që janë aftësitë e tij/saj. Ndaj e drejta themelore bëhet mjaft relative, kur synon të përfaqësosh të tjerët. Nëse ne relativizojmë kodin etik dhe të sjelljes, qoftë edhe jashtë orarit zyrtar për një politikan, kemi relativizuar veset e tyre që mund të kenë pasoja jo vetëm për atë vetë apo familjen e tij, por edhe për qytetarët e tjerë që ai përfaqëson apo drejton.

Ky duket si diskutim në planin moral dhe i tillë është, pasi një përdorues substancash psikoaktive nuk është shkelës ligji, por jo gjithçka që nuk shkel ligjin është e drejtë, e aq më pak e drejtë themelore. Unë nuk jam jurist, por nuk di të ketë legjislacione që sanksionojnë këtë të drejtë, as në kapitullin e lirive dhe të drejtave të njeriut. Ne kemi liri të bëjmë atë që duam me jetët tona, por nuk mund të quhet liri ajo që çon në dëmtimin e vetes apo në tjetërsimin e sjelljes. Përpjekja për të justifikuar diçka të tillë nuk qëndron në aspektin etik dhe është e papranueshme për një politikan.

Çdo justifikim çalon shumë, madje duket absurd! Një pyetje kam: A e di personi që përdori drogën se ajo është mall i paligjshëm? A e di se ai që i tregëtoi atë mall ka bërë një krim? A e di se të heshtësh për një krim apo ta fshehësh është po ashtu e dënueshme ligjërisht?! Nga vijnë të hollat për një mall, 1 gram i të cilit, kushton sa një e dhjeta e pagës mujore të të zgjedhurit? A ka problem kur konsumohet kaq hapur në publik, çka nënkupton përdorim të ambientit publik për aktivitete të paligjshme, e cila bën me përgjegjësi të zotin e ambientit? Pyetje që duan një përgjigje dhe që janë jo vetëm të vështira, por pjesë edhe e një hetimi për një zyrtar publik.

Nuk ka përdorim “të arsyeshëm” të drogave të paligjshme. Madje përhapja e fenomenit ndërmjet politikanëve nuk e justifikon atë, përkundrazi është sinjal alarmi për të marrë masat e nevojshme kundër fenomenit. Imagjinoni që fëmijët e varfër të vendit, të duan ti ngjajnë politikanëve të pushtetshëm, madje pas publikimit të videove mund të thonë: “kur e përdor Kryetari i Bashkisë, përse të mos e bëj edhe unë?!”. A kemi një përgjigje së paku për ata?!…
Të lutem mos i thoni që është e drejtë themelore!

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!