Home Politike Marrëveshja për reformën zgjedhore, Agron Duka: Fitore e opozitës. Çfarë mendojmë për financimin e partive

Marrëveshja për reformën zgjedhore, Agron Duka: Fitore e opozitës. Çfarë mendojmë për financimin e partive

nga Albina Hoxhaj

Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste Agron Duka tha se është i gatshëm të hyjë në zgjedhje edhe me Edi Ramën kryeministër në mënyrë që kjo situatë anormale në vend të marrë fund. I ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, Duka foli për marrëveshjen e palëve për reformën zgjedhore duke e konsideruar një farë fitoreje të opozitës si dhe komentin e tij mbi disa çështje të reformës.

“Natyrisht presim nga kjo tryezë produktin. Produkti është reforma zgjedhore. Një nga kushtet e Bundestagut, i pari fare ishte reforma zgjedhore dhe mendoj se arritja e uljes në tryezë e maxhorancës dhe opozitës është pikërisht një kusht i diktuar nga Bundestagu. Ka pasur një farë rezistence me sa duket nga maxhoranca por më së fundi u bindën që ata nuk mund të bëjnë të vetëm reformën zgjedhore. Duke qenë të diktuar nga ky kusht ky parlament monist dhe kjo maxhorancë këtë reformë do ta bëjnë patjetër me opozitën reale siç është opozita jashtëparlamentare”, deklaroi Duka.

Ai tha që nga kjo marrëveshje synohet një reformë e dakordësuar me konsensus e cila më vonë të aprovohet nga parlamenti. “Parlamenti në këtë rast do ketë vetëm një detyrë të aprovojë këtë konsensus të dalë nga kjo tryezë. Gjykojmë që është një farë fitoreje e opozitës sepse maxhoranca është e detyruar që e vetme nuk mund të bëjë e vetme këtë reformë. Kjo detyrë pasohet nga disa detyra të tjera siç është rishikimi i 30 qershorit nga Gjykata Kushtetuese dhe nëse ribëhen do bëhen me këtë kod zgjedhor.
Opozita sheh të realizuar atë çka thënë vazhdimisht. Natyrisht jemi me vonesë nga ana e maxhorancës për kushte objektive dhe subjektive.
Gjithsesi tashmë është vënë një afat, deri më 15 mars do të përfundojë reforma zgjedhore e dakordësuar nga palët dhe e noterizuar nga parlamenti”, deklaroi kreu i PAA.

Një ndër pikat që do shikohet tek kodi zgjedhor është dhe financimi i partive. Ai tha se ka mendime të ndryshme, edhe brenda opozitës por e rëndësishme të dilet me një mendim konsensual. “Një mendim i PD është që financimet të jenë 100% nga shteti por ka parti të tjera si ne që të ketë një farë kombinimi nga shteti dhe rrugë private. nNatyrisht të jenë transparente. Të gjendet rruga që këto financime të jenë transparente. Të mos jenë njerëz që kanë para nga origjina të ndryshme dhe të mos kërkojnë konvertimin e tyre kur partia të vijë në pushtet me abuzime”, u shpreh Duka.

Një mision të vështirë por jo të pamundur, ai tha se e shikon edhe depolitizimin e komisioneve të zgjedhjeve. “Është e vështirë depolitizimi i komisioneve. Gjetja e një rruge për të depolitizuar komisionet zgjedhore është e vështirë por jo e pamundur. Opozita ka kërkuar gjithmonë që kjo të zëvendësohet me votim e numërim elektronik. Shitblerja e votës parandalohet me vullnet politik por jo vetëm. Kjo bëhet dhe me ligj”, u shpreh më tej Duka.

Ai tha se opozita është e unifikuar për reformën. Sa i përket sistemit, Duka deklaroi se është lënë të diskutohet në një moment të dytë duke dhënë arsyet. “Ne jemi dakordësuar jo sepse mendojmë të gjithë ashtu por në fund të fundit duke menduar se është në mirë të të gjithëve për të shmangur krizën që po kalon Shqipëria dhe për të gjetur ekuilibrat politikë, disa prej nesh e kanë lënë diskutimin për sistemin zgjedhor në një moment të dytë.
Aleatët kanë qenë për një sistem proporcional me lista të hapura me korrektim kombëtar.E rëndësishme është që të kemi një sistem maxhoritar ku njerëzit të mos emërohen nga kryetari. Basha dhe PD ka deklaruar se është i hapur për një sistem zgjedhor të dakordësuar me masën e gjerë të njerëzve. Ai ka shprehur preferencën e tij për një sistem plotësisht maxhoritar por është thënë nga ne për t’u diskutuar në një moment të dytë. Mund të hyhet në zgjedhje edhe me këtë lloj sistemi.

Pavarësisht se sistemi ka efektin e vet në drejtësi, do të thotë që nuk është e drejtë që njerëzit votojnë një parti dhe nuk e dinë kush është brenda listës së kësaj partie. Ndëkrohë do ishte mirë që vota e tyre të shkonte aty ku ata duan. Por nuk është se kjo ndikon në atë që është problemi kryesor i gjithë shqiptarëve, pra, në shmangien e vjedhjes së votave dhe në shkëputjen përfundimtare të politikës nga krimi. Kjo e para bëhet me vullnet politik kurse kjo e dyta çon në një sistem më të drejtë krahasimisht me këtë të parën”, u shpreh ai.

Përgjegjësinë për vonesën e marrëveshjes, Duka ia lë maxhorancës.
“Vonesa, besoj se kjo është për shkak të kokëfortësisë së maxhorancës dhe kryesisht liderit të saj zotit Rama. Opozita ka bërë të ndjeshëm problemin edhe për opinionin ndërkombëtar. Që nga tetori pati disa kushte nga Bundestagu.
Unë them jemi vonesë por gjithsesi jemi brenda limiteve të mundshme që sa më shpejt të jetë e mundur të ndryshojë kjo situatë politike në Shqipëri.
Natyrisht që ishte një kusht ndërkombëtar. Me gjithë dëshirën e disa segmenteve të politikës nuk u bë e mundur. U desh ndërhyrja e ndërkombëtarëve.
Kemi dy kampe të ndara, njëra që është maxhoranca që është unik, është PS dhe pjesa tjetër është në opozitë. Opozita kërkon vazhdimisht zgjedhje të parakohshme, jo vetëm sot, gjithmonë ka kërkuar. Maxhoranca vazhdimisht do thotë që zgjedhjet do bëhen në kohën e duhur. Problemi është ne duhet të vlerësojmë a jetojmë në një situatë normale politike e ekonomike apo jo? këtë e vlerëson populli shqiptar. Nëse populli shqiptar mendon se ekuilibrat janë normale dhe bën një jetë si pasojë ekonomike normale, atëherë zgjedhjet do bëhen në 2021. Por unë gjykoj që situatë më anormale në Shqipëri se për faj të kujt, njëshin apo dyshin kjo nuk ka rëndësi për njerëzit që jetojnë në Shqipëri, situatë më anormale nuk ka bërë vaki. Domethënë të kesh 61 bashki që të udhëhiqen vetëm nga një parti, nga ana tjetër 4-5 janë të dorëhequr, të kesh një parlament thuajse monist, ju mendoni që kjo është gjendje normale? Unë besoj se jo. Ndërkombëtarët kanë menduar këtë punë që kjo gjendje nuk është normale prandaj kanë vënë dhe këto kushte.
Do ishte shumë mirë nëse kjo do bëhej me Kushtetutë, që sa herë ka zgjedhje të kalonim me qeveri kujdestare. Ka disa shembuj”, u shpreh Kreu i PAA.

Ai tha se nëse nuk arrihet kjo, “edhe me Ramën kryeministër unë jam gati të hyj në zgjedhje jo për leverdinë time por për leverdi të shqiptarëve sepse siç ju thashë kjo periudhë anormale në Shqipëri duhet të marrë fund sa më parë”. /bw/

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!