Home Politike Kryemadhi: Kupola e PS e kriminalizuar dhe e lidhur me oligarkët

Kryemadhi: Kupola e PS e kriminalizuar dhe e lidhur me oligarkët

nga Albina Hoxhaj

Kryemadhi u ndal edhe në pasojat e tërmetit tragjik të 26 nëntorit, por edhe ato tërmete që goditën qarkun e Korçës në qershor të 2019-ës.

Një kryeministër i përgjegjshëm duhet të ishte në krye të qeverisë për të menaxhuar hallet e popullit të tij. Të gjithë e dimë që para 2 muajsh Shqipërinë e tronditi tërmeti i famshëm, që pati shumë viktima dhe shumë dëme materiale. Një kryeministër i përgjegjshëm duhet të ishte në krye të detyrës për të normalizuar gjendjen dhe për të ndihmuar qytetarët dhe nuk duhet të gjente kohën dhe të lobonte për të përçarë shqiptarët. Ju në Korçë në qershor patët një tërmet, ndonëse në përmasa shumë më të vogla se ai i 26 nëntorit. Në disa nga fshatrat e Korçës, në Floq apo Qafëzezë, shumë shtëpi kishin nevojë për t’u rregulluar dhe për t’u meremetuar.
Dhe të gjithë ju e mbani mend që kryeministri tha që në 31 gusht të gjitha shtëpitë do të jenë ri konstruktuar. Dhe sot jemi më 18 janar, jo vetëm që asgjë nuk ka ndodhur, por përkundrazi premtimet e tij i ka marrë era, ashtu siç ka marrë jo dhjetëra po qindra premtime që u ka bërë shqiptarëve. Jo vetëm që nuk ka meremetuar shtëpitë e tyre, por përkundrazi dhe i ka përçarë. Diku ka rregulluar një shtëpi të tërë, diku nuk ka rregulluar asgjë, diku ka gënjyer, diku kanë marrë para borxh për ta ri konstruktuar e nuk i ka lejuar për ta ri konstruktuar.
Kjo qeveri e cila i përçan shqiptarët edhe në fatkeqësi nuk ka më të ardhme. Dhe e ardhmja e kësaj qeverie është vetëm ndëshkimi me votë nga shqiptarët, jo vetëm në Shqipëri, por t’i kthejmë dhe të gjithë ata që jetojnë dhe kanë emigruar për një jetë më të mirë.

Sot kupola drejtuese e Rilindjes e ka kthyer Partisë Socialiste në parti të interesave të klientëve të rradhës, të oligarkëve, të krimit të organizuar dhe thellësisht me qëndrime të pastra antikombëtare.
Politikat e saj ekonomike po sjellin sot varfërimin e shtresave të pambrojtura, shtimin e papunësisë dhe mungesën e prespektivës. Ata po mbyllin hapësirat ekonomike për konkurrencën e lirë. Administratën e kanë kthyer në një detashment politik, ku konkurset për vendin e punës, janë kthyer benefite për anëtarët e sektit dhe jo për ata që e meritojnë.

Nga kjo kupolë sot vuajnë njësoj të gjithë shqiptarët, pavarësisht bindjeve të tyre politike. Taksat e rritura pambarimisht, çmimet e papërballueshme të mallrave që ofron shteti si uji, energjia elektrike apo shërbimi shëndetësor, po rëndojnë gjithnjë e më shumë qytetarët, biznesin e vogël dhe të mesëm, fermerët apo profesionistët e lirë.
Në aspektin kombetar këto politika janë jo vetëm në shërbim të oligarkëve por janë thellësisht antikombëtare që po sjellin emigrimin masiv, shpopullimin e Shqipërisë dhe errësimin e perspektivës për të rinjtë,ndaj sot Opozita është e gjitha e bashkuar. Bashkë me ne janë edhe socialistët e thjeshtë, që vuajnë njësoj si të gjithë qytetarët e tjerë të vendit, këtë politikë të mbrapshtë.

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!