Home Politike Marrëveshje për rihapjen e fluturimeve Prishtinë – Beograd, me ndërmjetësimin amerikan

Marrëveshje për rihapjen e fluturimeve Prishtinë – Beograd, me ndërmjetësimin amerikan

nga Albina Hoxhaj

Ministri serb i Ekonomisë, Milun Trivunac, ambasadori i SHBA-së në Gjermani, Richard Grenell, këshilltari për siguri kombëtare i SHBA-së, Robert C.O’Brien, drejtori i Eurowings, Michael Knitter, drejtori i Aviacionit Civil të Kosovës, Eset Berisha.

Pas 21 vjetësh paralajmërohet rikthimi i fluturimeve në linjat ajrore Prishtinë – Beograd dhe anasjelltas. Autoriteti i Aviacionit Civil të Kosovës ka nënshkruar të hënën (21 janar, 2020) në Berlin një marrëveshje me aviokompaninë gjermane Lutfhansa, për të hapur linjën ajrore Prishtinë–Beograd.

Kjo letër e interesit është nënshkruar në Ambasadën Amerikane në Berlin të Gjermanisë, tha për Radion Evropa e Lirë, Eset Berisha, drejtor i Autoritetit të Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës. Të njëjtën marrëveshje me kompaninë gjermane e ka nënshkruar edhe delegacioni i Serbisë, nga Ministria e Ekonomisë.

Eset Berisha, tha se ky është një hap përpara drejt hapjes së korridoreve të reja përmes hapësirës ajrore në drejtim të shteteve fqinje. Deri më tani nuk ka ekzistuar asnjë kontakt mes autoriteteve te aviacionit civil të të dy shteteve.

“Sot (e hënë) është nënshkruar një letër e interesit me të cilën institucionet e Republikës së Kosovës, përkatësisht Autoriteti i Aviacionit Civil dhe Ministria e Infrastrukturës, japin mbështetje kompanisë ajrore Prishtinë-Beograd. Kjo pritet të realizohet në kuadër të një mekanizmi për normalizimin e hapësirës ajrore të Ballkanit Perëndimor, ku bën pjesa edhe Kosova së bashku me autoritetin e NATO-s dhe KFOR-it”, tha Berisha.

Kjo letër, theksoi Berisha, është nënshkruar në prani të ambasadorit të Shteteve të Bashkuara në Berlin, Richard Grenell, i cili është edhe dërguari i presidentit amerikan Donald Trump, për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një komunikatë për media, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka thënë se kompania Lufthansa duhet të kërkojë aprovimet dhe licencat për të gjitha fluturimet, sipas kërkesave, rregulloreve dhe ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës, sipas marrëveshjes për ECAA ( Marrëveshja e zonës së aviacionit të përbashkët evropian).

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mirëpritur nënshkrimin e letrës së synimeve në mes të kompanisë ajrore Lufthansa dhe Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës për hapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd.

Në një postim në rrjetin social, Facebook, Thaçi tha se ky hap shënon një tjetër përpjekje për normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!