Home Politike DERA E HAPUR E RAMËS…

DERA E HAPUR E RAMËS…

nga Albina Hoxhaj

Nga Gentian Çala

Kryeministrit i ka mbetur vetëm një derë dalje nga fortesa e pushtetit të tij dhe quhet: zgjedhje të parakohshme. Kjo është mundësia e vetme, ndaj duhet ta shfrytëzojë. Pas gjithë zullumeve dhe prapësive, tepsia dhe timoni nuk mbahen më dot as prej tij, as prej Rilindjes. Mundësinë po ia krijon faktori ndërkombëtar dhe Opozita reale. Tavolina katërshe e Reformës Zgjedhore është flamuri i bardhë që i mundëson atij daljen pëmes një procesi zgjedhjesh me rregulla dhe standarte.

Çdo orvatje për të devijuar nga procesi i kujdesshëm i një tranzicioni të butë të pushtetit dhe në mënyrë demokratike, do ta bënte përgjegjës të vetëm Atë dhe Rilindjen, ku askush nuk mund ta parashikojë më atë që mund të ndodhë. Kriza kishte trajektoren e saj dhe tashmë jemi në fazën e zgjidhjes, por pjesa përmbyllëse janë zgjedhjet e lira. Askush nuk beson se Rama u ul me Opozitën pa një presion ndërkombëtar të partnerëve tanë euro-atlantikë, të cilët janë garantët e përfundimit të procesit.

Dera e daljes do të vazhdojë të jetë e hapur për KM-në tonë, sepse kjo është në interesin e vendit, ndaj Ai duhet ta lexojë qartë vullnetin e shqiptarëve dhe nevojën e vendit për ndryshim. Ai nuk mund të dalë nga dera dhe të tentojë të hyjë nga dritarja. Kulturalisht dhe strukturalisht nga formimi, në historinë e shtetit tonë, drejtuesit e vendit e kanë pasur të vështirë largimin nga pushteti dhe shpesh kanë lënë zbrastirë pas vetes ose një tokë të djegur. Të kuptosh se në politikë fillimi e ka një fund, është mençuri dhe pjekuri.

Të të jepet një mundësi për të drejtuar vendin është fat dhe betejë, por të të jepet një mundësi për të dalë me dinjitet është më shumë se fat dhe nuk është betejë. Ndaj KM-ja duhet ta kuptojë qartë se ky është fundi i garës, ku çdo përpëlitje apo dredhi, do ti rëndonte situatën dhe do ti mbyllte derën e daljes, që i kanë hapur me aq bujari sot.

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!