Home Politike Përparim Spahiu: Financat publike janë përballë rreziqesh tronditëse reale, 64 miliardë lekë detyrime të fshehta

Përparim Spahiu: Financat publike janë përballë rreziqesh tronditëse reale, 64 miliardë lekë detyrime të fshehta

nga Albina Hoxhaj

Ish-deputeti i LSI-së, Përparim Spahiu e ka konsideruar 2019, si vitin më të rëndë për vendin sa i takon ekonomisë e sidomos asaj familjare.

Deklarata e plotë e Përparim Spahiut

Viti 2019 ishte një nga vitet më të rënda për shqiptarët, sa i takon ekonomisë së vendit e sidomos asaj familiare.

Parashikimi ynë, i FMN dhe Bankës Botërore për uljen e ritmit të rritjes ekonomike gjatë vitit 2019 rezultoi i vërtetë. Pas përfundimit të dy investimeve të mëdha si ai i TAP dhe Devollit dhe kur qeveria nuk merr asnjë masë për stimulimin e investimeve të reja direkte, si të huaja dhe ato vendase.

Mungesa e politikave lehtësuese fiskale, barra e rëndë e tyre, si qendrore dhe vendore, ka çuar në nivele mjaft të ulëta të investimeve ku është e vështirë të flasësh a të gjesh një emer të ri investitori.

Ekonomia shqiptare është drejt një stanjacioni të frikshëm që rëndohet në mënyrë katastrofike nga koncensionet. Në vitin 2020 pagesat për koncensionet do të rriten me 16% krahasuar me një vit më parë.

Me gjithë situatën shumë të rëndë financiare pas tërmetit asnjë lek nuk iu prek koncensioneve por përkundrazi, iu shtuan.

Ndërsa banorët janë në mes të acarit dhe të ftohtit në çadra, qeveria ka vetëm një merak, të vazhdojë dhe të grabisë para me koncensione korruptive dhe shkatërrimtare për ekonominë në kurriz të mijëra shqiptarëve.

Ekonomia jonë, gjatë vitit 2019 vazhdoi me një bilanc tregtar negativ, madje të përkeqësuar.

Gjatë vitit 2019 qytetarët por dhe bizneset u përjashtuan nga përfitimet e rishpërndarjes së taksave në investime publike.

Rilindja nuk bëri asnjë investim në porte, aeroporte, hekurudha por vetëm fjalë e mashtrime.

Kësaj situate të rëndë i shtohet raporti mjaft negativ i Doing Business, ku Shqipëria rënditet në vendet e fundit në rajon.

Për shkak të rilindjes, indeksi i perceptimit të korrupsionit e rëndit Shqipërinë ndër 3 qeveritë më të korruptuara të botës.

Kjo situatë shumë e rëndë ekonomike ka çuar në largimin masiv të shqiptarëve nga vendi, sidomos i rinisë, për pasojë mungese të theksuar të njerëzve të aftë për punë si dhe ulje në nivele shqetësuese të të ardhurave kryesisht ato nga TVSH, si tregues kryesor i rënies së konsumit.

Shqipëria aktualisht është e paaftë të konkurrojë ofertat për punë që vijnë nga vendet e tjera sidomos ato të BE-së.

Financat publike janë përballë rreziqesh tronditëse reale. Janë rreth 64 miliardë lekë detyrime të fshehta.

Në buxhetin e vitit 2020 nuk shohim asnjë stimul fiskal që të nxisë prodhimin dhe konsumin.

Situata tepër e rëndë bën të pamundur uljen e borxhit publik në nivelet mashtruese që propogandon qeveria me 62%. Borxhi real është 80%.

Edhe në buxhetin e vitit 2020, nuk do të ketë indeksim të pagave, ndërsa do të vazhdojë me atë që di të bëjë më mirë, rritje taksash si të qeverisë por dhe ato vendore. Kujtoj rritjen e fundit të taksave në Bashkinë e Tiranës.

Qeveria po bën gjithçka të tregojë një tablo mashtruese të buxhetit, po fsheh borxhet reale, paaftësinë totale për të vënë fre mbi evazionin fiskal për shkak të korrupsionit galopant, ndërsa koncensionet korruptive dhe abuzive po groposin ekonominë drejt një gremine që nuk i dihet fundi.

Zgjedhjet janë zgjidhja e vetme e kësaj krize të rëndë që ka kapur vendin.

Shqiptarët do të zgjedhin alternativën e taksave të ulëta dhe të thjeshta, alternativën e një klime miqësore për bizneset, alternativën e subvencionimeve në bujqësi si sektori më i madh punëdhënës, alternativën e një sistemi arsimor për të gjithë pavarësisht mundësive financiare, alternativën e liberalizimit të tregut dhe jo monopolizimit te tij.

Ju faleminderit!

Lajme te ngjashme

error: Alert: Content is protected !!