Dy vatra të mëdha zjarri kanë përfshirë pyjet në Bulqizë e Dibër.

Në masivin pyjor me pisha në fshatin Vlashaj të Njësisë Administrative Lurë në Bashkinë Dibër zjarri ka 3 ditë që vetëm përhapet. Ai ka marrë përmasa të mëdha, ndërsa flakët po ju afrohen banesave. Banorët thonë se sipërfaqja e djegur deri tani shkon në 10 ha. Ata kërkojnë ndërhyrje nga ajri pasi shuarja e zjarrit nga toka është e pamundur.

Ndërsa vatra tjetër e zjarrit është aktive në Njësinë Administrative Shupenzë.

Flakët kanë përfshirë pyjet me dushqe në fshatin Mazhicë. Deri tani besohet se janë djegur rreth 5 ha. Edhe në këtë fshat vatra e zjarrit po ju afrohet banesave. Banorët kërkojnë ndërhyrje pasi e kanë të pamundur shuarjen e zjarrit.