Home Politike “Shkëmbim territorial”, Rama padit Haradinajn: Përgënjeshtro çfarë ke thënë! Kryeministri i Kosovës: Përgjigjem sipas ligjit

“Shkëmbim territorial”, Rama padit Haradinajn: Përgënjeshtro çfarë ke thënë! Kryeministri i Kosovës: Përgjigjem sipas ligjit

nga Albina Hoxhaj

Kryeministri Edi Rama ka paditur homologun e tij në largim në Kosovë, Ramush Haradinajn, për shpifje. Mediat kosovare shkruajnë se Rama e ka dorëzuar padinë, ditën e sotme, në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Në padinë prej 30 faqesh, kryeministri Edi Rama pretendon se Ramush Haradinaj ka shpifur ndaj tij, nëpërmjet deklaratave publike, ku ka folur për shkëmbime territoresh.

Rama nuk ka caktuar shumën e dëmshpërblimit që kërkon, por përveç kompensimit të dëmit kërkon që Haradinaj të dalë dhe të përgënjeshtrojë publikisht deklaratat që kryeministri shqiptar, i quan shpifje. Në padi janë të shkruara edhe fjalët që Haradinaj ka deklaruar nëpër emisione të ndryshme, për të cilat Rama shprehet se kanë pasur në kontekst përgatitjet për procesin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë e jo shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë. 

Në datën 17.10.2019 e 29.10.2019, i Padituri Ramush Haradinaj, në kohën e kryerjes së deklaratës Kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës (më poshtë referuar edhe si “i Padituri”gjatë një interviste të dhënë gazetarit Artur Zheji e të publikuar në emisionin 360.gradë në datën 17.10.2019 si dhe gjatë intervistës së kryer në datën 29.10.2019 në emisionin televiziv Pressing/Zona Pressing të publikuar në televizionin “T7” të Republikës së Kosovës, ka kryer deklarim publik të fakteve shpifëse e mashtruese në adresë të Paditësit me pasojë cenimin e nderit, personalitetit, reputacionit dhe dinjitetit të Paditësit me pasojat e parashikuara në legjislacionin e zbatueshëm. Kjo çështje ka dominuar debatin publik që nga fundi i vitit 2018 dhe përgjatë vitit 2019, duke rezultuar në akuza deri për “tradhëti”, çdo herë e përkundrejt personave të pretenduar se gjatë këtij procesi dialogu kanë mbështetur idenë e të ashtuquajturit “shkëmbim të territoreve në mes Kosovës dhe Serbisë”. Kryeministri i Republikës së Shqipërisë nuk asnjë rol formal e juridiko-politik në marrëveshjen eventuale në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë. E kjo për faktin se kjo lloj marrëveshje bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përbën një akt që mund të miratohet vetëm dhe ekskluzivisht nga Kuvendi i Republikës së Kosovës e, për më tepër, kërkon ekskluzivisht miratimin e 2/3 të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, dhe rrjedhimisht 80 vota pro, përfshirë deputetët e koalicionit qeverisës dhe të opozitës, në secilën rrethanë. Kryeministri i Republikës së Shqipërisë asnjëherë nuk ka mbështetur dhe nuk është deklaruar në mbështetje të një ideje të tillë. Qëndrimi i Paditësit në Qeverisë së Republikës së Shqipërisë ka qenë një dhe i vetëm: ai i mbështetjes së pozicionit të qëndrimeve të Republikës së Kosovës drejt një marrëveshje ndërkombëtarisht të detyrueshme për Republikën e Kosovës dhe Serbisë dhe e cila do të rezultonte në njohje reciproke në mes dy vendeve dhe do të hapte rrugëtimin efektiv drejt integrimeve euro-atlantike,”– shkruhet ndër të tjera në padi. 

Menjëherë pas padisë ka ardhur edhe reagimi i Haradinajt. Në një status ën facebook, Haradinaj bën me dije se do t’i përgjigjet Ramës sipas ligjit. Edi Rama e kishte paralajmëruar këtë padi që në muajin tetor të vitit të kaluar. I ftuar në emisionin “Opinion”, Rama e cilësoi “palo burrë” dhe “palo kryeministër” Haradinajn, në lidhje me deklaratat, ku ky i fundit ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se bashkë me Thaçin dhe Vuçiç ka planifikuar ndarjen e Kosovës. Publikisht Haradinaj ështe shprehur se i ka shpëtuar Kosovës 10 miliardë euro që do t’i jepeshin Serbisë nëpërmjet minierës së Trepçës. Sipas Haradinajt ky ishte një plan i menduar nga Rama-Thaçi-Vuçiç dhe që këto para do ti ndanin të tre.

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!